Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autor: Vlladimir Tevçev

Çelësi i suksesit të gjykatave më të vogla është puna në grup. Atje mungojnë gjyqtarët, bashkëpunëtorët profesionalë, daktilografistët, por disa çështje gjyqësore në pjesën lindore të vendit janë shembull se me organizim të mirë mund të arrihet sukses i madh.

Një gjyqtar cilësor nuk bëhet nga dritaret moderne të sallës së gjyqit, muret e lëmuara dhe teknologjia e avancuar, por nga profesionalizmi dhe integriteti i tij. Kjo është përgjigja e të gjithë gjyqtarëve në vend kur i pyetni se cili është ndryshimi midis të qenit gjyqtar në një gjykatë në një qytet të vogël, krahasuar me ato të qyteteve më të mëdha. Ndarja e drejtësisë nuk varet nëse gjykohet në zyrë apo sallë gjyqi dhe nëse pikon çatia, thonë ata. Kjo duket bukur me fjalë. Por, a është kështu?

Parkingu i vogël përballë Gjykatës Themelore në Sveti Nikole ishte plot, edhe pse atë ditë nuk kishte shumë gjykime. Nëse vini me autmobil, do t’ju duhet kohë shtesë për t’u rrotulluar rreth gjykatës për të gjetur një vend parkimi. Duhet ta planifikosh mirë, të vish më herët, sepse nëse vonohesh në seancë mund të të kushtojë shumë, qoftë palë apo avokat në një procedurë.

Sapo hyni në këtë godinë, kuptoni se prej shumë vitesh gjithçka është lënë në ndikimit të kohës. Sikur askush nuk i intereson kur sheh me sytë e tij sesi ndërtesa, ambientet dhe orenditë po vjetrohen dhe amortizohen me shpejtësi. Dyert e vjetra, muret e qëruara dhe orenditë e rrënuara dëshmojnë historinë e kësaj gjykate që nga krijimi e deri më sot.

Gjykata në Sveti Nikole është po aq e vogël sa vetë qyteti. Nuk ka kompetencë të zgjeruar, ndërsa për krimet më të rënda, për të cilat është paraparë dënim me burg mbi pesë vjet, juridiksionin e ka Gjykata Themelore në Shtip. Por, edhe këtu njerëzit padisin apo kërkojnë drejtësi, gjë që kërkon një gjykatë të autorizuar. Dhe kjo kërkon gjyqtarë. Në këtë gjykatë ka tre gjykatës. Njëra prej tyre është gjyqtarja Valentina Burovska. Zyra e saj është shpesh edhe një sallë gjyqi, ku ajo i mban seancat. Përveç tavolinës moderne, gjithçka tjetër në këtë dhomë duket si një zyrë e mesit të shekullit të kaluar, duke përfshirë edhe tapetin e vjetër me motive lulesh, i cili kur hyn është gjëja e parë që të bie në sy.

“Kam pasur një zyrë, së cilës i ka rënë tavani dhe kur ka rënë shi, ka rrjedhur. Mund të imagjinoni kova dhe legenë në mes të zyrës së një gjyqtari. Kjo ku jemi tani ishte sallë mbledhjesh, por për shkak se nuk kisha kushte pune në zyrën time, e përshtatëm që të mund të punoja. Këtu gjykoj lëndë me më pak palë, por me fillimin e pandemisë, të tre gjyqtarët gjykojmë në dy sallat që i kemi dhe të cilat janë të pajisura mirë”, tha gjyqtarja Burovska.

Drejtuesit e kësaj gjykate disa herë kanë kërkuar para nga Këshilli Gjyqësor për renovimin e objektit, por gjithmonë janë refuzuar me arsyetimin se nuk ka para.

SI TË NDANI DREJTËSI KUR TË GJITHË I NJIHNI

Në rrethana të tilla, tre gjyqtarët e kësaj gjykate vitin e kaluar kanë arritur të zgjidhin 3.621 lëndë, që është 93 për qind e numrit të përgjithshëm të lëndëve të reja të pranuara vitin e kaluar. Përveç stafit dhe hapësirës, gjyqtarja Burovska thotë se nuk ka probleme të tjera, përkundër faktit se ajo personalisht i njeh pothuajse të gjithë banorët e Sveti Nikoles, të cilëve u ndan drejtësi.

