Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në fund të muajit majit, ditën njëjtën ditë kur u përjashtua nga shtëpia e saj amë televizive, ABC, për shkak të tuitit racist për këshilltaren e Obamës Valeri Xharet, Rozen Bar e akuzoi Çelsi Klintonin se është martuar me nipin e Xhorxh Sorosit. Në tuitin e saj, Bar shkroi “Çelsi Soros Klinton”, duke e ditur se kombinimi i emrave është mjaft i mjaftueshëm për të shkaktuar reagim. Në komentet që pasuan, anëtarja më e re e familjes Klinton iu përgjigj Rozenit me lavdërim për punën filantropike të Sorosit përmes Fondacioneve Shoqëri e hapur. Bar reagoi në mënyrën më dëshpëruese të mundshme, duke I përsëritur pretendimet e rreme që më parë i plasuan personalitetet e mediave djathtiste: “Më fal që tuitova informacione të pasakta për ty! Të lutem më fal! Me që ra fjala, Xhorxh Sorosi është një nazcist i cili I ka tradhtuar bashkatdhetarët e tij çifutë për t’u vrarë në kampet gjermae të përqendrimit dhe e ka vjedhur pasurinë e tyre, a jeni të vetëdijshme për këtë? Por ne të gjithë bëjmë gabime, a po jo Çelsi?”

Së shpejti, tuitin e Barit e shpërndanë konservatorët, duke përfshirë edhe Donald Trump të riun. Kjo nuk duhet të jetë surprizë për askë. Në radhët e të drejtës radikale, Sorosi është pa aq i urryer sa edhe Klintonët. Ai është një tik verbal, një çelës që i përshtatet çdo brave. Para do kohësh, një ish-kongresmen republikan tha për “Washington Post” se emri i Sorosit shkakton “zemërim emocional midis masave të mashtruara lehtë të njerëzve.” Për ta, ai është “një lloj krimineli që vepron nga hija”. Kjo karikaturë anti-semite për Sorosin e ndjek filantropin me dekada të tëra. Por në vitet e fundit, karikatura është rritur në diçka që më shumë i ngjan një personazhi negative nga filmat e Xhejms Bondit. Madje edhe për konservatorët të cilët nuk i pranojnë fraksionet më të errëta të politikës ultra-djathtiste, përshkrimi i Sorosit që është bërë nga portali Brajtbart si “miliarder globalist”, i cili punon me përkushtim për ta bërë Amerikën deponi liberale, është arsye e shëndoshë jonkontraverse.

Përkundër obsesionit të tillë me Sorosin, ka një interes çuditërisht të vogël për atë që ai me të vërtetë e mendon. Ndryshe nga shumica e anëtarëve të klasës së miliarderëve që flasin maskuar dhe të përmbahen nga angazhimi serioz në jetën qytetare, Soros është intelektual. Personaliteti që mund të zbulohet nga librat e tij dhe artikujt e shumtë autorialë na tregojnë një plutokrat që nuk ka kontakt me realitetin, por një mendimtar provokues dhe konsekuent i përkushtuar që ta çojë botën në drejtim kosmopolitan, ku racizimi, pabarazia e të ardhurave, perandoria amerikane dhe tjetërsimet e kapitalizmit bashkëkohor do t’i takonin të së kaluarës. Ai është jashtëzakonisht perceptues në lidhje me kufizimet e tregjeve dhe fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si në kontekst vendor ashtu edhe në atë ndërkombëar. Shkurtimisht, ai është ndër produktet më të mira të meritokracisë.

