Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autore: Galla Naseva

Orët policore, izolimi, lëvizja e kufizuar… e gjithë bota i ka zbatuar këto masa për të reduktuar përhapjen e Kovid-19. Por, ato patën edhe një “efekt anësor” serioz. Dhuna me bazë gjinore është rritur kudo gjatë pandemisë së Kovid-19. Më 18 mars 2020 edhe Maqedonia e Veriut shpalli gjendje të jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e shpejtë dhe të paparashikueshme të Kovid-19, dhe gjatë kësaj situate u mbajtën 70 seanca të qeverisë për të marrë masat e duhura për përballimin me sukses të pandemisë. Një kategori e cenueshme nuk ishte përfshirë në masat e Qeverisë, përkatësisht viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Disa media e quajtën “tmerr”, disa “të tmerrshme”, disa “tragjedi”. Mirëpo, të pakta ishin mediat që vitin e kaluar më 10 shtator e quajtën vrasjen në Gostivar me emrin e saktë – “femicid”. Në kuptim të ngushtë, një femicid është vrasja e qëllimshme e një gruaje sepse ajo është grua. Dhe pikërisht kështu ndodhi në Gostivar, kur një 67-vjeçar vrau me sëpatë gruan e tij 60-vjeçare për shkak të “marrëdhënieve të dëmtuara të ndërsjella”.

A ka kërkuar ndihmë viktima më parë? A ka vuajtur prej vitesh dhunë? Deri ku është çështja kundër të akuzuarit vrasës? Në këto përgjigje nuk mund të arrihet tani dhe ne mund të mos i kuptojmë kurrë. Sipas Gjykatës Themelore në Gostivar, publiku është i përjashtuar nga rastet e tilla sepse ato trajtohen si dhunë në familje.

NËSE JENI NË SHTËPI, NUK DO TË THOTË SE JENI I SIGURT

Në mars të vitit 2020 Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se ekziston një rrezik i madh për një rritje serioze të dhunës me bazë gjinore si rezultat i masave për të parandaluar përhapjen e Kovid-19 në nivel global. Përpjekjet fillestare në Republikën e Maqedonisë së Veriut u reduktuan në raportimin nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale te viktimat e dhunës me bazë gjinore, në të cilat ishin shënuar llnjat SOS për denoncimin e dhunës, njoftimin për të informuar për të drejtat e viktimave dhe fushata me video për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në kuadër të krizës së shkaktuar nga pandemia, deklaruan se “MPPS-ja dhe institucionet tjera veprojnë në mënyrë të koordinuar dhe marrin masa konkrete për mbrojtjen e viktimave në përputhje me kompetencat ligjore për veprime urgjente dhe të duhura dhe gjatë orës policore. Profesionistët e qendrave për punë sociale kanë leje për lëvizje të papenguar edhe gjatë orës policore, në mënyrë që viktimat të kenë mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme”.

Dy muaj pas fillimit të gjendjes së jashtëzakonshme në vend, tashmë ishin regjistruar dy femicide, të cilat u kryen brenda dy javësh. Në periudhën pas publikimit të dy vrasjeve, reagimet kanë qenë të ashpra nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, por jo edhe nga institucionet kompetente shtetërore.

Sipas informatave të fundit të marra nga Gjykata Themelore Penale Shkup në mars të vitit 2021, të dyja seancat gjyqësore për veprën penale të femicidit nuk kanë filluar ende, pavarësisht reagimeve të shumta në vitin 2020 nga Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje se nevojitet një reagim i shpejtë nga gjyqësori dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas statistikave të MPB-së, deri në fund të vitit 2020 në Maqedoninë e Veriut kanë ndodhur gjithsej 3 vrasje të grave si pasojë e dhunës në familje. Katër të tjera i mbijetuan tentimit për vrasje. Nga numri i përgjithshëm i vrasjeve dhe i tentativave për dhunë në familje, 90% e autorëve janë meshkuj. Përveç formës më të rëndë të dhunës në familje, policia ka regjistruar edhe 622 viktima me lëndime trupore, prej të cilave 82.8% janë femra dhe 17.3% meshkuj. Autorë të këtyre veprave në 89% të rasteve janë meshkuj dhe vetëm në 11% femra.

