Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Me rastin e Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale – 20 shkurtit, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe LAG-u Agro Lider në Prilep mbajtën tryezë të rrumbullakët në temën “Barazia dhe drejtësia sociale”.

Kjo ditë i kushtohet luftës kundër varfërisë, papunësisë dhe pabarazisë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 26 nëntor të vitit 2007 e caktoi 20 shkurtin si Ditën e Drejtësisë Sociale, e cila filloi të festohet që nga viti 2009.

Qëllimi i shënimit të kësaj dite është promovimi i solidaritetit, barazisë dhe barabarësisë, si brenda vendeve, ashtu edhe ndërmjet tyre.

Në këtë ngjarje mori pjesë Kire Milovski, si përfaqësues i Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Në fjalën e tij ai i potencoi prioritetet strategjike globale dhe evropiane të Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur për të kontribuar në zhvillimin demokratik dhe ekonomik, sundimin e ligjit, drejtësinë dhe barazinë dhe lirinë e mendimit kritik. Në këtë drejtim, edhe Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni mbetet i përkushtuar në avancimin e drejtësisë ekonomike dhe sociale. Shoqëria maqedonase ende karakterizohet me zhvillim të pabalancuar apo disbalancë në disa nivele dhe pikërisht ato dallime dhe ajo ndarje ka qenë gjithmonë fokusi kryesor në punën e Fondacionit, gjegjësisht përcaktimi pryesor për përmbushjen e të cilit është punuar në vitet e kaluara dhe do të punohet edhe në të ardhmen, për të ndihmuar sa më shumë në balancimin e këtij çekuilibri kur bëhet fjalë për pabarazinë ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Këtu, para së gjithash, lufta synon pabarazinë në qasjen në arsim dhe qasjen në shërbime shëndetësore. FSHHM-ja punon me komunitetet që janë në depresion ekonomik dhe social dhe që kanë nevojë për më shumë ndihmë se kushdo tjetër. Kjo është arsyeja pse fokusi është te romët, gratë, fëmijët dhe grupet e tjera të margjinalizuara për sa i përket qasjes në shërbimet bazë që lidhen me të drejtat themelore të njeriut.

Kire Milovski iu referua edhe mbështetjes së dhënë nga Fondacioni për LAG-un Agro Lider për realizimin e projektit “Drejtësia sociale në komunitetet rurale”. Qëllimi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i pozitës sociale dhe ekonomike të grave në zonat rurale duke i forcuar aftësitë digjitale dhe sipërmarrëse për ndërtimin e fermave bujqësore dhe bizneseve rurale të qëndrueshme ekonomikisht, duke krijuar qasje në mbështetje ligjore dhe këshillimore dhe duke krijuar politika publike për sigurimin e drejtësisë sociale. Në periudhën në vijim, platforma “domasno.mk” do të përmirësohet me një hapësirë digjitale ku do të publikohen programet për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural dhe do të ofrohet mbështetje këshillimore falas për shfrytëzimin e burimeve financiare nga programet ekzistuese. Kjo platformë u krijua përmes mbështetjes së mëparshme të projektit nga FSHHM-ja për LAG-un Agro Lider.

Marina Tosheska nga LAG-u Agro Lider ndau të dhëna për varfërinë në vendin tonë, për “hendekun” në rritje midis komuniteteve urbane dhe rurale për sa i përket qasjes në të drejtat dhe burimet themelore, pabarazitë dhe margjinalizimin shoqëror, duke u fokusuar veçanërisht në pozitën dhe sfidat e grave rurale (fermere) dhe të rinjve nga zonat rurale. LAG-u Agro Lider me mbështetjen e donatorëve zbaton iniciativa për të luftuar pabarazinë, diskriminimin dhe papunësinë duke i mbështetur gratë dhe të rinjtë (Domasno.mk; shërbime për mbështetjen e punësimit të të rinjve, etj.), por megjithatë nevojiten politika sociale konsekuente që do t’i përmbushin qëllimet kryesore të drejtësisë sociale, si qasja në burime, barazia, pjesëmarrja dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Atasheu i Ministrisë Austriake të Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Mirëqenies dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Harald Fugger, e prezantoi Modelin Social Evropian si një koncept që përfshin një kombinim të politikave sociale, ekonomike dhe të punësimit që synojnë kohezionin social. Modeli Social Evropian është një vizion i një shoqërie që e kombinon rritjen e qëndrueshme ekonomike me përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës dhe punës, që nënkupton punësim, vende punë cilësore, mundësi të barabarta, mbrojtje sociale për të gjithë, përfshirje sociale dhe përfshirje të qytetarëve në vendimmarrje.

Dejan Tosheski, drejtor i EPQNPP Prilep, foli për reformat sociale në përputhje me legjislacionin kombëtar që kanë për qëllim zhdukjen e varfërisë, promovimin e barazisë dhe përkrahjen për fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i konceptit të drejtësisë sociale duke e aktualizuar nevojën për një luftë thelbësore kundër varfërisë, pabarazisë, papunësisë dhe margjinalizimit social, duke theksuar se dinjiteti i çdo qytetari dhe ndjekja e së mirës së përbashkët të të gjithëve janë parimet themelore për të cilat synon drejtësia sociale në një shtet social, dhe në të njëjtën kohë është e nevojshme promovimi i drejtësisë sociale duke krijuar të drejta dhe mundësi të barabarta për të gjithë aktorët e një shoqërie.

—————————————————

21 Shkurt 2022