Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Për një njeri që për çdo ditë përballet me sulme për shkak të aktivizmit të tij dhe për vizionin liberal për botën, Xhorxh Sorosi kishte disponim jashtëzakonisht të mirë atë pasdite me diell në Marakesh. Më parë, ai e kishte vizituar Afrikën e Jugut, vendi në të cilin Sorosi i bëri hapat e parë në punën filantropike në fund të viteve të 70-ta, duke i financuar studentët zezakë gjatë kohës së aparteidit. Gjatë kësaj vizite, ai mësoi se mediat hulumtuese dhe organizatat qytetare të financuara nga Sorosi në fakt kanë ndihmuar në pengimin e marrëveshjes së dyshuar të korruptuar për një central të energjisë bërthamore me Rusinë.

“Kjo informatë paraqet një nxitje të madhe, që edhe më shumë e forcon besimin tim se bëjmë diçka të drejtë”, thotë zotëri Sorosi. “Nuk u ndalëm së ushtruari një ndikim të dobishëm”.

Megjithatë, ushtrimi i ndikimit i vjen me një çmim të lartë të paprecedent për babanë 88-vjeçar të industrisë me fondet hexh (hedge fund) dhe njërin nga filantropët më të shquar në botë. Nga vendlindja e tij Hungaria, e deri te atdheun i tij i zgjedhur Amerika, forcat e nacionalizmit dhe populizmit luftojnë kundër rendit demokratik që ai e mbështet pa pushim. Njeriu që dikur e përshkruanin si i vetmi person privat me politikën e tij të jashtme, duhet të konkurrojë me ngritjen e njerëzve të ndryshëm të fuqishëm anembanë botës, si dhe me reagimin kthyes keqdashës të dizajnuar për ta delegjitimuar atë.

Zgjedhja e personalitetit të vitit që e bën “The Financial Times”, zakonisht paraqet pasqyrë të arritjeve të mbajtësit të këtij titulli. Këtë vit, në rastin e z. Sorosit, zgjedhja për personalitet të vitit njësoj ka të bëjë edhe me vlerat që ai i përfaqëson.

Ai është ithtar i demokracisë liberale dhe i shoqërisë së hapur. Këto janë idetë që triumfuan në Luftën e Ftohtë. Sot, ato janë nën një sulm të ashpër nga të gjitha anët, nga Rusia nën udhëheqjen e Vlladimir Putinit, e deri te Amerika nën udhëheqjen e Donald Tramp-it.

Për më shumë se tre dekada, zotëri Sorosi e shfrytëzon punën filantropike për ta luftuar autoritarizmin, racizmin dhe intolerancën. Përmes angazhimit të tij shumëvjeçar për transparencë, liri të medieve dhe të drejtat e njeriut, ai i zemëroi regjimet autoritare dhe, gjithnjë e më shumë, populistët nacionalistë që vazhdojnë të përhapen, veçanërisht në Evropë.

“Ata më akuzojnë për gjithçka, madje thonë se jam antikrishti”, thotë z. Sorosi me tallje. “Do të kisha dashur të mos kem aq shumë armiq, por këtë e kuptoj si një tregues se me siguri jam duke bërë diçka të drejtë”.

Në qarkullim ka aq shumë teori konspirative anti-semite kundër z. Sorosit, sa që po bëhet gjithnjë e më e vështirë të ndiqen të gjitha. Nuk kalon një ditë pa ndonjë deklaratë, tuit (tweet) ose fotografi në të cilën ai nuk është portretizuar si manipuluesi kryesor i politikës globale. 

Helmi, i cili prej kohësh ka qenë karakteristikë e rrjeteve të ekstremit të djathtë, tani po bëhet pjesë e rrjedhave kryesore shoqërore. Z. Trump, i cili nuk e duron mbështetjen e demokratëve nga z. Soros, bëri plasoi pretendime publike se ai e ka financuar karvanin me emigrantë nga Amerika e Mesme, pohime këto që si duket pjesërisht e nxitën sulmin ndaj sinagogës “Pema e jetës” në Pitsburg në tetor të këtij viti.

Në fillim të tetorit, z. Soros ishte njeriu i parë i një grupi më të madh kritikësh të Trumpit, që ishte cak i një sulmi me pajisje shpërthyese të dërguar në shtëpinë e tij në zonën periferike të Nju Jorkut. “Unë isha vizatuar si djall. Fakti që ekstremistët janë të motivuar të vrasin për shkak të teorive të rreme të komplotit, më lëndon thellë” – thotë zotëri Soros.