Problemi me të dhënat e Ministrisë së Brendshme është se regjistrojnë viktima të dhunës në familje, ndërsa femicidi është i lidhur me gjininë dhe është jashtë martesës apo familjes. Prandaj, mungojnë të dhënat e qarta për numrin e saktë të viktimave të femicideve në vend.

Sipas  Analizës së fundit të Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, në më shumë se 60% të rasteve të analizuara të vrasjeve të grave në Maqedoninë e Veriut, krimi është kryer nga bashkëshorti aktual apo ish-bashkëshorti apo partneri jashtëmartesor me të cilin kanë jetuar në bashkësi. Më shumë se 80% e vrasjeve ndodhin në shtëpinë e përbashkët ose në shtëpinë e prindërve të viktimës, nëse procedura e divorcit kanë filluar.

Bojana Jovanovska, koordinatore e projektit në Komitetin e Helsinkit, e thekson prevalencën e fenomenit të dhunës me bazë gjinore në Maqedoninë e Veriut: “Për këtë kontribuon edhe perceptimi i dhunës si dukuri e zakonshme në mjedisin tonë, gjegjësisht normalizimi i saj. Edhe pse është e padiskutueshme që vitet e fundit janë bërë përpjekje serioze për përmirësimin e situatës për mbrojtjen nga dhuna në vend, ato janë megjithatë të kufizuara në miratimin e zgjidhjeve ligjore, mirëpo zbatimi i tyre ngec.

rekomandimet e rrjetit “Zëri kundër dhunës për përballimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë dhe pas përfundimit të krizës shëndetësore të shkaktuar nga Kovid-19”, janë përmendur faktorët më me ndikim në përkeqësimin e situatës së grave – viktima të dhunës. Gjatë periudhës së Kovid-19, për shkak të pranisë më të shpeshtë fizike të autorëve të dhunës, gratë nuk patën mundësi të telefonojnë linjat e ndihmës SOS. Qendrat për punë sociale punonin me orar të shkurtuar ose nga shtëpia, që do të thotë se në këtë periudhë krize të shkaktuar nga pandemia, viktimave nuk u është ofruar mbrojtje më e madhe me këshillim telefonik, megjithëse ato janë “barriera” e parë e sistemit për ta parandaluar përshkallëzimin dhe mbrojtjen e viktimave. Gjithashtu, janë përmendur edhe frika për të kërkuar kujdes shëndetësor në kushtet e pandemisë kur ka rrezik më të lartë të infektimit me Kovid-19 dhe mos-prioritizimi i këtyre rasteve nga institucionet shëndetësore.

PËRQINDJE E ULËT E RASTEVE TË RAPORTUARA PËR SHKAK TË MOSBESIMIT NË ORGANET GJYQËSORE DHE ATO POLICORE

Problemi i sanksionimit dhe I parandalimit të dhunës në familje dhe me bazë gjinore nuk është i ri. Analiza e të dhënave nga proceset gjyqësore të monitoruara në rastet e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore i Koalicionit “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, në periudhën prill-korrik 2019, ka shfaqur disa fenomene negative. Nga 35 raste të dhunës në familje të konstatuara në mbarë vendin, 22 janë në Shkup, 3 në Gostivar, 8 në Manastir, 1 në Prilep, 1 në Shtip, 1 në Strugë dhe 11 në Kumanovë. Kjo do të thotë se dhuna në familje përfundon në gjykata vetëm në qytetet kryesore, madje edhe atje janë jashtëzakonisht të rralla.

Në periudhën e shkurtër të hulumtimit janë miratuar dhe publikuar 7 aktgjykime. Vetëm në një rast fajtori është dënuar me burg efektiv. Në tre raste sanksioni ka qenë me burgim me kusht, në dy raste është hedhur poshtë akuza dhe në një rast sanksioni i shqiptuar ka qenë gjobë.

