Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

XHORXH SOROS, 18 nëntor 2020.

NJU JORK – Hungaria dhe Polonia kanë vënë veton për buxhetin shtatë-vjeçar të propozuar të Bashkimit Evropian në vlerë prej 1.15 trilionë euro (1.4 trilionë dollarë) dhe për Fondin Evropian të Rimëkëmbjes në vlerë prej 750 miliardë euro. Megjithëse të dy vendet janë përfituesit më të mëdhenj të buxhetit, qeveritë e tyre e kundërshtojnë fuqimisht kushtëzimin e sundimit të ligjit, të cilin BE-ja e miratoi me kërkesë të Parlamentit Evropian. Ata e dinë se e shkelin paturpësisht sundimin e ligjit, por nuk duan t’i paguajnë pasojat.

Kryeministri hungarez Viktor Orban dhe – në një masë më të vogël – sundimtari de facto i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, nuk janë aq kundër një koncepti abstrakt siç është sundimit i ligjit. Për ta, sundimi i ligjit është një pengesë praktike për korrupsionin personal dhe politik. Vetoja është një lojë bixhozi e dëshpëruar nga dy shkelës serialë.

Është gjithashtu një hap i pashembullt që vjen në një kohë kur Evropa vuan nga një rritje e rrezikshme e rasteve të KOVID-19, dhe i cili ka hutuar plotësisht përfaqësuesit e vendeve të tjera të BE-së. Megjithatë, kur shoku të qetësohet, analiza më e afërt tregon se ekziston një mënyrë për të anashkaluar veton.

Rregulloret e sundimit të ligjit janë miratuar tashmë. Në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje për buxhetin e ri, buxheti i vjetër – i cili skadon në fund të vitit 2020 – vazhdohet në bazë vjetore. Hungaria dhe Polonia nuk do të marrin asnjë pagesë nga ky buxhet sepse e shkelin parimin e sundimit të ligjit.

Në mënyrë të ngjashme, Fond i rikuperimit, i quajtur “Brezi i Ri e BE-së” mund të zbatohet përmes procedurës së bashkëpunimit të zgjeruar, siç propozoi Guy Verhovstadt. Nëse BE-ja e zgjedh këtë rrugë, vetoja e Orbanit dhe Kaczynskit mund të anashkalohet. Pyetja është nëse BE-ja, me Kancelaren gjermane Angela Merkel si një udhëheqëse e mundshme, mund të gjejë vullnetin politik për ta bërë këtë.

Unë jam një përkrahës i përkushtuar i BE-së si një model i një shoqërie të hapur të ndërtuar mbi sundimin e ligjit. Si një hungarez me origjinë hebraike, unë jam veçanërisht i shqetësuar për situatën në Hungari, ku unë kam qenë aktiv si filantrop për më shumë se 30 vjet.

Në Hungari, Orbani ndërtoi një sistem të hollësishëm kleptokratik për të plaçkitur plotësisht vendin. Shuma e fondeve me të cilat ai e pasuroi familjen e tij dhe miqtë vështirë se mund të vlerësohet, por shumë prej tyre janë bërë jashtëzakonisht të pasur. Tani, Orbani e përdor valën e re të KOVID-19 për ta ndryshuar kushtetutën hungareze dhe ligjin zgjedhor (përsëri), dhe për pozicionimin e tij si një kryeministër i përjetshëm përmes përdorimit të mekanizmave kushtetues. Kjo është një tragjedi për popullin hungarez.

Më lejoni të jap disa shembuj se si Orbani e vjedh popullin hungarez. Ai transferoi shuma të mëdha fondesh publike në një numër fondacionesh private të cilat ai i kontrollon personalisht. Përmes një hileje të zgjuar kushtetuese, Orban tani po i transferon këto fonde vazhdimisht jashtë domenit publik. Një shumicë prej dy të tretave në parlament është e nevojshme për t’ia kthyer këto fonde popullit hungarez. Shumat e përfshira në këtë aktivitet arrijnë pothuajse 2.8 miliardë dollarë.

