Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) më 18.11.2021 (e enjte) në Hotelin “Karposh”, organizoi prezantimin publik të dokumentit të politikave publike me titull “Përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – perspektiva studentore”. Dokumenti i politikave publike me titull “Përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – perspektiva studentore” është përgatitur në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” nga ekipi i ekspertëve të Sindikatës së Pavarur Akademike (SPA). Autorët e dokumentit janë Prof. Dr. Zoran Vellkovski, Prof. Dr. Neda Zdraveva, Prof. Dr. Mira Beqar dhe Borjan Eftimov.

Në kuadër të prezantimit publik fjalën përshëndetëse e mbajti prof. Dr. Elena Xhukeska, kryetare e Sindikatës së Pavarur Akademike (SPA), e cile e theksoi rëndësinë e këtij publikimi dhe vuri në dukje përpjekjet e SPA-së për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit të lartë. Fjalën hyrëse e mbajti Prof. Dr. Neda Zdraveva. Dokumentin e prezantuan Prof. Dr. Neda Zdraveva, Prof. Dr. Mira Beqar dhe Borjan Eftimov me ç’rast theksuan se perceptimet për atë se çfarë është arsimi cilësor janë të ndryshme në varësi të pritshmërive. Konkretisht, brenda komunitetit akademik janë të ndryshme perceptimet e mësimdhënësve dhe të studentëve, në komunitetin më të gjerë shoqëror janë të ndryshme për komunitetin e biznesit, për sektorin qeveritar, për qytetarët. Por, ajo që është e përbashkët dhe padyshim që të gjithë bien dakord është se cilësia e arsimit të lartë e dikton ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit.

Hulumtimi i kryer në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” i udhëhequr nga Sindikata e Pavarur Akademike (SPA) ka treguar se studentët janë të kënaqur me cilësinë e arsimit të lartë, por vetëm në aspektin teorik të mësimdhënies. Kjo do të thotë se në mënyrë që arsimi i përgjithshëm të konsiderohet cilësor, duhet të përmirësohet dukshëm përfaqësimi i mësimit praktik në përmbajtjet e programeve studimore dhe mësimore dhe kushtet infrastrukturore për zhvillimin e mësimit praktik. Propozimet për zgjidhje, me të cilat pritet të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë, shqyrtohen në tre fusha: 1. Cilësia e studimeve dhe e procesit arsimor në tërësi, 2. Pjesëmarrja e studentëve në procesin e vendimmarrjes ku shqyrtohen çështjet që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në organet drejtuese dhe sistemin e financimit të aktiviteteve studentore dhe 3. Vlerësimi si sistem i sigurimit të cilësisë në nivel kombëtar dhe në nivel të institucioneve të arsimit të lartë.

Studentët konsiderojnë se në mënyrë që arsimi i përgjithshëm të konsiderohet cilësor, duhet të përmirësohet dukshëm përfaqësimi i mësimit praktik në përmbajtjet e programeve studimore dhe mësimore dhe kushtet infrastrukturore për zhvillimin e mësimit praktik. Gjithashtu, studentët konsiderojnë se ndikimi i tyre në përmirësimin e përmbajtjes së programeve të studimit dhe të lëndëve, në mënyrën e zhvillimit të mësimdhënies dhe në funksionimin e përgjithshëm të institucioneve të arsimit të lartë është jashtëzakonisht i kufizuar. Kjo veçanërisht vlen për trajtimin e rezultateve të vetë-vlerësimeve – anketave, të cilat janë obligim i detyrueshëm për studentët, por kanë trajtim të ndryshëm nga institucionet. Disponueshmëria e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve për komunikim dhe konsultim me studentët nuk është gjithmonë në përputhje me nevojat. Ndodh që, sipas deklaratave të studentëve, mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët të mos ofrojnë konsultime jashtë orëve të mësimit. Gjithashtu, duhet të përmirësohet qasja në literaturën bashkëkohore në të gjitha fushat, me ç’rast studentët problemin e shohin te mungesa e literaturës së mjaftueshme profesionale vendase (tekste të vjetra ose tekste që i trajtojnë temat në mënyrë sipërfaqësore), si dhe në mungesën e qasjes në literaturën bashkëkohore të huaj, gjegjësisht në bazat e të dhënave me libra, revista shkencore dhe hulumtime.

