Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Procesi i anëtarësimit në BE vetvetiu kërkon njohje të mirë të strukturës së ndërlikuar institucionale të BE-së nga njëra anë, si dhe të legjislacionit të vendit. Prandaj, është veçanërisht e rëndësishme që institucionet, por edhe shoqëria civile të jenë në nivelin e detyrës kur Republika e Maqedonisë së Veriut do t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian. Në parim, megjithëse anëtarësimi në BE është një proces që është karakteristik dhe që është i ndryshëm për çdo vend kandidat, megjithatë, përvojat rajonale mund të ofrojnë njohuri dhe shembuj që potencialisht mund të kenë zbatim praktik gjatë negociatave. Nga kjo perspektivë, përvojat rajonale meritojnë analiza të hollësishme për të nxjerrë konkluzione që pastaj do ta ndihmonin vendin gjatë negociatave me BE-në.

Përfshirja e shoqërisë civile në procesin e negociatave në fazat e hershme është me rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh faktin se shoqëria civile gjithmonë e ka ndërmend interesin e qytetarëve dhe nëse përfshihet, do të kujdeset që procesi të jetë mundësi për reforma të mirëfillta shoqërore, e jo praktikë e shënimit të detyrave të përmbushura.

Me qëllim që ta rrisim kapacitetin dhe njohuritë e organizatave të shoqërisë civile dhe të administratës publike për procesin e negociatave dhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Fondacion Shoqëri e Hapur – Maqedoni, në partneritet me Institutin për politika evropiane (IPE) nga Berlini dhe Eurothink – Qendra për strategji evropiane nga Shkupi,e organizoi trajnimin e dytë për përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe institucionet. Konkretisht, në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që i ndjekin fushat e Kapitullit 23 (Gjyqësia dhe të Drejtat themelore), si dhe përfaqësues të administratës publike që punojnë në sektorët/njësitë që lidhen me BE-në. Ky trajnim u mbajt në Ohër prej 8 deri më 10 korrik dhe ishte i dedikuar për kornizën negociatore me BE-në dhe këmbimin e përvojës rajonale të vendeve të rajonit që tashmë i kanë filluar negociatat për anëtarësim.

Ligjërues ishin Vlladimir Mexhak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ish-zëvendësdrejtor i zyrës për integrime evropiane në Serbi, Jovana Maroviq – përfaqësuese e Rrjetit Politikon në grupin e punës të Malit të Zi për Kapitullin 23, si dhe Sërgjan Majstoroviq – kryetar i Qendrës evropiane për politika (CEP) nga Beogradi dhe ish-zëvendësdrejtor i Zyrës për Integrime Evropiane të Republikës së Serbisë në rolin e koordinatorit të procesit të negociatave.

Në periudhën e ardhshme do të mbahen trajnime tematike kushtuar edhe fushave të gjyqësisë, luftës kundër korrupsionit, si dhe parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, të cilat janë fusha kryesore të kapitullit 23 në negociatat me Bashkimin Evropian.