Mu për këtë arsye, dështimet e Sorosit janë shumë të rëndësishme; ato nuk janë dështime vetëm të një njeriu, por një klase të tërë i japin një mënyrë të re të kuptuarit të botës. Nga fillimet e tij si bankier në Londrën e pasluftës, Sorosi beson lidhjen e domosdoshme ndërmjet kapitalizmit dhe kozmopolitizmit. Për të, si edhe për shumicën e moshatarëve të tij dhe pjesën më të madhe të udhëheqësisë së Partisë Demokratike, shoqëria e lirë varet nga tregjet e lira (por të rregulluara). Një lidhje e tillë supozuar u tregua si e gabuar. Dekadat pas përfundimit të Luftës së ftohtë treguan se, në mungesë të armikut perceptuar ekzistenciale, kapitalizmi ka tendencë për ta minuar kulturën e besimit, dhembshurisë dhe empatisë nga e cila varet nga “shoqëria e hapur” e Sorosit, përmes përqendrimit të pasurisë në duart e një pakice.
Në vend të utopisë kapitaliste globale nga vitet e 90-ta që e parashikuan ata që e shpallën fundin e historisë, aktualisht SHBA-të qeverisen nga një trashëgimtar i pandershëm i cili e pasuron familjen e tij duke shkatërruar njëkohësisht “rendin ndërkombëtar liberal” që do të qeverisë në një botë paqësore, të begatë dhe të bashkuar. Megjithëse Sorosi  ka perceptuar kufizimet e hiperkapitalizmit shumë më herët se të tjerët, pozita e tij klasore e bën atë të paaftë për të avokuar për reforma rrënjësore dhe të plota që nevojiten për ta krijuar botën që ai e dëshiron. Sistemi që i lejoi Xhorxh Sorosit të fitonte pasuri, u tregua si një sistem në të cilin kozmopolitizmi kurrë nuk do të gjejë një shtëpi të qëndrueshme. 

Momentet kryesore të biografisë së Sorosit janë të njohura. I lindur në një familje hebreje të klasës së mesme në Bukuresht, në vitin 1930, si Gjerg Shvarc, Soros – babai i të cilit ndryshoi emrin e familjes së tij në vitin 1936 për të shmangur diskriminimin antisemit – kishte një fëmijëri paqësore deri në Luftën e Dytë Botërore kur pas pushtimit nazist të Hungarisë, ai dhe familja e tij u detyruan të merrnin identitete të krishtera dhe të jetonin nën një emër të rremë. Çuditërisht, Soros dhe familja e tij mbijetuan luftën, duke shmangur fatin e më shumë se dy të tretave të hebrenjve në Hungari. Duke u ndjerë të ngulfatur nga Hungaria e re komuniste, në vitin 1947, Soros emigroi në Mbretërinë e Bashkuar ku studionte në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe u takua me Karl Poper, filozofin me origjinë austriake, i cili u bë bashkëbiseduesi më i madh i tij dhe ndikimi intelektual qendror. 

Në vitin 1956, Soros u transferua në Nju Jork për të filluar një karrierë në botën financiare. Pas më shumë se një dekade që punonte në pozicione të ndryshme në Wall Street, në fund të viteve 1960 ai krijoi Fondin Kuantum, i cili u bë një nga hexh fondet më të suksesshme të të gjitha kohërave. Ndërsa fondi i tij fillon të grumbullojë fitime, Sorosi profilizohet si një tregtar legjendar i bursës, i njohur më së shumti për atë që në nëntor 1992 fitoi më shumë se 1 miliard dollarë dhe e “shkatërroi Bankën e Anglisë” duke vënë bast se funta është shumë  lartë e vendosur kundrejt markës gjermane.

Sot, Sorosi është njëri nga njerëzit më të pasur në botë dhe – së bashku me Bill Gates dhe Mark Zuckerberg – është në mesin e filantropëve politikë më me influencë në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, ndryshe nga Gates dhe Zuckerberg, karriera mendimtare  dhe filantropike e Sorosit është e organizuar rreth idesë së “shoqërisë së hapur”, një term i zhvilluar dhe popullarizuar nga Poper në veprën e tij klasike Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj. Sipas Properit, shoqëritë e hapura garantojnë dhe mbrojnë shkëmbimin racional, ndërkohë që shoqëritë e mbyllura i detyrojnë njerëzit t’u dorëzohen autoriteteve, pavarësisht se a bëhet fjalë për autoritete fetare, politike ose ekonomike.