“Unë jam edhe gjyqtare penale, edhe për kundërvajtje edhe gjykatës për ekzekutimin e sanksioneve, i nënshkruaj vërtetimet nga evidencat penale, i kam edhe kontratat për mirëmbajtjen jetësore. Në të kaluarën, kur punonim me ligjin e vjetër, kam qenë edhe gjyqtare hetuese. E gjithë kjo bëhet nga gjyqtarë specialë në gjykatat më të mëdha. Tre gjyqtarët ndihmohen nga tre bashkëpunëtorë profesionistë dhe një daktilografist, dhe me përpjekjet mbinjerëzore që i bëjmë të gjithë, arrijmë t’i përfundojmë të gjitha çështjet. Njëra palë, e cila kishte një kundërvajtje dhe më pas një çështje penale tek unë, më tha: “Gjyqtare, ju sikur jeni si gjyqtarja ime amë.” Kjo është gjendja në gjykatën tonë”, tha gjyqtarja Burovska.

Sa më i madh të jetë qyteti, aq më të mëdha janë problemet. Velesi është një nga shembujt.

“Pas 13 vitesh punë si gjyqtare, nuk mund të hyj në të gjitha kafenetë dhe lokalet, të gjitha butiqet, sepse shumë pronarë kanë hyrë në sallën time të gjyqit dhe në njëfarë mënyre kanë dalur të pakënaqur”, thotë gjyqtarja Gabriela Gajdova nga Gjykata Themelore në Veles.

Disa kanë inat në procese, disa kanë një lloj mirënjohjeje. Para disa vitesh ia kanë djegur makinën, por e përmend edhe rastin kur një i dënuar i ka dalë para shtëpisë për t’i shprehur mirënjohjen për vendimin e dhënë ndaj tij. Në të dyja rastet, ajo ishte e frikësuar, por tha se nuk u dorëzua sepse e dinte se çfarë mund ta priste kur e ka pranuar këtë punë. Ajo posaçërisht e përmend rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski.

“Luftoni me veten tuaj. Ose vendimi do të jetë i duhuri, duke rrezikuar të humbni ndonjë të njohur, ose do të jeni një gjykatës i keq. Unë e gjykoja rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Penale të Shkupit, Vlladimir Pançevski. Ai është brezi im në fakultet, u shoqëruam, kishim shkuar në seminare së bashku. Unë absolutisht nuk u ngarkova me këtë, por ai më shikoi me mosbesim dhe kërkoi përjashtim. Praktika gjyqësore e Gjykatës së Strasburgut për të Drejtat e Njeriut thotë se çdokush ka të drejtën e një gjykimi para një gjykate të pavarur dhe të paanshme, qoftë në një qytet të vogël apo të madh” shpjegoi gjyqtarja Gajdova.

Gjykata e saje cila ka kompetencë të zgjeruar, vitin e kaluar ka zgjidhur 13,540 çështje, ose 124 më shumë se sa ato që i kra pranuar në të njëjtin vit. Gajdova është pjesë e një ekipi prej 16 gjyqtarësh që punojnë në ndërtesën që e ndajnë me Prokurorinë Themelore Publike dhe Prokurorinë e Shtetit. Rastet e zgjidhura tregojnë se në këtë Gjykatë nuk ka mungesë të gjyqtarëve. Por, gjykata e Velesit është një nga të paktat që është e ekipuar mirë. Në gjykatat e tjera më të vogla në vend, mungesa dramatike e gjyqtarëve kërcënon të cenojë parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë në ndarjen e drejtësisë.

Një nga gjykatat ku ka mungesë gjyqtarësh është ajo e Kavadarit. Edhe pse kohë më parë ajo u bë një gjykatë me juridiksion të zgjeruar, numri i gjyqtarëve është dramatikisht i vogël, paralajmëron kryetari Llazar Nanev.

“Kjo situatë është e padurueshme dhe duke pasur parasysh fluksin e pritshëm të lëndëve në vitin 2021, nëse nuk bëhet zgjedhja apo delegimi i të paktën dy gjyqtarëve, puna dhe funksionimi i përgjithshëm i gjykatës vihet në pikëpyetje dhe nga një gjykatë efikase dhe e rregullt, ajo do të jetë një gjykatë administrative dhe joefikase për shkak të numrit shqetësues të vogël të gjyqtarëve”, shkruan kretari Nanev në një raport dërguar Këshillit Gjyqësor për punën e gjykatës në vitin 2020.

MANGËSI ALARMANTE E GJYQTARËVE

Këshilli e pranon situatën alarmante me mungesën e gjyqtarëve në gjykatat më të vogla në vend. Kreu i fundit i Këshillit, Kiro Zdravev, na tha se duhet ndryshuar parimi i pranimit të kandidatëve në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë.

