Rrjedha e historisë ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga takimi i fundit në Davos.
Rusia e sulmoi Ukrainën. Kjo e tronditi thellë Evropën. Bashkimi Evropian u themelua për të parandaluar një gjë të tillë. Edhe atëherë kur konfrontimet e armatosura të ndalen, e në një moment do të duhet të ndalen, situata nuk do të kthehet kurrë në gjendjen që ishte më parë.
Pushtimi mund të ishte fillimi i Luftës së Tretë Botërore, të cilën qytetërimi ynë nuk do të mund ta mbijetojë. Kjo është tema për të cilën do të flas sot.
Sulmi ndaj Ukrainës nuk duhet të na befasojë. Bota është përfshirë shumë në një luftë midis dy sistemeve diametralisht të kundërta të qeverisjes: shoqërisë së hapur dhe shoqërisë së mbyllur. Më lejoni ta përcaktoj thjesht ndryshimin midis tyre.
Në një shoqëri të hapur, roli i shtetit është ta mbrojë lirinë e individit. Në një shoqëri të mbyllur, është individi ai që u shërben pushtetarëve të shtetit.
Një luftë e tillë i vendos në plan të dytë problemet e tjera që e prekin njerëzimin, siç është lufta kundër pandemisë dhe ndryshimeve klimatike, shmangia e luftës bërthamore, ruajtja e institucioneve globale. Prandaj them se qytetërimi ynë mund të mos mbijetojë.
Që në vitet e 1980-ta, fillova të punoja për atë që unë e quaj filantropi politike. Në atë kohë, komunizmi sundonte në një pjesë të madhe të botës dhe unë doja t’u ndihmoja njerëzve që ishin të shtypur prej saj dhe luftuan kundër një shtypjeje të tillë.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, shpejt fillova të krijoja një fondacion pas tjetrit në vendet që dikur ishin pjesë e perandorisë sovjetike. Një angazhim i tillë doli shumë më i suksesshëm nga sa kisha shpresuar.
Ishin ditë emocionuese. Ato përkuan me një periudhë të suksesit financiar personal, e cila, nga ana tjetër, më lejoi të rritja mjetet financiare që i dhurova nga 3 milion dollarë në vitin 1984 në më shumë se 300 milion dollarë tre vjet më vonë.
Pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, filloi një valë e re forcash kundër shoqërive të hapura. Tani, regjimet represive janë në rritje, ndërsa shoqëritë e hapura janë nën rrethim. Sot, Kina dhe Rusia përbëjnë kërcënimin më të madh për shoqërinë e hapur.
Mendova gjatë dhe fortë se pse ishte kështu. Një pjesë të përgjigjes e kam vendosur në zhvillimin e shpejtë të teknologjisë digjitale, veçanërisht të inteligjencës artificiale.
Në teori, inteligjenca artificiale duhet të jetë politikisht neutrale: ajo mund të përdoret si për të mirë ashtu edhe për të keq. Por, në praktikë, efekti i përdorimit të saj është asimetrik. Inteligjenca artificiale është veçanërisht e mirë në prodhimin e instrumenteve për kontroll që u ndihmojnë regjimeve represive dhe i kërcënojnë shoqëritë e hapura. Pandemia e Kovid-19 ka ndihmuar në legjitimimin e instrumenteve për kontroll që janë jashtëzakonisht të dobishëm në përballjen me përhapjen e virusit.
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka ecur paralelisht me rritjen e mediave sociale dhe platformave teknologjike. Këto konglomerate tani dominojnë me ekonominë globale. Ato janë shumëkombëshe dhe shtrirja e tyre i mbulon të gjitha pjesët e botës.
Këto momente zhvillime kanë pasoja të mëdha. Ato e kanë intensifikuar përplasjen mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kina i ka kthyer platformat e saj teknologjike në kampione kombëtare. SHBA-ja ka hezituar të bëjë një angazhim të tillë për shkak të efektit që këto platforma e kanë mbi lirinë individuale.
Pikëpamjet e këtilla divergjente kanë hedhur dritë të re mbi konfliktin midis dy sistemeve të qeverisjes të përfaqësuara nga SHBA-ja dhe Kina, përkatësisht.
Nën udhëheqjen e Xi Jinping, Kina ka mbledhur të dhëna personale për të ndjekur dhe kontrolluar qytetarët e saj në mënyrë shumë më agresive se çdo vend tjetër në histori dhe duhet të përfitojë më shumë nga ky zhvillim. Por, kjo nuk ndodhi, për të cilën gjë do të flas më vonë.