Ndërkohë që në vitin 2019 janë zhvilluar vetëm dhjetëra procedime para gjykatave, në vitin 2019 Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka regjistruar 1,555 raste të reja të dhunës në familje, nga të cilat 1,135 viktima janë gra dhe 173 fëmijë. Nga data 1 janar deri më 15 maj 2020 janë shënuar 505 raste të reja të dhunës në familje. Nga gjithsej 1,555 raste, dhuna psikologjike (në 1275 raste) dhe dhuna fizike (në 787 raste) janë dy format më të njohura të dhunës me bazë gjinore.

Numri i viktimave konfirmohet në Raportin e Fondacionit Kvinna till Kvinna për të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor theksohet se në Maqedoninë e Veriut vetëm në tremujorin e parë të vitit 2020 (nga janari deri në mars) janë raportuar 241 raste të lidhura me dhunën me bazë gjinore, prej të cilave 207 gra kanë qenë viktima. Në periudhën prill-qershor 2020, në Ministrinë e Brendshme janë pranuar 193 kallëzime për vepra penale të lidhura me dhunën në familje – numër më i vogël se në të njëjtën periudhë të vitit 2019 në të cilën janë dorëzuar 226 kallëzime.

Megjithatë, përgjigjen në pyetjen nëse dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore është rritur gjatë krizës së Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut, më së miri e tregojnë të dhënat e policisë. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga janari deri në qershor të vitit 2019, tek ata janë raportuar gjithsej 1,999 raste të dhunës në familje dhe të dhunës me bazë gjinore. Gjatë karantinave dhe orëve më të gjata policore gjatë pandemisë, në periudhën janar-qershor 2020, numri i rasteve të raportuara ka arritur në 2,450, që është një rritje prej 22%. Sipas kategorive, më së shumti është rritur numri i ankesave, pasuar nga numri i veprave penale dhe më pas numri i kundërvajtjeve.

Pavarësisht se gjykata e ka detyrimin që menjëherë, dhe jo më vonë se 24 orë pas marrjes së propozimit nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe raportit të policisë, pa mbajtur seancë për të vendosur shqiptimin e masës urgjente të mbrojtjes “largimi i autorit nga shtëpia dhe ndalesa e afrimit në shtëpi”, jo rrallë rastet mbeten në stacionet policore.

Në rast të veprimit të pakujdesshëm nga organet kompetente gjyqësore, viktima ka të drejtë të ngrejë padi pranë një gjykate civile për të përcaktuar përgjegjësinë për neglizhencë nga institucionet kompetente, dhe barra e provës në atë rast është në anën e institucionit dhe personit në institucion që nuk ka vepruar në përputhje me ligjin. Në një situatë të tillë, viktimat lirohen nga shpenzimet gjyqësore gjatë gjithë procesit gjyqësor. Megjithatë, numri i çështjeve gjyqësore në rastet e dhunës në familje dhe me bazë gjinore mbetet shumë i vogël.

Analizën e Koalicionit “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë” theksohet se shumica e rasteve të dhunës në familje dhe me bazë gjinore, të kryera përmes krimeve kundër gjinisë dhe lirisë gjinore, si dhe moralit të viktimave, mbeten të paraportuara ose të pazbuluara nga ana e organeve policore për faktin se viktimat e këtyre krimeve janë rrallëherë i gatshme të denoncojë dhunuesin sepse është një sferë e ndjeshme ku viktima shpesh është e turpëruar, e frikësuar dhe e pasigurt, dhe për këtë arsye nuk dëshiron ta ndajë traumën e saj me publikun e gjerë për të shmangur viktimizimin e dyfishtë dhe stigmatizimin social.

“POLICIA NUK I MBRON GRATË NGA DHUNA, DHE E NJËJTA VLEN EDHE PËR INSTITUCIONET E TJERA”

“Ishim vetëm ke shoqja ime. Ai që më ngacmonte erdhi përpara derës. Ne telefonuam policinë dhe më thanë se duhej të vija personalisht në stacionin policor për të bërë procesverbal. Unë u thashë se nuk mund të dilnim sepse ai qëndronte te dera. Më thanë që kjo është procedura. Vetëm unë e di se si shkova në shtëpi atë natë…”

“Ish-partneri jashtëmartesor i viktimës ka qenë vazhdimisht abuzues. Viktima ka dashur t’i japë fund marrëdhënies kur dhuna është përshkallëzuar. Një herë ai e ka sulmuar fizikisht viktimën në një kafene, duke i shkaktuar lëndime  të lehta trupore dhe më pas e ndoqi për herë të dytë,  e ka kërcënuar dhe ka tentuar ta sulmojë teksa ajo ka hyrë në automjet. Në rastin e parë viktima ka marrë raport mjekësor, ndërsa dy rastet e radhës i ka paraqitur në polici. Policia e ka ndjekur autorin për kundërvajtje, ndërsa autori ende po e ndjek dhe e ngacmon viktimën”.

