Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ekzistenca e paraleleve të kombinuara në vendin tonë, për shkak të kushteve dhe numrit të fëmijëve në arsimin fillor në zonat rurale është veçanërisht e rëndësishme si për fëmijët që janë të përfshirë në procesin arsimor, ashtu edhe për mësuesit që i udhëheqin klasat. Paralelet e kombinuara janë mënyra e vetme për ta organizuar në mënyrë efikase mësimdhënien në zonat rurale, dhe me këtë rast fëmijët të fitojnë një arsimim që do t’u mundësojë atyre një bazë për arsimim të mëtejshëm.

Sipas dispozitave ligjore, një shkollë fillore e caktuar, me pëlqimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, mund të formojë një paralele të kombinuar, edhe atë me nxënës nga klasa e parë deri në të tretën, me nxënës nga klasa e katërt dhe e pestë, si një grup ose me nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën si një grup tjetër. Sipas të dhënave të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, në vitin shkollor 2018/2019 në vendin tonë ka pasur gjithsej 911 paralele të kombinuara (844 paralele të kombinuara me nxënës nga klasa e parë deri në klasën e pestë dhe 67 paralele të kombinuara me nxënës nga klasa e gjashtë deri në të nëntën).

Megjithëse praktika tregon se paralelet e kombinuara janë mjaft të shpeshta, për fat të keq, në teorinë pedagogjike nuk është shkruar shumë për punën edukativo-arsimore në paralelet e kombinuara. Kjo çështje nuk është trajtuar sa duhet as në fakultetet që edukojnë mësimdhënësit e ardhshëm, e megjithatë, shumë mësimdhënësit e klasave të ulëta e fillojnë angazhimin e tyre profesional mu në paralelet e kombinuara.

Duke i njohur sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit që udhëheqin klasa të kombinuara dhe nevojën për të vendosur udhëzime themelore që do t’i ndihmojnë mësimdhënësit në punën e tyre, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni në bashkëpunim me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, mbështeti zhvillimin e udhëzuesit për punë në paralelet e kombinuara në shkollat fillore.

Ky udhëzues, nga njëra anë do të jetë mbështetje profesionale për personelin drejtues të shkollës gjatë përzgjedhjes së mësimdhënësve, gjatë formimit të paraleleve të kombinuara, por edhe në organizimin e mësimdhënies. Nga ana tjetër, ai do t’u japë udhëzime mësimdhënësve në procesin e planifikimit të mësimdhënies siç është planifikimi vjetor, planifikimi afatmesëm dhe planifikimi ditor, gjegjësisht planifikimi i orës mësimore. Në të njëjtën kohë, udhëzuesi do të jetë mbështetje profesionale për mësimdhënësit gjatë zgjedhjes së formave organizative, metodave të mësimdhënies, teknikave dhe aktiviteteve, për t’i zhvilluar dhe/ose forcuar aftësitë e tyre profesionale për të punuar në paralele të kombinuara, por gjithashtu do të sigurojë udhëzime për mësimdhënësit për organizimin efikas të hapësirës dhe kohës dhe për të krijuar një mjedis stimulues për mësim në klasat e kombinuara.

Udhëzuesi është përgatitur në maqedonisht, shqip, serbisht, boshnjakisht dhe turqisht dhe atë mund ta gjeni në linket më poshtë.

Упатство за воспитно-образовна работа во комбинираните паралелки во основното образование

Udhëzues mbi punën edukative-arsimore në paralelet e kombinuara në arsimin fillor

Упутство за васпитно-образовни рад у комбинованим одељењима у основном образовању

Uputstvo za vaspitno-obrazovni rad u kombiniranim odjeljenjima u osnovnom obrazovanju

İlköğretim Okullarında Karma Sınıflarda Eğitim Öğretime Ait Taliṁ at