Tani më lejoni të kthehem te zhvillimet e fundit. Vlladimir Putin dhe Xi Jinping u takuan më 4 shkurt të këtij viti, në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pekin. Pas takimit ata kanë lëshuar një deklaratë të gjatë ku bëjnë të ditur se bashkëpunimi mes tyre “nuk ka kufi”. Putin e informoi Xi-në për “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë, por është e paqartë nëse i ka thënë atij se planifikonte një pushtim të plotë të Ukrainës. Ekspertët ushtarakë të Mbretërisë së Bashkuar dhe të SHBA-ve duhet t’u kenë treguar homologëve të tyre kinezë për planet e tilla. Xi e miratoi planin, por i kërkoi Putinit të priste deri në përfundimin e Lojërave Olimpike.
Nga ana tjetër, Xi vendosi t’i zhvillojë Lojërat Olimpike pavarësisht variantit “Omikron” të Kovidit që sapo ka nisur të përhapet në Kinë. Organizatorët bënë përpjekje të veçanta për të krijuar një flluskë të padepërtueshme për garuesit, kështu që Lojërat Olimpike përfunduan pa probleme të mëdha.
Megjithatë, varianti ‘Omikron’ i Kovidit u përhap në komunitet, fillimisht në Shangai – qytetin dhe qendrën më të madhe tregtare të Kinës – dhe tani është duke u përhapur në pjesën tjetër të vendit. Pavarësisht kësaj, Xi këmbëngul në politikën e tij për Zero-Kovid. Kjo çoi në vështirësi të mëdha për popullsinë e Shangait pasi ata u detyruan të shkonin në qendrat e improvizuara të izolimit në vend që të izoloheshin në shtëpitë e tyre. Masa të tilla e sollën Shangain në prag të rebelimit të hapur.
Shumë njerëz janë të habitur nga kjo qasje në dukje irracionale, por unë mund ta shpjegoj: Xi ka një mëkat të fshehtë. Ai kurrë nuk i tregoi popullit kinez se ata ishin imunizuar me një vaksinë që ishte krijuar për variantin origjinal të Wuhan-it dhe ofronte shumë pak mbrojtje kundër varianteve të reja.
Xi nuk mund t’ia lejojë vetes ta thotë të vërtetën sepse është në një moment shumë delikat të karrierës së tij. Mandati i tij i dytë skadon këtë vjeshtë dhe ai dëshiron një mandat të tretë të paprecedentë, që do ta bënte atë sundues të përjetshëm.
Ai organizon me kujdes një proces që do t’i mundësojë ta përmbushë ambicien e tij jetësor dhe absolutisht gjithçka duhet t’i nënshtrohet këtij qëllimi.
Ndërkohë, i ashtuquajturi “operacion special ushtarak” i Putinit nuk po shkon sipas planit. Putin priste që popullsia rusisht-folëse e Ukrainës do ta mirëpriste ushtrinë e tij si çlirimtare. Ushtarët e tij mbanin gjithashtu uniforma ceremoniale për paradën e fitores. Mirëpo, kjo nuk ndodhi.
Ukraina bëri një rezistencë të fortë të papritur, duke i shkaktuar dëme serioze ushtrisë pushtuese ruse. Ushtria ishte e pajisur keq dhe e udhëhequr dobët, kurse ushtarët e humbën moralin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë bashkuar forcat për ta mbështetur Ukrainën dhe për ta furnizuar atë me armë. Me ndihmën e tyre, Ukraina arriti ta mposht ushtrinë në numër shumë më të madh ruse në betejën e Kievit.
Putini nuk mund t’ia lejojë vetes ta pranojë humbjen dhe për këtë arsye i përshtati planet e tij. Ai e emëroi gjeneralin Vlladimir Shamanov, i njohur për brutalitetin e tij që nga rrethimi i Groznit, si komandant të përgjithshëm dhe e urdhëroi atë të jepte sukses deri më 9 maj, ditën kur festohet fitorja ndaj fashizmit.
Megjithatë, Putini kishte shumë pak për të festuar. Shamanov i përqendroi përpjekjet e tij në qytetin e portit të Mariupolit, me një popullsi prej 400.000 banorësh. Gjenerali e shndërroi qytetin në gërmadha, ashtu siç bëri me Groznin, por mbrojtësit ukrainas qëndruan për 82 ditë dhe rrethimi u kushtoi mijëra jetë civilësh.
Përveç kësaj, tërheqja e shpejtë nga Kievi i nxori në shesh krimet e tmerrshme të kryera nga ushtria e Putinit kundër popullsisë civile në Buça, një periferi e Kievit. Këto mizori janë të dokumentuara mirë dhe i tronditën të gjithë ata që i panë pamjet në televizion. Por, krimet nuk u panë nga njerëzit në Rusi, të cilët mbahen në errësirë informative për “operacionin special ushtarak” të Putinit.
