Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni beson se investimi në arsimin inkluziv cilësor është parakusht për ndërtimin e një shoqërie të hapur demokratike, dhe e sheh arsimin si promovues kryesor të kohezionit social, ndërsa shkollat si ambiente natyrore në të cilat dallimet etnike, kulturore dhe gjuhësore kuptohen, promovohen dhe vlerësohen si pasuri, vende ku të gjithë studentët duhet të ndihen të mirëseardhur dhe të kenë mundësi për ta arritur potencialin e tyre maksimal për pjesëmarrje, mësim dhe avancim.
Besojmë edhe se arsimtarët janë hallka më e rëndësishme në procesin edukativo-arsimor – ata me njohuritë dhe kompetencat e tyre, por edhe me praktikën dhe qasjet novatore në punë, kontribuojnë për inkurajimin e mendimit kritik, kreativitetit, zbatimit të njohurive të mësuara dhe zhvillimit të kompetencave sociale te nxënësit. Nga ana tjetër, nxënësit të cilët nuk kanë frikë ta thonë mendimin e tyre dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën e shkollës, janë ata që bëhen mendimtarë kritikë dhe qytetarë aktivë në shoqëri. Ne në FSHHM konsiderojmë se mendimi i nxënësve, si faktor më të rëndësishëm në arsim, është i rëndësishëm dhe duhet dëgjuar.
Deri në fund të vitit 2018, Fondacioni publikoi dy thirrje, për nxënësit e shkollave të mesme dhe për arsimtarët. Thirrja për nxënësit e shkollave të mesme ishte në temën “Arsimi im” dhe synonte të dëgjohen mendimet e nxënësve në lidhje me cilësinë e arsimit, si dhe idetë e tyre për përmirësimin e tij. Ndërsa thirrja për arsimtarët “Arsimtarë të suksesshëm për praktika mësimore”, synonte të theksohet roli i rëndësishëm i arsimtarit për zhvillimin e gjithë shoqërisë dhe të promovohet profesioni i mësuesisë si një profesion me një përgjegjësi të madhe për nxitjen e bashkëpunimit, bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe inkluzionit të nxënësve me mundësi të ndryshme, prejardhje të ndryshme etnike, sociale-ekonomike, gjuhësore dhe kulturore.
Në konkurset morën pjesë 39 nxënës të shkollave të mesme dhe 112 arsimtarë nga e gjithë Maqedonia, ndërsa u shpërblyen 11 punime të shkollave të mesme dhe 9 arsimtarë së bashku me shkollat e tyre. Listat e fituesve në dy konkurset mund të gjenden në linket e mëposhtme:
– Nxënësit e shpërblyer të shkollave të mesme
– Arsimtarët dhe shkollat e shpërblyera
Në ngjarjen që do të mbahet më 8 shkurt, të premten, në City Hall, me fillim në orën 11:00, do të kemi nderin që personalisht t’ua ndajmë çmimet nxënësve të shkollave të mesme dhe arsimtarëve fitues, e gjithashtu edhe t’i falënderojmë për pjesëmarrjen dhe mundin e dhënë, veçanërisht për kontributin që e japin për zhvillimin e arsimit në Maqedoni.
Говорници:
– Nxënësit e shkollave të mesme – fitues të çmimeve
– Arsimtarët – fitues të çmimeve
– Fani Karanfillova-Panovska, drejtore ekzekutive e FSHHM-së
– Petar Atanasov, zëvendës-ministër i arsimit dhe shkencës