Në anën tjetër të Oqeanit Atlantik, kryeministri hungarez Viktor Orban – i cili dikur ka qenë shfrytëzues i grantit për arsim nga Sorosi – e përdori miliarderin si instrument kryesor në fushatën e tij zgjedhore, me akuza të rreme se ai është truri kryesor pas planeve të BE-së për ta vërshuar kontinentin me emigrantë. Partia politike e zotit Orban vendosi bilborde me fytyrën e Sorosit, për të cilat kritikët thonë se u ngjajnë posterëve nazistë me “hebreun me buzëqeshje të ligë”. Këtë muaj, Universiteti i Evropës Qendrore, i themeluar në Budapest nga z. Soros në vitin 1991, deklaroi zyrtarisht se është “i detyruar” të zhvendosë disa programe studimore në Vjenë, që përshkruhet si “dita e errët për Evropën dhe dita e errët për Hungarinë”. 

Edhe në Britani, vendi ku z. Soros mbaroi studimet e tij dhe ku posedon pasuri të patundshme, ai njihet si njeriu që “e theu Bankën e Anglisë” me spekulimin e të bursës kundër funtës në vitin 1992. Dekada më vonë, ai është i urryer për kundërshtimin e tij ndaj Bregzitit dhe për shkak të mbështetjes financiare që ia jep grupit “Best for Britain”, i cili angazhohet për mbajtjen e një referendumi të dytë për anëtarësimin në BE. “Facebook”-u gjithashtu hyri në një fushatë dezinformuese, duke porositur një hulumtim i cili u përpoq ta diskreditojë miliarderin. Sheril Sandberg, drejtorja kryesore financiare e “Facebook”-ut, dyshonte se ai e ka ulur vlerën e aksioneve të “Facebook”-ut pasi e ka sulmuar këtë rrjet social në kuadër të fjalimit të mbajtur gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos. 
Z. Soros duket i qëndrueshëm, e madje edhe më energjik për shkak të sulmeve të këtilla. Një konsumator i pangopur i informatave, i cili në të njëjtën kohë është një dëgjues i kujdesshëm, ai është në gjendje të mendimit, duke u përpjekur të kuptojë rendin e ri botëror. Me shumë modesti, veten e quan “filozof i dështuar”.

“Në vitet e hershme të punës sonë, historia ishte në anën tonë. Ato ishin kohë kur shoqëritë e hapura ishin shumë të suksesshme dhe ne u përhapëm anembanë botës” – thotë ai për dekadat e fundit. “Por, historia e ndryshoi drejtimin e lëvizjes. Pikërisht ky është problemi që po përpiqem ta kuptoj. Që çoi në zgjerimin e shoqërive të mbyllura”. 

Z. Soros ka shumë shtëpi, por gazetarja e “The Financial Times” u takua me të në Marakesh, ku gjendet aktualisht në një konferencë. Ai është ulur në kopshtin e pasmë, nën pemë portokalli, në hotelin luksoz “La Mamunia”. I veshur në mënyrë joformale me një triko me vija të kaltra, u kërkon vizitorëve të tij flasin në mikrofon pasi ai ka probleme me dëgjimin. Në anglisht me theks hungarez, bën shaka se ai është njeriu me veshët e artë, duke iu referuar pajisjeve të tij ndihmëse të dëgjimit të veshura me ar. Edhe pse ankohet se i harron gjërat, ai me humor thotë se “më kujtohet vetëm e ardhmja”, megjithatë mbetet mendjemprehtë dhe i njoftuar mirë me të gjitha detajet.

Kritikët e zotit Soros i theksojnë kundërthëniet e papajtueshme në mes tyre të karakterit të tij, si për shembull se pasurinë e ka fituar si një spekulues i pamëshirshëm i tregut të aksioneve, se ka pak respekt për pasojat e veprimeve të tij të mëdha në tregut e aksioneve, mirëpo se pasurinë e tij e shpërndan më energji mesianike. Në filantropinë e tij ata e identifikojnë ndjenjën e fajit të shtypur. Megjithatë, ata që e njohin mirë thonë se rebelimi i njëjtë dhe toleranca e lartë e rrezikut është pjesë e të gjitha arritjeve të saj, pavarësisht se a bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve ose punën filantropike.