Sulmi ndaj Ukrainës tani po hyn në një fazë të re që sjell sfida më të mëdha për ushtrinë ukrainase. Ata duhet të luftojnë në terren të hapur ku epërsia e ushtrisë ruse në numër është shumë më e vështirë për t’u mposhtur.
Ukrainasit po e bëjnë më të mirën e tyre, përmes kundërsulmeve dhe ndërhyrjeve në territorin rus. Kjo ka efektin shtesë që popullatës ruse t’i demonstrohet drejtpërdrejtë se çfarë po ndodh realisht.
Dhe SHBA-të po bëjnë çmos për ta reduktuar hendekun financiar midis Rusisë dhe Ukrainës, duke e bindur Kongresin të ndajë 40 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Nuk mund ta parashikoj rezultatin, por Ukraina sigurisht që ka një shans të vogël, por real për fitore.
Kohët e fundit, liderët evropianë kanë shkuar më tej. Ata duan të përdorin sulmin ndaj Ukrainës për të promovuar një integrim më të madh evropian, në mënyrë që ajo që po bën Putin tani të mos ndodhë më kurrë.
Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike, propozoi një plan për federalizimin e pjesshëm të Evropës. Pjesa federale do t’i mbulonte politikat kryesore.
Brenda bërthamës federale, asnjë shtet anëtar nuk do të kishte të drejtën e vetos, ndërsa brenda konfederatës më të gjerë, shtetet anëtare mund të hyjnë në “koalicione të vendeve me qëndrim të njëjtë” ose thjesht ta ruajnë të drejtën e vetos. Mario Draghi mbështeti planin e Letës.
Si pjesë e një zgjerimi të rëndësishëm të qasjes së tij pro-evropiane, Emmanuel Macron u angazhua për zgjerimin gjeografik dhe për nevojën që BE-ja të përgatitet për një zgjerim të tillë. Jo vetëm Ukraina, por edhe Moldavia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kualifikohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Do të duhet shumë kohë për të rënë dakord për të gjitha detajet, por duket se Evropa po ecën në drejtimin e duhur. Ajo iu përgjigj sulmit ndaj Ukrainës me shpejtësi, unitet dhe energji më të madhe se kurrë më parë në historinë e saj. Pas hezitimit fillestar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e gjeti zërin e saj të fortë pro-evropian.
Por, Evropa edhe më tej mbetet shumë e varur nga lëndët djegëse fosile ruse, kryesisht për shkak të politikave tregtare të ish-kancelares gjermane, Angela Merkel. Ajo negocioi marrëveshje speciale me Rusinë për furnizimin me gaz dhe e bëri Kinën tregun më të madh të eksportit të Gjermanisë. Kështu, Gjermania u bë ekonomia me performancën më të mirë në Evropë, por tani ajo duhet të paguajë një çmim shumë të lartë për këtë. Ekonomia gjermane duhet të riorientohet, e një gjë e tillë kërkon shumë kohë.
Olaf Scholz u zgjodh kancelar për shkak të premtimit se do të vazhdojë me politikat e Merkelit. Ngjarjet e mëvonshme e detyruan atë të braktiste një premtim të tillë. Kjo nuk ishte e lehtë sepse ai duhej të hiqte dorë nga traditat e shenjta të socialdemokratëve.
Kur bëhet fjalë për ruajtjen e unitetit në Evropë, megjithatë duket se Scholz po e bën gjënë e duhur. Ai e braktisi planin për Rrjedhën e Veriut 2, (Nord Stream 2), ndau 100 miliardë euro për mbrojtjen dhe e furnizoi Ukrainën me armë, duke i dhënë fund një teme tabu afatgjatë. Kështu reaguan demokracitë perëndimore ndaj sulmit rus ndaj Ukrainës.
Me çfarë mund të mburren dy diktatorët, Vladimir Putin dhe Xi Jinping? Ata janë të lidhur së bashku në një aleancë që nuk njeh kufij. Ka edhe shumë gjëra të tjera që i kanë të përbashkëta. Në fakt, të dy sundojnë përmes frikësimit dhe si rrjedhojë bëjnë gabime të pabesueshme. Putini pritej të mirëpritet si çlirimtar në Ukrainë, ndërsa Xi Jinping po i përmbahet një politike zero-Kovid, e cila nuk mund të jetë e qëndrueshme.
Putini duket se e ka pranuar gabimin e madh të sulmit ndaj Ukrainës dhe tani po e përgatit terrenin për negociatat e armëpushimit. Megjithatë, një armëpushim nuk mund të arrihet sepse ai është një njeri të cilit nuk mund t’i besohet. Putinit do t’i duhej t’i fillonte bisedimet e paqes, gjë që ai nuk do ta bëjë kurrë sepse kjo do të ishte e barabartë me dorëheqjen nga pozicioni i tij.
