Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 4 dhjetor të vitit 2019, përfaqësuesit e tetë organizatave qytetare mbajtën takim nismëtar për nevojën, mundësitë dhe mënyrën e krijimit të rrjetit të organizatave qytetare për Partneritet të Hapur Qeveritar (PHQ). Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave që deri më tani kanë marrë pjesë në proceset e përgatitjes dhe zbatimit të Planeve Kombëtare Aksionale (PKA) për PHQ dhe janë të përfshirë në grupet e punës për zbatimin e PKA 2018-2020: Shoqata e qytetarëve “Ljubeznost”, Asociacioni për Hulumtim, Komunikim dhe Zhvillim “Public”, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup, Shoqata për promovimin dhe zhvillimin e shoqërisë inkluzive INKLUZIVA – Kumanovë, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, si dhe organizata që ishin të përfshira në mënyrë aktive në zbatimin e PKA 2016-2018: Fondacioni për internet dhe shoqëri – Metamorfozis dhe Reaktor – Hulumtimi në aksion.

Nismën e mbështetën edhe organizatat që nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në takim, por shprehën interes për t’iu bashkuar rrjetit dhe për të marrë pjesë aktive në punën e tij. Në pjesën e parë të takimit mori pjesë edhe Gordana Gapiq Dimitrovska, koordinatore kombëtare për PHQ në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, me qëllim që të ofrojë informacion hyrës për proceset aktuale dhe ato të planifikuara në iniciativën për Partneritet të Hapur Qeveritar.

Ky proces u iniciua në prag të përgatitjes së planit të ri kombëtar aksional, me qëllim që organizatat qytetare të veprojnë dhe të ndikojnë në krijimin e tij, si dhe të inkurajohen dhe ta monitorojnë zbatimin e planit aktual dhe planeve të ardhshme aksionale.

Në takimin nismëtar u diskutua për modelet e funksionimit të rrjeteve të këtilla në vendet e tjera, si dhe për nevojën për këtë rrjet, përfitimet prej tij, natyrën dhe rolin e rrjetit, mënyrën e bashkimit dhe procedurën e përfshirjes së anëtarëve në rrjet.

Pas këtij takimi, organizatat do të deklarohen për përfshirjen e tyre në këshillin nismëtar për formimin e rrjetit për PHQ, i cili do ta udhëheqë procesin e krijimit të tij: përcaktimin e postulateve themelore të rrjetit, thirrjen publike drejtuar organizatave qytetare për t’u bashkuar në rrjet, organizimin e takimit për krijimin e rrjetit dhe përcaktimin e strukturës dhe koordinimit të rrjetit.

—————————————————

4 Dhjetor 2019