Karl Poper
Fotografia: Poperfoto


Nga viti 1987, Soros ka publikuar 14 libra dhe një numër artikujsh autorial në  Njujork rivju of buks (New York Review of Books), Nju Jork Tajms dhe për gazetat dhe revistat e tjera. Këto tekste e bëjnë të qartë se, si shumica e anëtarëve të orientimit të qendrës së majtë, të cilët u bënë të shquar në vitet 1990, parimi intelektual përcaktues i Sorosit është internacionalizmi i tij. Për Sorosin, qëllimi i ekzistencës moderne njerëzore është krijimi i një bote që nuk do të përcaktohet nga shtetet sovrane, por nga një bashkësi globale, zgjedhësit e të cilëve kuptojnë se secili ndan një interes të përbashkët në liri, barazi dhe prosperitet. Sipas tij, krijimi i një shoqërie të tillë globale është e vetmja mënyrë për të siguruar që njerëzimi të kapërcejë sfidat ekzistenciale të ndryshimit të klimës dhe përhapjes bërthamore. 
Ndryshe nga Gates, filantropia e të cilit përqendrohet kryesisht në projekte për përmirësimin e kushteve të caktuara, siç është çrrënjosja e malaries, Sorosi dëshiron që me të vërtetë të transformojë politikën dhe shoqërinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Mbetet për t’u parë nëse vizioni i tij mund të mbijetojë valën e nacionalizmit antisemit, islamofobik dhe ksenofobik të krahut të djathtë që po rritet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Megjithatë, ajo që është e sigurt është se Sorosi do të kalojë pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur të ketë sukses në këtë.

Sorosi filloi punën e tij filantropike në vitin 1979 kur “pas shumë kohësh mendoi se kishte mjaft para” dhe se ai mund të kushtonte veten për ta bërë botën një vend më të mirë. Për këtë qëllim, ai themeloi Fondin e Shoqërisë së Hapur, i cili shpejt u rrit në një rrjet transnacional të fondacioneve.  Përveç angazhimit të tij për financimin e bursave akademike për studentët e zi gjatë aparteidit në Afrikën e Jugut, shqetësimi kryesor i Sorosit mbetën vendet e bllokut komunist të Evropës Lindore. Në fund të viteve 80, ai hapi zyrat e fondacionit të tij në Hungari, Poloni, Çekosllovaki, Bullgari dhe Bashkimin Sovjetik. Ashtu si Poper para tij, Soros beson se vendet komuniste të Evropës Lindore janë modeli i fundit i shoqërive të mbyllura. Nëse ai është në gjendje të hapë këto regjime, ai do të tregonte botës se paratë, në disa raste, të paktën, mund të ndihmojnë për një refuzim paqësor të shtypjes pa ndërhyrje ushtarake apo subverzion politik, të cilat janë mjetet e favorizuara të udhëheqësve të Luftës së Ftohtë. 

Në vitin 1984, Soros formoi fondacionin e tij të parë të huaj në Hungari dhe përpjekjet e tij atje shërbyen si një model për aktivitetet e tij në atë periudhë. Gjatë atij dhjetëvjeçari, ai jep bursa për intelektualët hungarezë për t’i sjellë ato në Shtetet e Bashkuara; siguron makina për kopjim për bibliotekat dhe universitetet; ofron grante për teatro, biblioteka, intelektualë, artistë dhe shkolla eksperimentale. Në librin e tij Hapja e Sistemit Sovjetik të vitit 1990, Soros shkruan se beson se fondacioni i tij ndihmoi “prishjen e monopolit të dogmës [në Hungari] duke siguruar një burim alternativ financimi për aktivitetet kulturore dhe sociale”, që sipas vlerësimeve të tij, luajti një rol kyç në prodhimin e një kolapsi të brendshëm të komunizmit. 

Përdorimi i fjalës dogmë nga Soros i referohet dy elementëve kryesorë të mendimit të tij: bindjen e tij të vendosur se idetë, më shumë se ekonomia, e formësojnë jetën; dhe besimin e tij në aftësinë e njerëzimit për të përparuar. Sipas Sorosit, modeli dogmatik i të menduarit, i cili është karakteristik i shoqërive të mbyllura, e bëri të pamundur që ata të përshtaten me kthesat e ndryshimeve të historisë. Përkundrazi, “si ndryshojnë kushtet reale”, njerëzit në shoqëritë e mbyllura detyrohen të ndjekin një ideologji ataviste që bëhet gjithnjë e më bindëse. Kur kjo dogmë në fund bëhet shumë e qartë e shkëputur nga realiteti, thotë Soros, zakonisht ekziston një revolucion që prish shoqërinë e mbyllur. Në të kundërt, shoqëritë e hapura janë dinamike dhe janë në gjendje të korrigjojnë kursin sa herë që dogmat e tyre dalin nga realiteti. 