Përmes një sërë transaksionesh mashtruese, ndërmarrje të afërta me Orbanin blenë më shumë se 16.000 respiratorë në emër të Hungarisë, me vlerë prej gati se 1 miliard dollarë, që e tejkalon numrin e shtretërve të kujdesit intensiv dhe personelin mjekësor që di t’i punojë me to. Një analizë e të dhënave të tregtisë ndërkombëtare tregon se, brenda BE-së, Hungaria pagoi çmimin më të lartë për respiratorë nga Kina, me ç’rast në një moment ka paguar çmim 50 herë më të shtrenjtë se Gjermania.

Një nga këto kompani siguroi gjithashtu një porosi nga Sllovenia, kryeministri i së cilës, Janez Jansha, është një aleat i ngushtë politik i Orbanit. Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) duhet të hetojë nëse BE-ja është mashtruar. Kontrata e paradokohshme për prokurimin e një vaksine ruse, sipas së cilës Hungaria do të jetë vendi i parë evropian që do ta përdorë atë, duhet të hetohet.

Në të njëjtën kohë, Orbani përpiqet t’i shmanget përgjegjësinë për këto veprime dhe po ndërmerr hapa për të parandaluar përsëritjen e zgjedhjeve lokale të vitit 2019, në të cilat partia e tij Fidesz e humbi kontrollin në qeverinë komunale në Budapest dhe në qytete të tjera të mëdha. Ai po bën gjithçka që mundet për të privuar Budapestin nga burimet financiare, duke vënë veton në aplikacionin e qytetit për një kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, e dedikuar për blerjen e pajisjeve të reja për transportin masiv që mundëson distancën sociale. Budapesti tani po përballet me një mungesë prej 290 milion dollarësh në buxhetin e saj për vitin 2021. Kushte të ngjashme janë të pranishme edhe në qytete të tjera, pushtetet lokale të të cilave nuk kontrollohen nga Fidesz.

Partitë e opozitës në Hungari po përpiqen me guxim të kundërshtojnë Orbanin duke formuar lista të përbashkëta të kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2022. Sidoqoftë, shanset e tyre për sukses janë të kufizuara sepse Orbani mund të ndryshojë rregullat në minutën e fundit, siç ka bërë disa herë më parë. Në përputhje me këtë, Orbani planifikon të fusë ndryshime të reja në ligjin zgjedhor në një kohë kur pandemia është e pandalshme, në Budapest është vendosur orë policore, ndërsa ushtria po patrullon rrugëve.

Përveç kësaj, Orbani ka pothuajse kontroll të plotë mbi pjesën rurale të vendit, ku jeton shumica e popullsisë. Ai e kontrollon informacionin që e marrin ata, ndërsa votimin në shumë fshatra nuk është sekret. Praktikisht, nuk ka asnjë mënyrë që opozita të fitojë.

Vetëm BE-ja mund të ndihmojë. Fondet e BE-së, për shembull, duhet t’u drejtohen autoriteteve lokale, ku ka ende një demokraci funksionale në Hungari, në vend që të derdhen në nivel kombëtar.

BE-ja nuk ka mundësi të bëjë kompromise në lidhje me dispozitat e sundimit të ligjit. Përgjigja e saj ndaj sfidës së paraqitur nga Orbani dhe Kaczynski do të përcaktojë nëse BE-ja do të mbijetojë si një shoqëri e hapur, e përkushtuar ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar.

***

Xhorxh Sorosi është kryesues i “Soros Fund Management” dhe i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. Ai është pionier në industrinë e fondeve të investimeve dhe autor i librave të shumtë, të tilla si: Alkimia e financave, Paradigma e re e tregjeve financiare:kriza e kredive e vitit 2008 dhe çfarë do të thotë kjo, dhe Tragjedia e Bashkimit Evropian: shpërbërja apo rindërtimi?Libri i tij i fundit është Në mbrojtje të shoqërisë së hapur (Public Affairs, 2019)

Burimi: Project Syndicate

—————————————————

20 Nëntor 2020