Këto janë vetëm disa nga citimet anonime të postuara në platformën feministe Meduza në shkurt të vitit 2021. Qindra dëshmi të grave që denoncuan dhunën, me shpresën se policia do t’i mbronte, tregojnë se në vend të përgjegjësisë dhe mbështetjes institucionale, ato u viktimizuan dyfish dhe u lanë pas dore. Ndër dëshmitë anonime ishin edhe përgjigjet që gratë i kanë marrë nga punonjësit e policisë. Ato janë po aq alarmante dhe vetëm se e konfirmojnë qëndrimin joprofesional të punonjësve të policisë të cilët duhet t’i mbrojnë qytetarët nga situatat kërcënuese për jetën, e me këtë edhe qëndrimin kolektiv të autoriteteve shtetërore ndaj çështjeve gjinore dhe dhunës ndaj grave.

“Vajzë, ju nuk keni asnjë kërcënim për jetën tuaj, nuk mund të bëjmë asgjë.”

“Është një zënkë dashurie, ne nuk ndërhyjmë”.

“Duhet të keni kujdes si visheni, ku dilni dhe me kë dhe të rrini më shumë në shtëpi dhe të kujdeseni për fëmijët. Nuk duhet të silleni në mënyrë provokative, të grimoheni për të mos shkaktuar xhelozi tek burri juaj…”

Kalia Dimitrova, kryeredaktore e platformës Meduza, platformë e parë feministe në Maqedoninë e Veriut, theksoi se policia nuk i mbron gratë nga dhuna dhe e njëjta gjë vlen edhe për institucionet e tjera: “Dhuna me bazë gjinore është një nga krimet më të paraportuara globalisht, ndërsa ato gra që kërkojnë ndihmë, ka më shumë gjasa t’i drejtohen miqve ose familjes sesa të kërkojnë ndihmë nga policia. Vetëm në Maqedoni 2% e femrave që i kanë mbijetuar dhunës së partnerit kanë raportuar atë që ato e konsiderojnë si incidentin më të rëndë në polici dhe policia shpesh nuk i zbaton ligjet tona dhe Konventën e Stambollit.”

Dimitrova shton se pas këtyre shifrave të mosraportimit qëndron sistemi kompleks i dekurajimit dhe “fajësimi i viktimës”të cilët i mësojnë grave që nëse kanë përjetuar dhunë (sidomos nga partneri apo nga një person tjetër i afërt), ndoshta disi vetë e kanë kërkuar këtë ose e kanë merituar, ndaj shpeshherë ndjenjat e turpit dhe të frikës i shoqërojnë rastet e tilla, dhe për këtë arsye viktimat nuk vendosin t’i raportojnë autorët. Përqindja e ulët e raportimeve nuk e befason aspak, sepse ajo është e vetëdijshme se sa trauma mund të nënkuptojë shkuarja në stacionin policor ose procedurat gjyqësore, veçanërisht nëse është e kotë ose nëse përfshin viktimizimin e dyfishtë.

“Si kryeredaktore e platformës Meduza kam lexuar një numër të madh mesazhesh nga vajza të reja që kanë qenë viktima të dhunës seksuale, zakonisht nga partneri, shoku, miku i familjes ose i afërm. Disa prej tyre kanë treguar në shtëpi, disa jo, por asnjë nga viktimat me të cilat kam komunikuar nuk e ka denoncuar rastin në polici. Shumica prej tyre ose kanë frikë të raportojnë për shkak të pasojave të mundshme, ose konsiderojnë se dhimbja, trauma dhe viktimizimi i mundshëm i dyfishtë do të jenë të kota.”