Dokumenti ofron sugjerime të cilat do të duhej ta përmirësojnë situatën, ashtu siç perceptohen nga studentët në fushën e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Vihet re se disa prej gjendjeve janë pasojë e kornizës jo të plotë ligjore të arsimit të lartë. Konkretisht, edhe pse Ligji për Arsimin e Lartë ka hyrë në fuqi më shumë se tre vjet më parë, dhe afatet për themelimin e organeve dhe trupave shtetërore kanë skaduar më shumë se dy vjet më parë, si dhe afatet e tyre gjashtëmujore për krijimin e kornizës ligjore, është konkluduar se në rregullimin e disa çështjeve kyçe të sigurimit të cilësisë mungojnë aktet nënligjore. Propozohet që për shkak të rëndësisë së tyre, ato të miratohen me pjesëmarrjen e publikut të gjerë profesional. Çështja tjetër e rëndësishme dhe e pazgjidhur është sistemi i financimit të arsimit të lartë. Sipas studentëve të universiteteve shtetërore, shteti duhet të marrë përsipër dhe ta realizojë në vazhdimësi detyrimin për përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e mundësive dhe burimeve hapësinore për mbarëvajtjen e procesit të arsimit të lartë. Sa i përket universiteteve/fakulteteve, theksohet rëndësia e krijimit të programeve studimore dhe të lëndëve, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e duhur të aftësive, përmes mësimdhënies dhe punës praktike, me qëllim të përmirësimit të kompetencës dhe konkurrencës së studentëve në tregun e punës.

Studentët theksojnë gjithashtu nevojën e miratimit të një kornize ligjore që do të mundësojë forcimin e pozicionit të studentëve në proceset vendimmarrëse. Janë dhënë propozime edhe për përmirësimin e sistemit të punës së shërbimeve administrative-profesionale dhe veçanërisht për digjitalizimin e punës administrative. Gjithashtu propozohet përmirësimi i dukshëm i sistemit për (vetë)vlerësim dhe vlerësim të rëndësisë së anketave të studentëve dhe përdorimi i rezultateve si bazë për përmirësimin e punës së institucioneve të arsimit të lartë dhe rritjen e cilësisë së arsimit të lartë. SPA-ja beson se institucionet dhe individët përkatës do t’i marrin parasysh gjetjet e këtij hulumtimi gjatë hartimit të politikave të ardhshme të arsimit publik.

Në kuadër të projektit “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” të drejtuar nga SPA-ja, janë përgatitur tre dokumente të politikave publike, si më poshtë: Dokumenti i politikave publike me titull “Përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë – perspektiva studentore” u prezantua publikisht në promovimin e mbajtur në Hotelin “Karposh” të dielën, më 18 nëntor 2021. duke filluar nga ora 11.00, dokumenti i politikave publike “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë dhe shkencën dhe kushtet për standarde më të larta”, i cili do të prezantohet publikisht në promovimin që do të mbahet në Hotelin “Karposh” të dielën, më 21 nëntor 2021. duke filluar nga ora 11.00 dhe dokumenti i politikave publike “Prania në publik e personelit akademik dhe institucioneve të arsimit të lartë dhe ndikimi i tyre në komunitet”, i cili do të prezantohet publikisht në promovimin që do të mbahet në Hotelin “Karposh” ditën e shtunë, më 27 nëntor 2021 me fillim në orën 11.00. Projekti “Cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë” financohet nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni, dhe zbatohet nga ekipi i ekspertëve të SPA-së.

—————————————————

18 Nëntor 2021