Duke parë rënien e perandorisë sovjetike midis viteve 1989 dhe 1991, Sorosi duhej t’i përgjigjej një pyetje thelbësore strategjike: çfarë do të bënte tani fondacioni i tij, pasi që shoqëritë e mbyllura në Evropën Lindore filluan të hapen? Para rënies së Bashkimit Sovjetik, Sorosi botoi një version të përditësuar të librit të tij  Hapja e sistemit sovjetik me titull Financimi i demokracisë, në të cilin ai zbulon strategjinë e tij të re: ai do të përkushtohet në ndërtimin e institucioneve të përhershme që do të ruanin idetë që motivuan revolucionet antikomuniste, duke modeluar praktikat e shoqërisë së hapur për popujt e çliruar të Evropës Lindore. Më e rëndësishmja midis këtyre institucioneve është Universiteti i Evropës Qendrore (UEQ), i themeluar në Budapest në vitin 1991. I themeluar nga Sorosi, UEQ kishte për qëllim të shërbejë si një burim mendimi për botën e re evropiane transnacionale dhe një qendër trajnimi për elitën e re evropiane transnacionale.

Një aktivist heq një poster kundër Sorosit në Budapest, Hungari
Fotografia: Bernadet Sabo / Reuters

Si mundet Sorosi të sigurohet se shoqëritë e reja të hapura do të mbetën të lira? Sorosi arriti moshën e pjekurinë në epokën e Planit Marshall dhe përjetoi nga dora e parë bujarinë amerikane në Londrën e pasluftës. Për atë, kjo përvojë ka treguar se shoqëritë e dobëta dhe të rraskapitura nuk mund të rehabilitohen pa një investim të rëndësishëm të ndihmës së huaj që do të lehtësonte kushtet ekstreme dhe do të sigurojë një bazë materiale minimale për zhvillimin e ideve të duhura për demokracinë dhe kapitalizmin.

Për këtë arsye, në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, Sorosi përsërit argumentin se “vetëm një deus eks mekanizëm i ndihmës perëndimore” mund ta bënte bllokun lindor gjithmonë demokratik. “Për njerëzit që kanë kaluar tërë jetën e tyre në një sistem totalitar” thotë ai, “ata kanë nevojë për ndihmë të jashtme për t’i kthyer aspiratat e tyre në realitet”. Soros këmbëngul që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore duhet të japin ndihmë substanciale materiale për vendet e Evropës Lindore, t’u japin atyre qasje në tregun e përbashkët evropian dhe të promovojnë lidhjet kulturore dhe arsimore midis Perëndimit dhe Lindjes “që i ngjajnë një shoqëri pluraliste”. Soros pranon se sapo të arrihet kjo, Evropa Perëndimore duhet të pranojë Evropën Lindore në Komunitetin Europian, i cili do të parandalonte ndarjen e ardhshme të kontinentit në blloqe.
Idetë largpamëse të Sorosit mbeten të injoruara. Nga vitet 1990, ai ia atribuoi shfaqjen e kleptokracisë dhe hipernacionalizmit në ish-bllokun lindor për mungesën e vizionit dhe vullnetit politik të Perëndimit në atë moment vendimtar. Në vitin 1995, ai u ankua me fjalët: “Demokratët duket se vuajnë nga mungesa e vlerave… [dhe] janë të pandreqshëm të pagatshëm për të marrë pjesë të ndonjë dhimbje kur vetë-interesi i tyre vital nuk kërcënohet drejtpërdrejt “. Për Sorosin, Perëndimi ka treguar dështim të madh në një detyrë të tillë epokale, duke zbuluar të pamurit e tyre të shkurtër dhe papërgjegjshmërinë.

Por në atë moment Perëndimi u kufizua nga shumë më tepër se mungesa e vullnetit politik. Në epokën e “shok terapisë”, kapitali perëndimor u transferua në Evropën Lindore, por ky kapital është investuar kryesisht në industrinë private e jo në institucione demokratike ose në ndërtimin e bashkësive lokale, gjë që i ndihmoi kleptokratët dhe antidemokratët të merrnin dhe mbajnë pushtetin. Sorosi e identifikon problemin kryesor, por nuk është në gjendje të kuptojë se si logjika e kapitalizmit, e cila i jep përparësi fitimeve, në mënyrë të pashmangshme e minon projektin e vetë demokratik. Sorosi mbetet ngushtë i lidhur me sistemin që ai vetë e ka fituar. 
Pas Luftës së Ftohtë, Sorosi përkushtohet në studimin e problemeve ndërkombëtare që pengojnë realizimin e një shoqërie të hapur globalisht. Pas krizës financiare aziatike të vitit 1997, kur rënia e valutës në Azinë Juglindore kërcënoi me një rënie ekonomike në mbarë botën, Sorosi shkroi libra që trajtojnë dy kërcënimet kryesore që ai i konsideron të zhytur plotësisht në shoqëri të hapur: hiper-globalizimi dhe fundamentalizmi i tregut. Pas rënies së komunizmit, të dy kërcënimet u bënë forca hegjemoniste.

