Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 25 mars të vitit 2022, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni dhe Fondacioni për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas Hapi” e mbajtën ngjarjen përfundimtare të projektit “Arsimi i bashkësive më të vogla etnike”. Në këtë ngjarje u prezantuan rezultatet e arritura në projektin katërvjeçar, e po ashtu u prezantua edhe publikimi “Aksion Hulumtim aksional për kulturën inkluzive shkollore” i përgatitur nga ekipet e shkollave të përfshira në projekt.

Në këtë ngjarje foli Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili theksoi se rezultatet e projektit do të jenë një burim i vlefshëm në përmirësimin e sistemit arsimor në vend, ndërsa mësimi në gjuhën amtare është kusht i rëndësishëm për zvogëlimin e dallimeve në arsim. Me ushtrimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare që në moshë të vogël, përmirësohen rezultatet e të nxënit, nxitet tek fëmijët interesi për të mësuar dhe për dituri, rritet vetëbesimi i fëmijëve dhe krijimtaria e tyre.

“Të jesh i vogël nuk do të thotë të jesh i margjinalizuar. Përkundrazi! Kjo tezë mbështetet plotësisht nga Koncepti i ri për arsimin fillor, aplikimi i të cilit filloi këtë vit shkollor në klasën e parë dhe të katërt. Ne iu përgjigjëm sfidës së sigurimit të materialeve mësimore sipas plan-programeve të reja në gjuhën boshnjake, serbe dhe turke. Ata i edukojnë fëmijët në gjuhën në të cilën janë rritur, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor, dhe përmes komunikimit gjuhësor ta transmetojnë trashëgiminë kulturore dhe kulturën e të jetuarit”, theksoi Shaqiri.

Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, në fjalën e saj hyrëse theksoi se projekti ka kontribuar në përmirësimin e kushteve për edukim dhe mësim në gjuhën turke, serbe dhe boshnjake në 10 shkolla fillore, se ka përmirësuar kushtet teknike dhe pajisjet për organizimin dhe monitorimin e mësimdhënies së rregullt dhe online, kompetencat digjitale, gjuhësore dhe të tjera të mësimdhënësve dhe ka bërë pasurimin e burimeve mësimore dhe edukative në këto gjuhë të përdorura nga mësimdhënësit dhe nxënësit.

Ajo vuri në dukje se në tre dekadat e ekzistencës së tij, Fondacioni ka investuar mbi 35 milionë dollarë në arsim, dhe shumica e tyre iu kushtuan pikërisht fëmijëve dhe të rinjve, edukimit të grupeve të margjinalizuara, veçanërisht romëve, atyre që vijnë nga familje të varfra, si dhe fëmijëve që mësojnë në ndonjërën nga gjuhët e bashkësive më të vogla etnike. “Gjithmonë jemi munduar në kuadër të mundësive tona për t’iu përgjigjur sfidave dhe iniciativave aktuale për përmirësimin e arsimit, andaj jemi të kënaqur që vitin e kaluar së bashku me UNICEF-in dhe USAID-in ishim pjesë e nismës për përgatitjen dhe shpërndarjen në kohë dhe cilësore të teksteve të reja mësimore/materialeve për klasën e parë, të përgatitura nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, në përputhje me planin mësimor që buron nga Koncepti i ri për arsimin fillor. Fondacioni e mbështeti financiarisht shtypjen e tyre për TË GJITHË nxënësit e klasës së parë që këtë vit do të vijojnë mësimin në gjuhët e bashkësive më të vogla etnike”, tha Karanfillova-Panovska.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtoresha e Fondacionit “Hap pas Hapi”, Suzana Kiranxhiska, e cila theksoi përkushtimin e fondacionit për përmirësimin e arsimit përmes zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve, sepse vetëm me mësimdhënës të përkushtuar që janë të gatshëm të ndërtojnë kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe përmes avancimit të praktikës arsimore do të kemi një mjedis gjithëpërfshirës në shkolla ku çdo fëmijë do të jetë në gjendje të arrijë potencialin e tij të plotë.

Në këtë ngjarje folën edhe përfaqësues të disa shkollave që morën pjesë në projekt dhe të cilët i prezantuan shkurtimisht hulumtimet e tyre aksionale.

 

—————————————————

28 Mars 2022