Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 23 shkurt të vitit 2022, në organizim të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Qendrës për Komunikime Qytetare dhe Asociacionit për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave, u mbajt Konferenca e Nivelit të Lartë për Promovimin e Planit të Pestë Kombëtar Aksional për Partneritetin për Qeveri të Hapur 2021-2023. Me konferencën gjithashtu u shënua edhe 10 vjetori i pranimit të Maqedonisë së Veriut në iniciativën ndërkombëtare Partneriteti për Qeveri të Hapur.

Konferenca u mbajt në kuadër të aktiviteteve të projektit “Mbështetje për procesin e zbatimit dhe monitorimit të Planit Kombëtar Aksional për Partneritetin për Qeveri të Hapur 2021-2023”, i cili financohet nga Sekretariati për Partneritetin për Qeveri të Hapur.

Në konferencë foli kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski; Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti; Drejtori Ekzekutiv Kryesor i Partneritetit për Qeveri të Hapur, Sanxhaj Pradhan; dhe Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, iu referua përfitimeve të procesit të Partneritetit për Qeveri të Hapur, duke theksuar se Qeveria në bashkëpunim të ngushtë dhe produktiv me sektorin civil dhe afarist mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e parimeve të qeverisjes së hapur. “Kjo përfshirje e të gjithë aktorëve si partnerë dhe si mekanizma kontrolli, e ka bërë këtë Qeveri më transparente dhe më të përgjegjshme. Procesi ka krijuar një bazë për pjesëmarrje, për menaxhim efikas të burimeve publike, për ndërtimin e një sistemi të integritetit dhe për krijimin e një mjedisi për qasje në informata dhe të dhëna të hapura.”, theksoi ai. Ai gjithashtu vuri në dukje se ky koncept në Maqedoninë e Veriut është pranuar dhe tani praktikohet nga komunat, Kuvendi dhe pushteti gjyqësor, që është një kontribut gjithëpërfshirës i qeverisë për sundimin e ligjit.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe AdministratësAdmirim Aliti, Ministria e të cilit e koordinon procesin e Partneritetit për Qeveri të Hapur në Maqedoninë e Veriut, i potencoi rezultatet e njohura të arritura me këtë iniciativë, duke theksuar se mbeten të përkushtuar për përdorimin e teknologjisë për angazhim dhe përfshirje më të madhe të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes dhe futjen e standardeve më të larta të integritetit. “Financat e hapura dhe disponueshmëria e informacionit për pagesat e institucioneve shtetërore ndaj kompanive, institucioneve të tjera dhe personave fizikë nëpërmjet https://open.finance.gov.mk/mk/home, Buxheti qytetar; rritja e afatit për konsultim për propozim-ligjet e ENER-it; disponueshmëria e më shumë se 300 grupeve të të dhënave në portalin për të dhëna të hapura; masat për përmirësimin e qasjes në drejtësi, krijimi i një regjistri të pronarëve të vërtetë janë vetëm disa nga rezultatet e arritura”, theksoi ai. Në fjalën e tij ai gjithashtu theksoi se mjetet inovative të kësaj iniciative mundësuan transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të komunave në vendin tonë, me ç’rast vitin e kaluar u shpallën si një nga fitueset globalë të Samitit për Partneritetin për Qeveri të Hapur, të mbajtur në Seul të Republikës së Koresë.

Drejtori Ekzekutiv Kryesor i Partneritetit për Qeveri të Hapur, Sanxhaj Pradhan, në fjalimin e tij përmes videos i falënderoi reformatorët dhe liderët e pushtetit të hapur nga Maqedonia e Veriut për pjesëmarrjen e tyre aktive, dinamike dhe të përkushtuar në Partneritetin për Qeveri të Hapur. Ai ndau kënaqësinë me entuziazmin e shprehur për qeverisje të hapur nga ish-kryeministri Zaev dhe kërkoi nga kryeministri aktual që të mbetet i përkushtuar ndaj konceptit të qeverisjes së hapur dhe të mbajë përkushtimin ndaj procesit të Partneritetit për Qeveri të Hapur. “Partneriteti për Qeveri të Hapur arrin tre qëllime; Së pari, e rrit besimin e qytetarëve, së dyti, e rrit besimin e investitorëve dhe së treti, e avancon agjendën e pranimit në BE.”përfundoi ai. Ai e pranoi rolin e rëndësishëm që e kanë luajtur përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend, të cilët e kanë formuar Rrjetin e organizatave të shoqërisë civile për Partneritetin për Qeveri të Hapur.

Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni, Fani Karanfillova-Panovska, në fjalën e saj tha se Fondacioni është gjithmonë i fokusuar në përmirësimin e mjedisit në të cilin punon dhe zhvillohet shoqëria civile dhe për këtë arsye përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në të gjitha proceset e hartimit të politikave publike është e një rëndësie të veçantë. “Kjo është arsyeja pse Fondacioni e filloi procesin e krijimit të Rrjetit të organizatave të shoqërisë civile për Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për krijimin e Këshillit Kombëtar të Partneritetit për Qeveri të Hapur.”theksoi ajo. Rrjeti dhe Këshilli janë në thelb një kontribut në formimin e strukturës kombëtare, për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile në këto mekanizma me një numër të barabartë përfaqësuesish si edhe institucionet. Në fund, ajo theksoi se me iniciativën e Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, vendi ynë është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka përfshirë një fushë prioritare Qasjen në Drejtësi në Planin Kombëtar Aksional. Si përfitim i të arriturave në fushën e Qasjes në Drejtësi dhe bashkëpunimit të vendosur ndërmjet organizatave lokale të shoqërisë civile dhe autoriteteve komunale, është themelimi i Qendrës për Qasje në Drejtësi që është hapur në komunën e Shuto Orizarit, përmes së cilës qytetarëve u ofrohen më shumë se 2.500 shërbime në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, mbrojtjes së fëmijëve, punësimit etj.

Në konferencën e nivelit të lartë, pjesëmarrësit diskutuan edhe për përfitimet e tjera të procesit të Partneritetit për Qeveri të Hapur dhe për rëndësinë e përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara në këtë proces; dhanë një pasqyrë të procesit në të cilin u identifikuan fushat prioritare gjatë bashkë-krijimit të Planit Kombëtar Aksional për Partneritetin për Qeveri të Hapur 2021-2023 (PKA për PQH 2021-2023); dhe i ndanë planet e përbashkëta për të zbatuar dhe monitoruar angazhimet e Planit Kombëtar Aksional të Partneritetit për Qeveri të Hapur 2021-2023.

Gjithashtu, pjesëmarrësit në konferencë u pajtuan se puna e përkushtuar e iniciativës për Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe përdorimi i teknologjisë për avancimin e hapjes së institucioneve ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

—————————————————

23 Shkurt 2022