Soros argumenton se historia pas Luftës së Ftohtë, si dhe përvojat e tij personale si një nga tregtarët më të suksesshëm të tregut të bursës në tregun financiar ndërkombëtar, ka treguar se kapitalizmi i parregulluar global minon shoqërinë e hapur në tri mënyra të ndryshme. Së pari, për shkak se kapitali mund të zhvendoset për të shmangur taksat, vendet perëndimore janë të privuar nga burimet financiare që kanë nevojë për të siguruar mallra publike për qytetarët. Së dyti, meqenëse huadhënësit ndërkombëtarë nuk janë subjekt i rregullimit të rreptë, ata shpesh angazhohen në “praktika të papranueshme huamarrjeje” që kërcënojnë stabilitetin financiar. Së fundmi, pasi këto realitete rrisin pabarazinë vendore dhe ndërkombëtare, Sorosi ka frikë se do t’i inkurajonte njerëzit që të merrnin “akte të dëshpëruara” të papërcaktuara që mund të dëmtonin qëndrueshmërinë e sistemit global.

Shumë më herët se shumica e kolegëve me orientim të qendrës së majtë, Sorosi  sheh problemet që qëndrojnë në zemër të “ekonomive të reja” financiarisht-të fokusuara dhe të çliruara nga vitet ’90 dhe ‘2000. Më shumë se çdo koleg i tij liberal, ai pranon se pranimi i formave më ekstreme të një ideologjie të tillë kapitaliste mund t’i joshë Shtetet e Bashkuara të nxisin politikat dhe praktikat që dëmtojnë demokracinë dhe paraqesin kërcënim për stabilitetin – brenda dhe jashtë vendit. 

Sipas Sorosit, e vetmja mënyrë për të shpëtuar kapitalizmin nga vetë kapitalizmi është krijimi i një “sistemi global për marrjen e vendimeve politike” me financa ndërkombëtare të rrepta. Megjithatë, që në vitin 1998, Sorosi kupton se Shtetet e Bashkuara janë kundërshtarët kryesorë të institucioneve globale. Në atë kohë, amerikanët tashmë kishin refuzuar të hyjnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë; refuzuan të nënshkruanin Traktatin e Otavës që ndalonte përdorimin e minave tokësore; dhe në mënyrë të njëanshme vendosin sanksione ekonomike gjithmonë dhe kudo që ju dukej e përshtatshme. Megjithatë, Sorosi shpreson që kreatorët amerikanë të politikave publike do të pranojnë disi se është në interesin më të lartë të jenë udhëheqësit e një koalicioni të demokracive të angazhuara për “promovimin e zhvillimit të shoqërive të hapura [dhe] forcimin e drejtës ndërkombëtare dhe institucioneve të nevojshme për shoqërinë globale të hapur”.

Por, Sorosi nuk ka program për të modifikuar armiqësinë në rritje të elitave amerikane ndaj formave të internacionalizmit që nuk favorizojnë fuqinë e tyre ushtarake ose u japin përfitime të drejtpërdrejta dhe të dukshme ekonomike. Kjo është një boshllëk i rëndësishëm në mendimin e Sorosit, veçanërisht duke pasur parasysh këmbënguljen e tij për t’i dhënë përparësi ideve të nxitjes së ndryshimeve historike. Në vend që ta shqyrtojë me kujdes këtë problem, ai thjesht deklaron se “ndryshimi duhet të fillojë në ndryshimin e qëndrimeve, të cilat gradualisht do të përkthehen në ndryshime të politikave”. Statusi i Sorosit si një anëtar i hiper-elitës dhe besimi i tij se, pavarësisht nga të gjitha lëshimet e saj, historia shkon në drejtimin e duhur, ata janë të paaftë të marrin parasysh plotësisht pengesat ideologjike që qëndrojnë në rrugën e internacionalizmit të saj. 