“Rrënjët e asaj se kush është ai si njeri qëndrojnë në traumën e viteve të adoleshencës të kaluara nën regjimin nazist dhe fashist, si një hebre që e ka fshehur kombësinë e tij dhe i cili, në moshën kur u formua si njeri, ka qenë dëshmitar i instinkteve dhe sjelljet më të errëta të njerëzimit” – thotë Leon Botshtajn, president i Kolegjit Bard, një shkollë e vogël amerikane e arteve liberale dhe bashkëpunëtor i tij shumëvjeçar. 

I lindur në një familje çifute në Hungari, zotëri Sorosi ishte vetëm 14 vjeç kur nazistët e pushtuan atdheun e tij në vitin 1944. Ai e mbijetoi okupimin që ua mori jetën 500,000 çifutëve me atë që me vete ka pasur duke të rreme të identifikimit. Nën udhëheqjen e babait të tij të shkathët, Tivadar, i cili ishte avokat, familja u nda, ndërsa Xhorxh i ri u dërgua për të jetuar me një oficer bujqësor, duke pretenduar se ishte kumbari i tij. Xhorxhin e ka shoqëruar oficeri gjatë vizitave të tij për mbajtjen e inventarit të pasurisë së konfiskuar nga çifutëve, përvojë që ishte përtej kontrollit të tij, por që më vonë do ta ndjekë atë, pasi u bë bazë e pohimeve të ndyra se ai ka bashkëpunuar me nazistët.

Ajo që ka lënë gjurmë më të mëdha mbi zotin Soros është një ngjarje e mëparshme, kur iu kërkua nga një këshill çifut të dorëzojë urdhra për dëbimit te avokatët. “Një avokat më tregoi se ai gjithmonë ka qenë një qytetar që e respekton ligjin … dhe për këtë arsye asgjë nuk mund t’i ndodhë nëse e respekton rendin” – thotë ai. “Kjo më la përshtypje të madhe. Kuptova se mund të ketë ligje të padrejta që i respekton në dëm tëndin.” 


Vetëm atëherë kur komunistët e konsoliduan pushtetin e tyre në Hungari, zotëri Soros, i cili atëherë ishte 17 vjeç, vendosi të largohet nga vendi. Ai shkoi në Londër, ku punoi si rojtar dhe kamerier. Edhe pse në fillim ai ndihej shumë i padëshiruar, Britania i dha atij një pozitë fillestare në jetë. Përderisa studionte në Shkollën Ekonomike të Londrës, ai ra nën ndikimin intelektual të Karl Poperit dhe ideja e tij se vetëm shoqëritë e hapura, demokratike mund të kenë sukses. Më vonë, këto ide do të bëhen bazë e punës së tij filantropike.

I udhëhequr nga shpirti konkurrues që ia mbolli babai i tij, i cili i ka inkurajuar djemtë e tij te merren me sport (ai ende luan në tenis), në vitet 50-ta, zotëri Soros u nis për të punuar në Wall Street, si tregtar burse me valuta, ku në fund e formoi Kuantum fondin e tij dhe u bë një nga spekulantët më të suksesshëm të bursave në botë. “Mënyra se si depërtova për të bërë para është si rezultat i asaj se isha po aq kritik ndaj vendimeve të mia se edhe për sistemin” – shpjegon ai. “U largova nga pozitat e bursave që nuk funksiononin, i kapitalizova fitoret e mia, dhe në përgjithësi isha i pari që blen dhe i pari që shet”. 

Megjithatë, ai u ngrit në skenën ndërkombëtare pas manipulimit famëkeq të vitit 1992 të kundër funtës britanike, që e detyroi Mbretërinë e Bashkuar të tërhiqet nga Mekanizmi evropian për këmbim valutor në të “mërkurën e zezë” të njohur. Pozicioni i shkurtër që e ndërtoi në bursë i solli fitim me vlerë prej më shumë se 1 miliardë dollarë. 