Situata është konfuze. Një ekspert ushtarak që e kundërshtoi pushtimin u lejua të shfaqej në një televizion rus për ta informuar publikun se sa e keqe ishte situata. Më vonë, ai u betua për besnikëri ndaj Putinit. Është interesante se Xi Jinping vazhdon ta mbështesë Putinin, por tani një mbështetje e tillë nuk është pa kufi.
Kjo fillon të shpjegojë pse Xi Jinping është i gjykuar të dështojë. Dhënia e lejes së Putinit për të nisur një sulm të dështuar ndaj Ukrainës nuk ishte në interesin më të mirë të Kinës. Kina supozohej të ishte partneri kryesor në aleancën me Rusinë, por mungesa e vendosmërisë së Xi Jinping i mundësoi Putinin të uzurponte atë pozicion. Sidoqoftë, gabimi më i madh i Xi është çimentimi i politikës së tij Zero-Kovid.
Mbylljet (lock-downs) patën pasoja katastrofale. Ato e shtynë ekonominë kineze në rënie të lirë. Kjo filloi në mars dhe do të vazhdojë të fitojë vrull derisa Xi ta ndryshojë kursin, gjë që ai nuk do ta bëjë kurrë sepse nuk mund të pranojë se ka bërë gabim. Kur kësaj i shtohet edhe kriza në tregun e pasurive të patundshme, dëmi do të jetë aq i madh sa që do të ndikojë edhe në ekonominë globale. Duke pasur parasysh ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit, ka shumë të ngjarë që inflacioni global të kthehet në një depresion global.
Megjithatë, një Putin më i dobët po bëhet gjithnjë e më i paparashikueshëm. Shtetet anëtare të BE-së po e ndiejnë presionin. Ato e kuptojnë se Putini mund të mos presë që ato të zhvillojnë burime alternative të energjisë dhe se do ta ndërpresë furnizimin me gaz, përderisa kjo mund t’i godasë realisht.
Programi i veprimit të përbashkët i për energjinë e përballueshme, të sigurt dhe të qëndrueshme në BE (RePowerEu) që u shpall javën e kaluar e pasqyron frikën e tillë. Olaf Scholz është veçanërisht nervoz për marrëveshjet speciale që paraardhësja e tij Angela Merkel i ka bërë me Rusinë. Mario Draghi është më i guximshëm, edhe pse varësia e Italisë nga gazi është pothuajse aq e lartë sa ajo e Gjermanisë. Kohezioni evropian do të vihet në një provë serioze, por nëse vazhdon ta ruajë unitetin e saj, ai mund ta forcojë sigurinë energjetike të Evropës, si dhe lidershipin në fushën e veprimit klimatik.
Çfarë po ndodh me Kinën? Xi Jinping ka shumë armiq. Asnjëri prej tyre nuk merr guximin ta sulmojë drejtpërdrejt sepse ai i ka centralizuar të gjitha instrumentet e mbikëqyrjes dhe represionit dhe tani ato janë në dorën e tij, por dihet mirë se brenda Partisë Komuniste ka përçarje. Ajo po bëhet aq e fortë sa tashmë ka filluar të shfaqet në tekstet gazetareske që janë të disponueshme për t’i lexuar njerëzit e zakonshëm.
Ndryshe nga pritshmëritë dhe për shkak të gabimeve që i bëri, Xi Jinping mund të mos e marrë mandatin e tretë shumë të dëshiruar. Por, edhe nëse merr një mandat të ri, Byroja Politike nuk do t’i lërë duar të lira për t’i zgjedhur anëtarët për përbërjen e radhës të Byrosë Politike. Kjo do të zvogëlonte shumë fuqinë e tij dhe gjasat që të bëhej sundimtar i përjetshëm.
Përderisa lufta po vazhdon me intensitet edhe më të madh, lufta kundër ndryshimeve klimatike duhet të mbetet plan të dytë. Nga ana tjetër, ekspertët thonë se tashmë ngecim në këtë fushë dhe se ndryshimet klimatike janë në prag për t’u bërë të pakthyeshme. Kjo mund të jetë fundi i qytetërimit tonë.
Parashikimet e tilla i konsideroj jashtëzakonisht të frikshme. Shumica prej nesh e pranojnë idenë se do të vdesim një ditë, por ajo që e marrim si të mirëqenë është fakti se qytetërimi do të mbijetojë. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i mobilizojmë të gjitha burimet për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur. Mënyra më e mirë dhe ndoshta e vetmja për të ruajtur qytetërimin është që Putini të mposhtet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo është ideja kryesore.
—————————————————
1 Qershor 2022