“Në Maqedoni sipas vendimeve të Këshillit Gjyqësor duhet të funksionojnë 639 gjyqtarë, ndërsa aktualisht janë 506. Ka mungesë gjyqtarësh në të gjithë vendin, por problemi është më i dukshëm në gjykatat më të vogla. Në Gjykatën Themelore në Berovë nuk ka asnjë gjyqtar. Njërin e deleguam nga Gjykata Themelore Shtip dhe nga Gjykata Themelore Strumicë. E njëjta situatë është edhe në gjykatat themelore në Dellçevë, Vinicë dhe Krushevë. Është e nevojshme që në Ligjin për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë të parashikohet parimi territorial sipas zonave të apelit me rastin e regjistrimit në Akademi”, thotë Kiro Zdravev.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Veles, Lidija Dimova, edhe pse beson se në gjykatat më të vogla e drejta fitohet shumë më shpejt, sepse më shpejt ndërmerren veprimet, ajo thekson se në gjykatat më të mëdha, veçanërisht në Shkup, me shpejt bëhet karrierë.  Për këtë arsye gjyqtarët nga brendësia e vendit, të cilët diplomojnë në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, nuk aplikojnë për mentorim në gjykatat në qytetet e tyre, por shpesh e bëjnë këtë ose në Shkup ose në gjykatën më të afërt më të madhe.

“Paragjykimet dhe stereotipet janë pengesa të zakonshme për gjyqtarët e gjykatave të vogla, por sa do të ndikojnë ato varet nga vetë gjyqtari. Gjyqtarët kudo në botë përballen me këto probleme, por është shumë më e përgjegjshme të jesh gjykatës në një qytet të vogël dhe të ruash integritetin”, thotë kryetarja e Gjykatës së Velesit, Lidija Dimova.

“Gjyqtari është gjyqtar 24 orë në ditë, pavarësisht nëse punon në gjykatë të vogël apo të madhe. Është e rëndësishme që ai ta kryejë funksionin e tij me ndërgjegje, me profesionalizëm dhe me integritet”, përgjigjet Kiro Zdravev.

Në vendin tonë gjyqtarë bëheni pasi kandidati ta përfundojë me sukses Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë. Megjithatë, për t’u regjistruar në Akademi, kandidati duhet të ketë dhënë paraprakisht provimin e jurisprudencës dhe të ketë së paku dy vjet përvojë pune në çështje juridike. Megjithatë, në gjykatat më të vogla në vend, nuk ka mungesë vetëm të gjyqtarëve. Të gjithëve u mungojnë bashkëpunëtorët profesional, daktilografistët, korrierët, madje edhe personeli teknik, si mirëmbajtësit teknikë dhe pastruesit.

Edhe pse Gjykata e vogël Themelore në Radovish ka kushte solide të punës, salla të gjyqit të pajisura mirë dhe një ndërtesë të mirë, mungesa e personelit ndikon në punën e gjykatës.

“Më mungon një shofer, një mirëmbajtës teknik, një sekretar teknik, më mungojnë regjistruesit në departament, më mungojnë punëtorët në departamentin e pranimit. E gjithë kjo ndikon në punë. Pas një kërkese të gjatë, Këshilli Gjyqësor na lejoi të punësonim dy daktilografistë, përkohësisht. Unë menaxhoj me gjykatën, por nëse nuk ka punë ekipore, nuk mund të bëj asgjë e vetme”, tha Lila Cvetanoska, kryetare e Gjykatës Themelore në Radovish.

Një ilustrim i kësaj janë 5.337 lëndë të zgjidhura vitin e kaluar, kur efikasiteti i Gjykatës në Radovish ishte pothuajse 96 për qind. Se gjyqtarët në vendet më të vogla janë shumë më të ngarkuar se ata në ato më të mëdha, tregon edhe fakti se një gjyqtar në Gjykatën e Radovishit vitin e kaluar ka zgjidhur mesatarisht 1.334 lëndë. Gjyqtarët në Sveti Nikole dhe Kavadar kanë mesatare të ngjashme, për dallim nga ata në Veles, ku një gjyqtar në vitin 2020 ka zgjidhur mesatarisht 846 lëndë.

Puna ekipore në gjykatat më të vogla është thelbësore për të kompensuar mungesën e stafit. Me organizim të mirë, por edhe angazhim jashtë orarit të punës, punëtorët e Gjykatës Themelore në Kavadar ia dalin ta lehtësojnë punën e tyre. Kjo gjykatë është e vetmja në vend që korrespondon me palët vetëm në mënyrë elektronike. Kjo do të thotë që nëse dëshironi të merrni një certifikatë gjyqësore, do ta bëni atë në mënyrë elektronike në vetëm një ditë. Pothuajse të gjitha subjektet juridike në Kavadar janë të kyçur në sistemin e brendshëm elektronik. Kjo mundëson që sportelet e gjykatave të jenë pa turma, veçanërisht në kohë krize të koronës.