Përgjigjja ushtarake e administratës së Xhorxh W. Bush pas sulmeve të 11 shtatorit e ka detyruar Sorosin të kthejë vëmendjen e tij nga ekonomia në politikë. Për Sorosin, të gjitha aspektet e ideologjisë së administratës së Bushit janë anatema. Siç thotë vetë ai në librin e tij të vitit 2004 Tullumbacja e superioritetit amerikan, Bush dhe klika e tij kanë miratuar një “formë të ashpër të darvinizmit social”, që supozon se “jeta është një luftë për mbijetesë dhe ne duhet të mbështetemi kryesisht në përdorimin e forcës për të mbijetuar”. Para 11 shtatorit, “tejkalimet e [kësaj] ideologjie të rreme u mbajtën në disa kufij me funksionimin normal të demokracisë sonë, por pas këtyre ngjarjeve, Bush “ushqeu me dashje frikën që përfshiu vendin” për të heshtur opozitën dhe për të fituar mbështetje për politikën kundërproduktive të unilateralizmit militarist. Për Soros, bindjet si “jeni me ne ose ju jeni terroristë”, frikshëm i ngjajnë retorikës së nazistëve dhe sovjetikëve, të cilat ai shpreson se i ka lënë pas në Evropë. Mjaft me zgjuarsi, Soros ka frikë se Bush do të zhytet në një “gjendje lufte të përhershme” të karakterizuar nga ndërhyrje të huaja dhe shtypje shtëpiake. Prandaj, presidenti nuk është vetëm një kërcënim për paqen botërore, por edhe për vetë idenë e një shoqërie të hapur. 
Pavarësisht kësaj, Sorosi është i sigurt se “ideologjia ekstremiste” e Bushit nuk korrespondon me “besimet dhe vlerat e shumicës së amerikanëve” dhe pret fitoren e Xhon Kerrit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004. Sipas parashikimeve të Sorosit, fitorja e Kerrit do të sillte “një rishikim tërësor të rolit të Amerikës në botë”, i cili do t’i detyronte qytetarët që të refuzonin unilateralizmin dhe të pranonin bashkëpunimin ndërkombëtar. 

Megjithatë, Kerri nuk i fitoi zgjedhjet, gjë që e detyroi filantropin të dyshojë së pari për mendjemprehtësinë politike të amerikanëve të zakonshëm. Pas zgjedhjeve të vitit 2004, Sorosi kaloi si diçka ngjashëm me krizën e besimit. Në librin e tij Mosha e mëkatit, në vitin 2006, Sorosi ia atribuoi rizgjedhjen Bushit faktit se “Shtetet e Bashkuara janë një shoqëri e ndjenjës së mirë që nuk janë të gatshëm të përballen me realitetin e vështirë”. Amerikanët, thotë Sorosi, më shumë do të kishin dashur të jenë “seriozisht të mashtruar nga administrata e Bushit” sesa të përballet direkt me dështimet e Afganistanit, Irakut dhe luftës kundër terrorit. Duke qenë i ndikuar nga fundamentalizmi i tregut dhe nga obsesioni i saj me “sukses”, vazhdon Soros, amerikanët janë të gatshëm të pranojnë pretendimet e politikanëve se kombi mund të dalë si fitues në diçka absurde, siç është lufta kundër terrorit. 

Fitorja e Bushit e bind Sorosin se SHBA-të do të mbijetojnë si një shoqëri e hapur vetëm nëse amerikanët fillojnë të kuptojnë se “e vërteta është e rëndësishme”; përndryshe, ata do të vazhdojnë të mbështesin luftën kundër terrorit dhe tmerret që lidhen me të. Megjithatë, mbetet e paqartë se si Sorosi mund të ndryshojë mendjen e amerikanëve. 

Kriza financiare në 2007-2008 inkurajon Sorosin që të përqendrohet përsëri në ekonomi. Kolapsi nuk e habit atë; ai mendon se kjo është një pasojë e parashikueshme e fundamentalizmit të tregut. Përkundrazi, kolapsi e bind se bota  do të jetë dëshmitare, siç është shkruar në librin e tij të vitit 2008 Paradigma e re e tregjeve financiare “fundi i një periudhe të gjatë stabiliteti relativ në bazë të statusit të SHBA-ve si forcë dominuese dhe dollari si monedha kryesore rezervë ndërkombëtare”. 