Duke mos vepruar, institucionet na dërgojnë një mesazh të qartë se traumat tona që lidhen me dhunën dhe ngacmimin seksual janë të parëndësishme, inekzistente dhe të padukshme. “Prandaj” – thotë Dimitrova – “nuk habitem aspak kur vajzat na drejtohen me eksperiencat e tyre në këtë fushë, vetëm për ta treguar historinë e tyre dhe për të hasur dikë në anën tjetër që do ta respektojë traumën e tyre, në vend që të fillojnë procedurë ligjore dhe t’i ekspozohen dhimbjes dhe dënimit shtesë.”

NDRYSHIME NË KOHË DHE TË DREJTA NË GJYQËSOR PËR PARANDALIM MË EFEKTIV TË DHUNËS ME BAZË GJINORE

Transpozimi i drejtë dhe zbatimi i mëvonshëm i legjislacionit të BE-së në një kornizë kohore të përshtatshme është përgjegjësi e çdo vendi, qëllimet kryesore të të cilit janë të forcojë në mënyrë efektive parimet demokratike dhe të mbrojë qytetarët e tij, të cilët prej vitesh kanë kërkuar drejtësi, por nuk e kanë marrë atë. Aktualisht është duke u zhvilluar procedura e adoptimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, i cili duhet të sigurojë rrugën drejt drejtësisë dhe mbrojtjen e duhur për viktimat e dhunës fizike dhe psikologjike.

“Ne ende po përballemi me një qasje të papërshtatshme nga ana e institucioneve. Mosveprimi dhe trajtimi i papërshtatshëm i institucioneve, siç është policia, shpesh çon në viktimizimin e dyfishtë të viktimave, të cilat në vend që të mbrohen, i nënshtrohen mbijetesës shtesë të frikës së tyre”, tha Bojana Jovanovska nga Komiteti i Helsinkit.

Jovanovska shton se “përvoja e Komitetit të Helsinkit, përvoja e viktimave me të cilat punojmë, përvoja e organizatave që janë pioniere në luftën kundër dhunës me bazë gjinore në vend, tregojnë se ekzistojnë përvoja pozitive, por ato ende janë vetëm përjashtime, jo rregulla”.

Vonesa afatgjatë në zbatimin e Konventës së Stambollit me vetëdije kontribuon në dekurajimin e viktimave nga raportimi i dhunës. Nisur nga fakti se Konventa e Stambollit dhe Konventa e OKB-së për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër grave tashmë janë ratifikuar në Maqedoninë e Veriut, mirëpo ende janë në pritje të zbatimit në kornizën tonë ligjore, vetëm tregon se dhuna me bazë gjinore dhe qëndrimi i përgjithshëm ndaj të drejtave të grave dhe identitetit gjinor nuk janë në fokusin e qeverisë dhe institucioneve. .

Kjo krijon një perceptim kolektiv ndaj viktimave dhe traumave të tyre që nuk merren seriozisht, si dhe të autorëve që thjesht mbeten të pandëshkuar. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm në vitin 2020, 497 persona kanë raportuar abuzim fizik, ndërsa 3207 persona kanë raportuar abuzim psikologjik. Pavarësisht se këto janë vepra penale në përputhje me rregulloret ligjore jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar, ato ende trajtohen vetëm si ankesa. Ministria e Drejtësisë deklaroi se tashmë janë bërë ndryshime në Kodin Penal dhe Ligjin për Procedurën Penale për t’iu përgjigjur efektivisht krimit dhe parandalimin e akteve të dhunës ndaj grave, në të cilat i përfshijmë standardet e Konventës së Stambollit. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, standardet e Konventës së Stambollit janë përfshirë plotësisht në disa vepra penale. 

“Në tekstin e Kodit Penal parashikojmë nene të reja për sulmin seksual, ngacmimin seksual dhe përndjekjen dhe parashikojmë ndryshime në disa dispozita si vrasja, vrasja në afekt, detyrimi, dhunimi e të tjera”, shtoi ministria, duke ditur se “vetëm ligjet e miratuara nuk do të japin rezultat nëse nuk sigurojmë zbatimin e tyre”.