SHEMBULL DIGJITAL I KAVADARIT

Edhe pse objekti i gjykatës është i vjetër, ambienti i brendshëm është rinovuar, për të cilin gjykata ka shpenzuar paratë e veta, pasi ka arritur të mbledhë një pjesë të madhe të tarifave që nuk ishin mbledhur për një kohë të gjatë. Tani, teksa prisni në korridor përballë sallave të gjyqit, në ekranin e madh dhe përmes katër kamerave, mund të shikoni se çfarë po ndodh në sallat e gjyqit. Në sallën e gjyqit ka edhe një sallë publike, e pajisur me monitorë, ku mund të monitorohen të gjitha gjykimet që janë duke u zhvilluar. Gjykata në Kavadar është e para në vend që organizoi një proces gjyqësor online, dhe e para në botë që ka arritur të përshtatë platformën “Microsoft Teams” për gjykimet online.

“Përveç Gjykatës Themelore në Kavadar, asnjë gjykatë tjetër në botë nuk e ka përdorur këtë mjet të Microsoft-it për procese gjyqësore online. Ideja për këtë më lindi kur si profesor i asocuar në Fakultetin Juridik në Shtip e përdora këtë mjet për ligjërata për studentët. Për nevojat e gjyqit e përshtata, e përdora dhe bëmë gjyqin. Këto platforma monitorohen nga prodhuesit e tyre, dhe Microsoft është një kompani e madhe globale, kështu që dy ditë pas gjykimit, mora një e-mail nga atje, duke na falënderuar që për herë të parë një gjykatë në botë përdori këtë platformë për gjykim. Ata nuk kishin asnjë shpresë se kjo platformë arsimore mund të përshtatej për gjykim. Si shpërblim, Microsofti na ka dhënë 60 softuerë të licencuar për të gjithë kompjuterët tanë,” tha kryetari i gjykatës Llazar Nanev, i cili është gjithashtu kryetar i Komisionit për Digjitalizimi në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, pranon se ky rast i ka frymëzuar që të hyjnë në një projekt për digjitalizimin e gjyqësorit.

“Ky ishte një motiv për t’u hapur ndaj teknologjive të reja në gjyqësor, ndaj mundësive dhe kushteve të reja ligjore, të cilat do të mundësojnë drejtësi më të shpejtë dhe më efikase në kushtet e sotme. Jemi të hapur për bashkëpunim me Microsoft-in, dhe tashmë po bashkëpunojmë me Ambasadën e SHBA-së në Shkup, po punojmë në krijimin e një softueri për ndërveprim të të gjitha institucioneve që janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Në një kohë shumë të shkurtër do të jemi në gjendje të bëjmë përparim shumë të dukshëm”, tha ministri Mariçiq.

Gjykata e Kavadarit ka rënien më të vogël të numrit të rasteve gjatë vitit të pandemisë 2020, krahasuar me vitin paraprak, kur ishte 10 për qind. Në Veles, Gjykata Themelore ka marrë 20 për qind më pak, në Sveti Nikole rënia është 25 për qind, ndërsa Gjykata Themelore në Radovish ka pasur për 35 për qind më pak lëndë në krahasim me vitin 2019. Kjo, ndër të tjera, për shkak të shkallës së lartë të përdorimit të teknologjisë informative në Gjykatën Themelore në Kavadar. Nanev thotë se para tij personalisht, por edhe para drejtësisë maqedonase është një sfidë e madhe që së shpejti të realizohet një projekt që nuk do të ketë gjykatë në vend që nuk do të digjitalizohet.

Parkingu përballë Gjykatës Themelore në Sveti Nikole është gjysmë i zbrazët, pas një qëndrimi njëorësh aty largohemi nga ky objekt. Gjykata e vogël, me vetëm tre gjyqtarë dhe dhjetëra administratorë të tjerë, vazhdon betejën e saj – për të përmbushur normën e vendosur të çështjeve të zgjidhura, pavarësisht kushteve në gjykatë. Megjithatë, disa prej punonjësve tashmë po i afrohen viteve të pensionit dhe autoritetet e kanë të vështirë të miratojnë zëvendësimin e tyre. Investimet në ndërtesat e rinovuara dhe teknologjinë e informacionit do të jenë të kota nëse nuk ka kush të punojë në to dhe me to.

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

8 Qershor 2021