Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ligji për Buxhetin është një nga ligjet kryesore që rregullon menaxhimin e financave publike, planifikimin e tyre dhe mënyrën e kontrollit të parave publike. Propozim-ligji për Buxhetet është një dokument për të cilin Ministria e Financave ka punuar për 5 vitet e fundit dhe më në fund ai është bërë publik. Të nxitur nga rëndësia e ligjit, por edhe nga mungesa e informimit të publikut në lidhje me Ligjin, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni (FSHHM) dhe Shoqata për Hulumtime dhe Analiza ZMAI (ZMAI) organizuan një diskutim mbi Propozim-ligjin, ku profesionistët dhe mediat do të njoftohen me tekstin e Ligjit dhe do të ketë mundësinë të japin kontributin e tyre për përmirësimin e tij.

Në diskutim mori pjesë Zëvendës-Ministri i Financave, Dr. Dimitar Kovaçevski, i cili për miratimin e këtij ligji theksoi se për të arritur menaxhim efikas, transparent dhe modern të financave publike, Qeveria e zbaton Programin për reforma në menaxhimin e financave publike, për avancimin e fushave të caktuara në financat publike: administrimi dhe mbledhja e të ardhurave, parashikimi fiskal, përgatitja dhe ekzekutimi i buxhetit, furnizimet publike, menaxhimi i borxhit, kontrolli i brendshëm financiar publik dhe revizioni i jashtëm.

“Ligji aktual për Buxhetet i vitit 2005, me disa ndryshime shtesë, rregullon procedurat për përgatitjen, miratimin, ekzekutimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe buxhetet e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Qytetit të Shkupit, si dhe raportimin për ekzekutimin e buxhetit, mirëpo të cilat nga ana tjetër nuk janë në përputhje me trendet e reja, rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Për këto arsye, Ministria e Financave e pa të nevojshme hartimin e një ligji krejtësisht të ri. Dëshiroj të theksoj se përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe forcimi i planifikimit buxhetor afatmesëm është një nga prioritetet më të mëdha të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Me këtë rast, Propozim-ligji i ri për Buxhetet është në përputhje me direktivat e BE-së dhe angazhimin për të përmirësuar sistemin e menaxhimit të financave publike, në mënyrë që të sigurojë një kornizë për udhëheqjen e politikës fiskale të shëndoshë, të parashikueshme dhe të qëndrueshme dhe për të rritur disiplinën dhe llogaridhënien buxhetore” – tha Kovaçevski.

Viktor Mitevski, Kryetar i ZMAI dhe ish-këshilltari i Ministrit të Financave dha një pasqyrë të detajuar të kompenentave kryesore të Ligjit. Sipas Mitevskit, miratimi i Ligjit është një hap pozitiv drejt përmirësimit të sistemit të menaxhimit të financave publike, ndërsa prania e Zëvendës-Ministrit të Financave në këtë diskutim, e tregon gatishmërinë për të përfshirë publikun profesional në përmirësimin e tekstit të Ligjit. Përveç aspekteve pozitive të Ligjit, Mitevski theksoi se ka paqartësi në Propozim-ligj dhe nevojitet një harmonizim shtesë me parimet evropiane për menaxhimin e financave publike.

“Fakti që ky tekst i ligjit përmban një nen që rregullon parimet fiskale është për t’u përshëndetur, por është e rëndësishme të theksohet se propozimi nuk përmban një përkufizim të plotë dhe gjithëpërfshirës të rregullave fiskale që duhet të sigurojnë një sistem stabil dhe të qëndrueshëm të financave publike” – tha Mitevski dhe shtoi: “Miratimi i Ligjit për Buxhetet duhet të shoqërohet me miratimin e një numri të madh aktesh nënligjore dhe, natyrisht, me krijimin e një sistemi të integruar informacioni që do të mundësojë zbatimin e plotë të Ligjit.”

Rregullimi i transparencës në planifikimin dhe shpenzimin e parave publike është një element i rëndësishëm i Propozim-ligjit për Buxhetet. Fani Karanfillova-Panovska, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur-Maqedoni, tha se përfshirja e publikut që në procesin e planifikimit të buxheteve të ministrive është një nga segmentet kryesore për krijimin e një buxheti që do të pasqyrojë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Megjithatë, dispozita që parashikon që secila ministri dhe komunë të krijojnë një mekanizëm për konsultim me palët e tyre të interesit dhe qytetarët duhet t’i përcaktojë më saktësisht “mekanizmat” që shfrytëzuesit e buxhetit do të duhet t’i krijojnë në mënyrë të pavarur. Nëse shfrytëzuesve të buxhetit u lihet që vetë në tërësi t’i përcaktojnë mekanizmat, ka shumë të ngjarë që kjo dispozitë të shihet kryesisht si një mundësi për të përmbushur qëllimet dhe interesat e veta, e jo si një mjet për përfshirjen e qytetarëve. Karanfillova-Panovska theksoi se “Në këtë mënyrë, institucionet do të jenë të detyruara të marrin parasysh nevojat e qytetarëve dhe t’i përfshijnë qytetarët që nga fillimi, gjatë krijimit të qarkoreve buxhetore.” Ajo gjithashtu shtoi se një mangësi e madhe në Propozim-ligj është paqartësia në lidhje me përbërjen e Këshillit Fiskal, gjegjësisht Këshilli përveç që do ta përfaqësojë publikun profesional, akademik dhe profesional, duhet ta përfaqësojë edhe sektorin civil. Prandaj, gjatë përcaktimit të kritereve për anëtarët e Këshillit Fiskal, duhet përcaktuar se një pjesë e tyre, përveç arsimit të nevojshëm dhe njohurive profesionale, duhet të kenë edhe përvojë të dëshmuar në sektorin e shoqërisë civile.

Pjesëmarrësit ranë dakord që Ligji për Buxhetet është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe vendimi për miratimin e tij është i mirëpritur, por ata gjithashtu i dhanë pikëpamjet e tyre për atë se si mund të përmirësohet propozimi i Ministrisë. Sektori civil dhe publiku profesionist shpresojnë se propozimet e tyre do të merren parasysh gjatë miratimit të Ligjit dhe apeluan për miratimin e tij të shpejtë në mënyrë që procesi i planifikimit të Buxhetit për vitin 2022 të jetë në përputhje me zgjidhjen e re ligjore. Përfaqësuesit e ZMAI-t dhe FSHHM-së, organizatorë të debatit publik, thanë se ky ligj do të vendosë bazat për planifikim dhe ekzekutim më të mirë të të gjitha buxheteve të ardhshme shtetërore dhe komunale.

—————————————————

2 Nëntor 2020