Në atë kohë, ai kishte zhvilluar miqësi të ngushta dhe mbështeti financiarisht disidentë nga blloku lindor për më shumë se një dekadë, ndërsa Fondacionin e parë i Shoqëria e hapur e ka themeluar në Hungari në vitin 1984. Ndër përfituesit e parë të mbështetjes së tij ishte edhe një grup studentor i udhëhequr nga Z. Orban. Rënia e Murit të Berlinit solli një shtysë të re për avancimin e agjendës së tij liberale, ndërsa kur propozimi i tij për një plan të Marshallit për vendet e Evropës Lindore u përqesh, ai filloi ta zbatojë planin me mjete private. Për shembull, në vitin 1992, ai krijoi një program me vlerë prej 100 milionë dollarësh për t’i paguar rrogat e studiuesve nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe vendet baltike, si dhe për të shpërndarë revista shkencore në biblioteka. 

Ashtu siç Lufta e Ftohtë e humbi intensitetin e saj, zotëri Sorosi filloi ta zgjeronte rrjetin e aktiviteteve të tij, duke mbështetur një sërë çështjesh, nga migrimi deri te politika e drogës, dhe duke u angazhuar për t’i dhënë fund diskriminimit kundër romëve në Evropë, e prej para do kohësh, edhe kundër rohingëve në Mjanmar, ku një vizitë disa vite më parë ia ka kthyer kujtimet e persekutimit të tij në fëmijëri. Sot, megjithëse është cak i një fushate intensive për njollosje të tij, ai ka në mendje qëllime të reja. Si një çifut që nuk e praktikon fenë e tij dhe që thotë se njeriu e ka krijuar Zotin sipas pamjes së tij dhe jo e kundërta, ai po konsideron një angazhim më aktiv në Izrael ku është i zhgënjyer nga ligji kundërthënës, i cili përcakton se vetëm çifutët kanë të drejtën e vetëvendosjes në shtet.

“Xhorxhi vazhdimisht angazhohet për ndryshime sociale, por në vend të jelekut të verdhë [si protestuesit në Francë] dhe çizme të punëtorëve, ai mban një libër me çeqe dhe agjendë liberale, dhe kurrë nuk heq dorë”, thotë Mark Maloh Braun, ish-funksionar britanik dhe njëri nga miqtë më të vjetër të zotit Soros. “Ai nuk është përkrahës i teorisë së Kisinxherit për ndryshimin e botës prej lartë poshtë. Përkundrazi, ai është ithtar i idesë se nëse u jepni mjete fillestare njerëzve me ide të fuqishme, dhe nëse jeni me fat, atëherë ato ide do të zhvillohen më tej dhe do ta ndryshojnë botën.”

Z. Soros thotë se kurrë nuk ka menduar të kandidojë në zgjedhje dhe ata që e njohin pajtohen se ai nuk do të ishte i mirë në kryerjen e funksionit publik. Impulsiv dhe i prirë ndaj ndryshimeve të papritura të mendimit, ai është një njeri me ide të gjera dhe rezistent ndaj “sjelljes burokratike”, siç thotë z. Maloh Braun. Megjithatë, ai u përfshi në debatet që i polarizojnë shoqëritë perëndimore, dhe kështu iu ekspozua kritikave për ushtrim të ndikimit politik.

Si një nga donatorët më të mëdhenj në fushatën presidenciale të Hillari Klintonit që nga viti 2016, z. Sorosi u befasua nga zgjedhja e z. Tramp (ai gjithashtu gabimisht parashikoi se bursa do të binte në prag të fitores zgjedhore të Trampit). Për shumë vite, ai nuk pajtohet me mënyrën se si punon z. Tramp, ndërsa një herë madje edhe e hodhi poshtë ofertën për hapësirë zyre në njërën nga ndërtesat e Trampit, por është i bindur se Trampi është një fenomen që shpejt do të kalojë: “Ai [Trampi] është armiku më i madh i vetvetes, ai është një narcis që dëshiron që bota të rrotullohet rreth tij dhe që ka arritur më shumë se ç’ka mundur të shpresojë ndonjëherë”.

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, z. Soros planifikon të mbetet neutral gjatë zgjedhjeve primare brenda partisë politike dhe ta mbështesë kandidatin që do të dalë prej tyre si kundërshtar i zotit Tramp nga kampi i demokratëve. Tani, fondacioni i tij është përfshirë në një aksion që ai e konsideron të rëndësishëm zbatimin e regjistrimit të drejtë të popullsisë në vitin 2020, që do të mund ta zgjidhte problemin e përfaqësimit të pamjaftueshëm të pakicave.

