Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 31 maj të vitit 2022, u mbajt Konferenca “Përballja me dezinformatat në Republikën e Maqedonisë së Veriut” në organizim të Fondacionit për Internet dhe Shoqëri  Metamorfozis, e në kuadër të projektit për luftimin e ndikimeve të dëmshme të dezinformatave, i mbështetur nga Instituti DT nga Uashingtoni, i zbatuar së bashku me Fondacionin Shoqëria e Hapur – Maqedoni.

Konferenca iu kushtua ndërtimit të një qasjeje shumësektoriale për zgjidhjen e problemit të shpërndarjes dhe trajtimit të dezinformatave përmes angazhimit të përbashkët të institucioneve shtetërore, mediave të pavarura, organizatave të shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe sektorit privat. Ngjarja siguroi një platformë për diskutim për palët e interesuara që punojnë për zhvillimin e demokracisë duke i luftuar dezinformatat dhe duke avancuar lirinë e shprehjes, duke u mundësuar atyre të rrjetëzohen dhe të ndajnë përvojat. Rezultatet e hulumtimit aktual mbi situatën u prezantuan dhe u diskutuan për të kuptuar më mirë kontekstin, si dhe u diskutuan rekomandimet për hapa të mëtejshëm të aktorëve të ndryshëm shoqërorë në mënyrë që së bashku të përballen me efektet e dëmshme të drejtuara kundër zhvillimit të demokracisë dhe proceseve integruese.

Gjatë seancës hyrëse, të pranishmëve iu drejtua edhe drejtoresha ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, e cila tha me sa vijon:

Dezinformatat janë një pjesë endemike dhe e kudondodhur e politikës në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përhapja e dezinformatave po bëhet një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve dhe institucioneve, e me këtë edhe për sigurinë e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre. Hartëzimi i dezinformatave dhe kundër-dezinformatave në rajon në tre-katër vitet e fundit nxjerr në pah disa procese apo fenomene kyçe që ishin sfidë, gjegjësisht nxitje për përhapjen e dezinformatave, edhe atë:

Siç theksojnë raportet e ndryshme të institucioneve të njohura ndërkombëtare për këtë temë – në të gjitha rastet e përmendura, ndonëse në mënyrë të dukshme shfaqen aktorë të huaj – kryesisht Rusia, por edhe Kina, Turqia dhe vende të tjera të rajonit – shumica e dezinformatave në Ballkanin Perëndimor janë prodhuar dhe shpërndarë nga aktorë vendas dhe për qëllime të brendshme. Mdje edhe atëherë kur përfshihen aktorë të jashtëm, përpjekjet e tyre kanë prirje të përmirësohen, intensifikohen dhe, në disa raste, të manipulojnë aktivitetet e aktorëve vendas, duke i përfshirë grupet sociale dhe fetare, mediat, partitë politike dhe interesat e biznesit.

Është e qartë se dezinformatat (dhe më gjerë, shtrembërimi i informacionit) janë më shumë një simptomë e çrregullimeve shoqërore dhe politike sesa një shkak.

Një pjesë e dëmtimit me informacion gjithsesi është shkaktuar nga zhvillimi teknologjik, pasi shoqëria moderne vëren ndryshime tektonike në mënyrën se si komunikojmë.

Megjithatë, dezinformatat përparojnë më së shumti në mjedise të tronditura tashmë nga konfliktet e brendshme dhe ku besimi shoqëror dhe publik luftojnë për t’i kapërcyer ndarjet politike, rajonale, etnike, fetare ose të tjera.

Ajo që e thonë të gjitha analizat dhe që nuk do të ndryshojë të paktën në afat të mesëm, nëse jo edhe në afat më të gjatë, është se:

(1) Politika gjeostrategjike e Rusisë – dhe, në një masë më të vogël, ajo e Kinës – do të vazhdojë të fokusohet në Ballkanin Perëndimor si një pikë kritike në bllokimin e zgjerimit të BE-së dhe NATO-s. Dezinformatat kanë qenë dhe me gjasë vazhdojnë të mbeten një mjet kyç në këto përpjekje;

(2) Hendeku transatlantik i hapur nga administrata e Trampit ka krijuar mundësi që ende nuk janë kapërcyer për Moskën, Pekinin dhe Ankaranë, si dhe për aktorët vendas, për t’i përdorur dezinformatat për të minuar ndikimin evropian dhe euroatlantik;

(3) Pandemia e KOVID-19 dhe pasojat e saj kanë minuar më tej besimin e publikut tek qeveritë, si dhe performancën e tyre reale. Kjo, nga ana tjetër, i rrit shkaqet kryesore të dezinformimit, përkatësisht përmbysjen e qeverisjes dhe kohezionit social; dhe

(4) Perspektiva e moszgjerimit të BE-së e redukton presionin mbi qeveritë në rajon për të përmirësuar cilësinë e qeverisjes dhe për t’iu përmbajtur praktikës demokratike dhe heq një levë të fuqishme për shoqërinë civile për të kërkuar llogaridhënie politike. Përveç përforcimit të faktorëve që shkaktojnë dezinformata, kjo krijon mundësi shtesë për konkurrentët gjeopolitikë në Evropë.

Dhe në këtë kontekst, çfarë është ajo që nevojitet dhe çfarë mund të bëjmë? Të gjithë aktorët kanë rol po aq të rëndësishëm dhe të përgjegjshëm në luftën për t’u përballur me ndikimet e dëmshme të dezinformatave, veçanërisht institucionet e sistemit, mediat dhe gazetarët, partitë politike dhe shoqëria civile. Institucionet duhet të ofrojnë një kornizë përkatëse ligjore, infrastrukturë institucionale dhe mekanizma të përshtatshëm për të garantuar parandalimin dhe sanksionimin e shpërndarjes së dezinformatave. Demokracia, liritë dhe qeverisja e mirë nuk duhet të rrezikohen. Mediat dhe gazetarët kanë detyrimin dhe përgjegjësinë të zbatojnë politika redaktuese dhe një mënyrë raportimi që do të sigurojë që informacioni që del në eter të jetë i saktë dhe i verifikuar dhe i bazuar në analiza dhe prova. Partitë politike kanë obligim ndaj të gjithë qytetarëve, por mbi të gjitha ndaj votuesve dhe mbështetësve të tyre në betejat me kundërshtarët e tyre politikë që të mos e shtrembërojnë të vërtetën, edhe pse kjo jo gjithmonë funksionon në favor të tyre, sepse të gjitha partitë politike sipas definicionit duhet t’i shërbejnë interesit publik. Organizatat e shoqërisë civile kanë obligim të punojnë me qytetarët për ta rritur ndërgjegjësimin dhe kuptimin e dëmeve të dezinformatave, për të ndihmuar më shumë që qytetarët të bëhen imunë ndaj dezinformatave, gjegjësisht të zhvillojnë aftësi me të cilat mund t’i njohin dhe refuzojnë ato. Organizatat e shoqërisë civile mund dhe duhet të zhvillojnë metodologji dhe teknologji novatore me të cilat do t’i zbulojnë dezinformatat dhe do t’i ndjekin mënyrat dhe sfondin për depërtimin e tyre në hapësirën publike.”

—————————————————

31 Maj 2022