Duke pritur rënien e Amerikës, Soros ka kthyer shpresat e tij për një shoqëri globale të hapur ndaj Bashkimit Evropian, pavarësisht nga zemërimi i tij i mëparshëm për dështimin e anëtarëve të Bashkësisë  plotësisht për të pranuar Evropën Lindore në vitet 1990. Ndërkohë që pranon se Bashkimi Evropian ka probleme serioze, megjithatë është një organizatë e kombeve që “kanë rënë dakord të heqin dorë nga sovraniteti i tyre” vullnetarisht për të mirën e përbashkët evropiane. Prandaj Bashkimi ofron një model rajonal për një rend botëror të bazuar në parimet e një shoqërie të hapur. 

Sidoqoftë, shpresat e Sorosit për  BE-në shpejt u shkatërruar nga tre krizat që prishën stabilitetin e Bashkimit: thellimi i recesionit ndërkombëtar; kriza e refugjatëve; dhe sulmi hakmarrës i Vladimir Putinit kundër normave dhe të drejtës ndërkombëtare. Megjithëse Soros beson se vendet perëndimore mund të lehtësojnë këto kriza teorikisht, ai arrin në përfundimin se, në dështimet e përsëritura nga periudha post-sovjetike, nuk ka gjasa që ata të bashkojnë forcat për ta bërë këtë. Për 10-të vitet e fundit, Soros është i zhgënjyer me faktin se Perëndimi refuzon të falë borxhin Greqisë; nuk arriti të zhvilloj një politikë të përbashkët për refugjatët; dhe nuk konsideron opsionin për sanksione në rritje ndaj Rusisë nëpërmjet ndihmës materiale dhe financiare për Ukrainën që janë të nevojshme për të mbrojtur aneksimin e Krimesë në vitin 2014 nga Putini. Përveç kësaj, ai shqetësohet nga fakti se shumë vende të BE-së, nga Mbretëria e Bashkuar deri në Poloni po dëshmojnë ri-shfaqjen e etno-nacionalizmit të krahut të djathtë që mendohet se është kapërcyer në histori. Pasi Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi në 2016, ai u bind se “shpërbërja e BE-së është një proces pothuajse i pakthyeshëm”. BE nuk arriti të ishte modeli që Sorosi shpresonte të ishte.

Kryeministri Viktor Orban në parlamentin hungarez gjatë votimit të ligjeve anti-emigruese “Stop Soros” që i propozoi ai
Fotografia: Tomash Kosazh / Reuters

Sorosi personalisht e ka provuar autoritarizmin e motivuar me motive racore që kërcënon jo vetëm BE-në në dekadën e fundit, por demokracinë në Evropë në përgjithësi. Që nga viti 2010, filantropisti ka qenë në konflikt të përhershëm me Viktor Orbanin, kryeministrin autokratik të Hungarisë, i cili është kundër emigrantëve. Kohëve të fundit Sorosi e akuzoi Orbanin se “tenton përsëri të sjell  pseudo demokraci që dominoi [në Hungari] në periudhën ndërmjet Lutës së parë dhe të dytë botërore”. Në fushatën e tij të suksesshme për ri-zgjedhje këtë vit, Orban kaloi pjesën më të madhe të kohës duke demonizuar Sorosin duke përdorur ndjenjat antisemitike dhe duke argumentuar se Sorosi fshehurazi po bën komplot për të dërguar miliona emigrantë në Hungari. Orbani kërcënoi gjithashtu se do të mbyllë Universitetin e Evropës Qendrore, të cilin qeveria e tij e quajti “Universiteti Soros” dhe në muajin e kaluar parlamenti miratoi ligje të reja anti-imigracioni të njohura si “Stop Soros”.

Përderisa Orbani është një kërcënim për shoqërinë e hapur në Hungari, Donald Trump është një kërcënim i qartë për shoqërinë  e hapur kudo. Fitoren zgjedhore të Trump-it, Sorosi, i atribuon efekteve të dëmshme të fondamentalizmit të tregut dhe recesionit të madh në shoqërinë amerikane. Në kolumnën e tij autoriale të publikuar në dhjetor 2016, Sorosi argumenton se amerikanët votuan për Trump-in, një “mashtrues dhe diktator në ngritje”, sepse “liderët e zgjedhur nuk arritën të përmbushnin pritjet e ligjshme dhe aspiratat e votuesve [dhe] për shkak të dështimit të tillë trupat votues janë të zhgënjyer me versionet dominuese të demokracisë dhe kapitalizmit”.