Ministria e Drejtësisë theksoi se për të pasur një reagim në kohë dhe mbrojtje të viktimave, nevojitet edukim shtesë për policinë, gjyqtarët dhe prokurorët publikë, si dhe profesionistët në qendrat për punë sociale që vazhdimisht t’i përmirësojnë njohuritë e tyre për dhunën ndaj grave.

NT: Roli i medias në luftën kundër dhunës me bazë gjinore – lajme sensacionale dhe gazetaria “clickbait”

Një nga rastet më të fundit të dhunës me bazë gjinore, i cili u ndoq nga afër nga publiku, është rasti i grupit “Dhoma Publike” në platformën Telegram, vepër penale në të cilin shumë gra janë viktima të dhunës me bazë gjinore e një numër i viktimave janë dhe persona të mitur. Disa anëtarë të grupit janë arrestuar, por çështja është ende nuk ka përfundim. Derisa ky lajm ishte veçanërisht aktual në hapësirën mediatike, portalet në internet postuan foto të postimeve në grup, duke i titulluar të papërshtatshme lajmet për këtë rast, duke e diskredituar kështu problemin në mënyrë sensacionaliste, duke e ditur se është një krim i rëndë që e prek të gjithë opinionin. Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski tha se pas raportimit të pranuar menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për zbardhjen e rastit. “Sektori i Krimit Kompjuterik dhe Mjekësisë Ligjore ka kontaktuar menjëherë me rrjetin ‘Telegram’, për të marrë informacionet e nevojshme për funksionimin e këtij grupi dhe i kemi njoftuar edhe për përmbajtjet që ishin publikuar”. Mirëpo, përkundër numrit të madh të reagimeve nga aktivistët dhe mbarë opinioni maqedonas, edhe në prill të vitit 2021 ky rast mbetet ende i pazgjidhur.

Rumena Buzharovska, shkrimtare, profesoreshë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Shën “Kirili dhe Metodi” dhe aktiviste për të drejtat e grave, theksoi rëndësinë e transmetimit të dëshmive të dhunës me bazë gjinore përmes mediave, si dhe në rrjetet sociale. Në vitin 2018, kur filloi lëvizja online #segakazuvam, Buzharovska deklaroi se ka pasur mbështetje nominale nga disa ministri dhe nga kryeministri, që ishte një hap pozitiv, në kuptimin që ata e njohën problemin dhe kështu i dhanë rëndësi.

“Pavarësisht se shumica e dëshmive kanë qenë për ngacmime seksuale në shkollë, asnjë institucion i arsimit të lartë nuk është deklaruar për këtë çështje dhe as nuk i ka mbështetur viktimat. “Në fakt, me rastin “Dhoma Publike” është bërë më se e qartë se as ministritë dhe as institucionet e arsimit të lartë nuk kanë synim, dëshirë apo strategji për ta ndaluar dhe ndëshkuar dhunën seksuale, e cila sigurisht ka pasoja të tmerrshme për viktimat“ – tha Buzharovska.

Bojana Jovanovska nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut thekson përgjegjësinë e mediave si një nga aktorët më të rëndësishëm në shoqëri. “Ne ende përballemi me një qasje të papërshtatshme nga mediat kur bëhet fjalë për raportimin e rasteve të dhunës,” tha ajo.  “Në garën për sensacionalizëm, mediat vazhdimisht po demonstrojnë mungesë të vetëdijes për gjendjen e vështirë të vetë viktimave dhe për stereotipet gjinore që vetëm i përforcojnë ato.”

“Kështu, për shembull”, shtoi ajo, “duke insistuar në marrjen e deklaratave të drejtpërdrejta nga viktimat, qëndrimi i tyre nuk ndryshon shumë nga ai i viktimizimit të dyfishtë nga policia. Në këtë kontekst, Ligji i ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje parashikon masa parandaluese që i përfshijnë edhe mediat, me qëllim të marrjes së masave për ndërgjegjësimin për të gjitha format e dhunës, si dhe promovimin e barazisë gjinore, duke pasur parasysh faktin se mediat mund të luajë një rol veçanërisht të rëndësishëm në eliminimin e stereotipeve dhe dhunës gjinore”.

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

10 Qershor 2021