Sipas z. Soros, bota është në një gjendje trazirash revolucionare. Por, ai nuk e humb shpresën, madje as për Britaninë, ku ai është i inkurajuar nga gjasat për mbajtjen e referendumit të dytë për Bregzitin. Një votim tjetër, thotë ai, që duhet të fitohet me një dallim të konsiderueshëm votash, sepse Britania duhet të mbetet në BE për shkak të bindjes, e jo për shkak të llogaritjeve të thjeshta ekonomike.

Ai ende është një ithtar i fuqishëm i projektit evropian, por gjithashtu flet me zë të lartë edhe për mangësitë e tij. Në njëfarë mënyre, BE-ja ia përkujton ditët e fundit para rënies së Bashkimit Sovjetik, për shkak të faktit se burokracia e Brukselit nuk arrin të kuptojë se po e humb betejën. “BE-ja u ndërtua nga vizionarë që i njihnin dobësitë e asaj që po bënin, por kishin arsye të besonin se kur të vijë momenti, do të ketë vullnet të mjaftueshëm politik për hapin tjetër përpara.” Tani, thotë ai, BE-ja është në duart e juristëve kushtetutës, “të cilët gjejnë boshllëqe ligjore për t’i përfunduar gjërat, dhe për këtë arsye gjërat që duhet të jenë të thjeshta bëhen shumë të ndërlikuara”. 

Në muzgun e jetës së tij, zoti Soros shikon përtej trashëgimisë së tij mbresëlënëse. Megjithëse, fillimisht kishte planifikuar që fondacioni i tij të punojë gjatë jetës së tij, vitin e kaluar ai transferoi 18 miliardë dollarë nga kompania e tij familjare në Fondacionet Shoqëri e Hapur. Sipas revistës Forbs, ky transaksion e zvogëloi pasurinë e tij personale në 8 miliardë dollarë, por garanton se aktivizmi i tij do të vazhdojë të jetojë edhe pas tij. Gjithashtu, ai tashmë e ka gjetur tashmë trashëgimtarin e filantropisë së tij, e ai është djali i tij Aleksandri. “Ne luftojmë për parime; ne luftojmë pa marrë parasysh rezultatin, pa marrë parasysh se a humbim apo e fitojmë”, thotë ai. Dhe pastaj ai shton: “Megjithatë, nuk më pëlqen fakti që humb aq shpesh”. 

Xhorxh Soros
Nga biri i një avokati deri në udhëheqës të mendimit liberal

1930: Soros lindi në Budapest, Hungari

1947: Ai u zhvendos në Londër dhe studioi në Shkollën Ekonomike të Londrës

1956: Emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

1969: E themeloi hexh-fondin e tij “Soros Fund Management”. 

1973: E themeloi subjektin e investimeve “Quantum fond”.

1979: Soros përdori një pjesë të pasurisë së tij që e kishte fituar nga hexh-fondi i tij për qëllime filantropike. Iniciativat e tij të para ofrojnë bursa për studime jashtë vendit për studentët e zinj nga Afrika e Jugut dhe disidentët nga Evropa Lindore.

1991: E themeloi Universitetin e Evropës Qendrore (UEQ) me qëllim të promovimit të demokracisë në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik. Fillimisht, UEQ u formua në Pragë, por në vitin 1993 u transferua në Budapest. 

1993: E themeloi Fondacionin Shoqëri e Hapur. Deri më sot, ai i ka dhuruar Fondacionit 32 miliardë dollarë nga pasuria e tij personale, i cili funksionon në më shumë se 100 vende dhe e mbështet demokracinë, transparencën dhe lirinë e shprehjes. 

2011: Subjekti i investimeve “Quantum Fund” u mbyll për anëtarët që nuk janë pjesë e familjes dhe ua ktheu paratë investitorëve. 

2018: Në nëntor, Fondacioni Shoqëri e Hapur e akuzoi “Facebook”-un për përhapjen e informatave të gabuara dhe urrejtjes pas artikullit të botuar në “New York Times” se rrjeti social është i përfshirë në fushatën për njollosjen e Sorosit.

Në dhjetor, UEQ konfirmoi se nga shtatori i vitit të ardhshëm do t’i zhvendosë programet studimore të akredituara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Vjenë, pas miratimit të ligjit të ri nga ana e qeverisë hungareze. 

Karolin Grejdi


Tekstin origjinal të “The Financial Times” mund ta gjeni këtu.
Autore: Rula Kallaf
Foto: Rojters

—————————————————

18 Prill 2019