Në vend të shpërndarjes së drejtë të pasurisë së krijuar nga globalizimi, thotë Soros, “fituesit” e kapitalizmit nuk arrijnë të “kompensojnë humbësit”, duke çuar në një rritje dramatike të pabarazisë në shtëpi dhe zemërimit në rritje.  Megjithëse Soros beson se “kushtetuta dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara … janë mjaft të forta për t’u rezistuar ekseseve të ekzekutivit”, ai është i shqetësuar se Trump mund të formojë aleanca me Putinin, Orbanin dhe liderët e tjerë autoritarë, dhe kështu duke e bërë pothuajse të pamundur të ndërtojmë një shoqëri globale të hapur. Është e qartë se projekti i tij ngec në Hungari, Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të tjera të botës ku Soros investoi vëmendje dhe investime.

Rruga përpara Sorosit është e paqartë. Nga njëra anë, disa nga veprimet e tij të fundit sugjerojnë se ai u kthye në të majtën, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në të drejtën penale dhe ndihma për refugjatët. Kohët e fundit ka themeluar një fond për të mbështetur fushatën e Lari Krasner, një prokuror radikal publik nga Filadelfia dhe mbështeti kandidaturën e tre prokurorëve publikë në Kaliforni të cilët janë të angazhuar për reformimin e prokurorisë. Përveç kësaj, ai investoi 500 milion dollar për lehtësim të krizës globale të refugjatëve.

Nga ana tjetër, një pjesë e sjelljes së tij tregon se Sorosi mbetet i angazhuar për Partinë Demokratike tradicionale, e cila është e dobët për t’i zgjidhur problemet që përcaktojnë momentin aktual të krizës. Gjatë garës parësore presidenciale midis kandidatëve demokrat në vitin 2016, ai ishte një mbështetës i zellshëm i Hillari Klintonit. Por, kohëve të fundit dërgoi kritika serioze në llogari të kandidatit të mundshëm demokrat për president Kirsten Xhillibrend për shkak të thirrjeve të saj për dorëheqjen e Al Franken mbi ngacmimin seksual të radio moderatores Lien Tuiden. Nëse Soros vazhdon të financojë projekte vërtet progresive, ai do të japë një kontribut të rëndësishëm në një shoqëri të hapur, por nëse vendos të mbrojë demokratët banalë, ai do të kontribuojë në degradimin e vazhdueshëm të jetës publike në Amerikë. 

Në karrierën e tij, Soros ka bërë një numër ndërhyrjesh të zgjuara dhe emocionuese. Nga një perspektivë demokratike, aftësia e këtij njeriu të pasur për të ndikuar në çështjet publike vetë është katastrofike. Vetë Soros pranon se “në rastin më të mirë, lidhja midis kapitalizmit dhe demokracisë është shumë e hollë”. Problemi për miliarderët si ai është se çfarë do të bëjnë ata me këtë informacion. Shoqëria e hapur nënkupton një botë ku të gjithë e njohin humanizmin e të tjerëve dhe i trajtojnë si të barabartë. Nëse shumica e njerëzve po luftojnë me dëshpërim për copat e fundit të tortës që po zvogëlohet vazhdimisht, është e vështirë të imagjinohet se si mund të ndërtojmë botën në të cilën Soros, por edhe shumë prej nesh, dëshirojnë të jetojnë. Aktualisht, ëndrrat kozmopolite të Sorosit mbeten pikërisht ato – ëndrra. Pyetja është pse dhe përgjigjja mund të jetë se një shoqëri e hapur është e mundur vetëm në një botë ku askush – as edhe Soros, Gates, DeVos, Zuckerberg, Buffett, Musk ose  Bezos – nuk mund të bëhen aq të pasur sa ai.


Një version më i gjatë i këtij artikulli së pari u botua në nplusonemag.com

Burimi: The Guardian (https://www.theguardian.com/news/2018/jul/06/the-george-soros-philosophy-and-its-fatal-flaw)

—————————————————

22 Prill 2019