Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 30 shtator të vitit 2021 u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Qasja në drejtësi për më të margjinalizuarit”, e organizuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni së bashku me organizatat partnere Stacioni P.E.T. dhe HOPS. Projekti u mbështet financiarisht nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe u zbatua në periudhën nga janari i vitit 2020 deri në tetor të vitit 2021.

Fjalime hyrëse në këtë ngjarje mbajtën z. Frick Janmat, shef i Departamentit për Zhvillim Ekonomik, Sundim të Ligjit dhe Administratë Publike në Delegacionin e BE-së në Maqedoninë e Veriut, z. Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Fani Karanfillova-Panovska, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

FRICK JANMAT theksoi se pandemia e KOVID-19 e bëri këtë projekt edhe më të rëndësishëm duke e potencuar nevojën për qasje në drejtësi për më të margjinalizuarit që ishin në mënyrë disproporcionale më të prekur nga kriza shëndetësore. Qasja në drejtësi është një nga elementet më të rëndësishme sundimit të ligjit, ajo është një e drejtë themelore dhe është një mënyrë për të pasur qasje në të drejtat e tjera themelore. Kjo është arsyeja pse qasja në drejtësi është një element i rëndësishëm i cili merret parasysh në procesin e anëtarësimit në BE. Sa i përket ndihmës juridike falas, Janmat theksoi se vetë Ligji është hapi i parë, i cili është veçanërisht i rëndësishëm dhe do të ofrojë ndihmë juridike efektive për qytetarët, por sigurisht që pas zbatimit duhet të vijojë edhe monitorimi, që të mund të matet ndikimi do të ketë ai. Ai theksoi se edhe pse ende përballemi me sfida, do të jetë i nevojshëm një angazhim i fortë nga institucionet si dhe shoqëria civile për të ruajtur dhe përmirësuar sistemin për qasje në drejtësi për më të margjinalizuarit.

 

BOJAN MARIÇIQ theksoi se drejtësia nuk është e vërtetë, nëse nuk është në dispozicion për të gjithë në mënyrë të barabartë. “Prandaj vitin e kaluar, taksta gjyqësore u ulën për tetë herë dhe nga tetori i vitit 2019 është në fuqi ndihma juridike falas, e cila parashikon ofrimin e ndihmës juridike parësore dhe dytësore për shtresat më të cenueshme. Kështu, qytetarët që janë në gjendje të palakmueshme financiare mund t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë dhe zyrave rajonale të saj dhe të kërkojnë ndihmë juridike ose një avokat, i cili do të paguhet nga buxheti i ministrisë. “Nëpërmjet zyrave rajonale, vitin e kaluar, gjithsej 2727 persona kanë marrë ndihmë juridike parësore, gjë që flet për nevojën e kësaj mase” – theksoi ministri.

 

FANI KARANFILLOVA-PANOVSKA theksoi se projekti “Qasje në drejtësi për më të margjinalizuarit” është vazhdimësi e përpjekjeve të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni për përmirësimin e qasjes në drejtësi për komunitetet e margjinalizuara, të cilat janë në fokusin e punës së FSHHM-së me vite të tëra. Pandemia e shkaktuar nga KOVID-19 tregoi se sa e rëndësishme dhe e nevojshme është ndihma juridike dhe parajuridike për qytetarët dhe veçanërisht për më të margjinalizuarit. Në kuadër të projektit u ofruan më shumë se 5.000 shërbime për qytetarët më të rrezikuar – ata që i humbën vendet e punës për t’i ushtruar të drejtat e tyre, qytetarët që u përballën me diskriminim dhe shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, për viktimat e dhunës në familje, si dhe për qytetarët që kishin nevojë për të ushtruar të drejtat sociale, pronësore dhe të tjera. Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni do të vazhdojë edhe më tej ta mbështesë qasjen në drejtësi dhe forcimin juridik të komuniteteve më të margjinalizuara, theksoi Karanfillova-Panovska.

Në konferencën përmbyllëse u prezantuan rezultatet përfundimtare të projektit dhe shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut gjatë pandemisë, si dhe u diskutua për Ligjin për Ndihmën Juridike Falas dhe Qëllimin për Zhvillim të Qëndrueshëm 16.3 në nivel kombëtar.

Raportin për zbatimin e Ligjit për Ndihmën Juridike Falas mund ta lexoni në linkun e mëposhtëm https://bit.ly/3kuevfR.

—————————————————

30 Shtator 2021