Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Situata në të cilën gjendet shëndeti ynë publik dhe shoqëria jonë është e pasigurt dhe e rrezikshme, ndërsa nevoja për t’i mbrojtur qytetarët më të prekur është shumë e madhe. Për Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni, mbrojtja dhe përmirësimi i jetës së të gjithëve, posaçërisht qytetarëve të margjinalizuar është prioritet më i lartë dhe në këtë drejtim FSHHM-ja siguroi një donacion prej 100,000 dollarësh për ndërhyrje urgjente humanitare për familjet e rrezikuara rome, të cilat janë më të prekura në aspekt social dhe ekonomik direkt nga kriza shëndetësore. Me këtë donacion u siguruan paketa humanitare me ushqim dhe mjete higjienike për rreth 2,000 familje që jetojnë në Shuto Orizare, Tetovë, Gostivar, Manastir, Prilep, Kumanovë, Dellçevë, Vinicë, Pehçevë dhe në fshatin Cërnik.

Me partnerët tanë, mbetemi të përkushtuar për t’i mbështetur qytetarët e margjinalizuar për t’i përmirësuar kushtet për qasje në shërbimet shëndetësore edhe gjatë kësaj periudhe të krizës.

 

Burime për gratë, prindërit dhe organizatat qytetare në mjediset e rrezikuara në lidhje me Covid-19

Në kohë pasigurie dhe paqartësie të madhe, jo vetëm për sa i përket shëndetit publik, por edhe për sa i përket jetës shoqërore dhe ekonomike, është e nevojshme të gjenden mënyra për të siguruar mbështetje të komunitetit, e veçanërisht për të margjinalizuarit.

Në këtë drejtim, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE përgatiti disa burime për gratë, prindërit dhe organizatat e shoqërisë civile në zona të prekura, si dhe një udhëzues për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me grupe të cenueshme në komunitet. Këto burime do të ofrojnë shumë informacione të dobishme për atë se çka mund të bëhet në nivelin e komunitetit për ta promovuar solidaritetin shoqëror në kohë distancimit fizik, për shtatëzëninë, por edhe gjidhënien dhe kujdesin për një të porsalindur gjatë epidemisë së COVID-19. Do të të sigurojnë dhe këshilla për atë se se si të bisedohet me fëmijët, anëtarët e bashkësisë, familjen dhe miqtë, me qëllim që të zvogëlohet frika, stigma dhe diskriminimi që lidhen me koronavirusin e ri COVID – 19.

 

Kujdesi për shëndetin seksual dhe riprodhues në kohën e krizës shëndetësore

Fokusi i punës së “HERA” – Asociacionit për edukim shëndetësor dhe hulumtim edhe gjatë kësaj krize shëndetësore është shëndeti seksual dhe riprodhues. Përmes Memorandumit të Bashkëpunimit me Qendrën për Menaxhimin e Krizave dhe HERA-s, aktualisht është duke u zhvilluar procedura për blerjen e të ashtuquajturit “dignity kit” (“çantë dinjiteti”) për gratë dhe vajzat në periudhën riprodhuese me fokus të veçantë në gratë shtatzëna.

Në periudhën e krizës, HERA e mbështet shpërndarjen e paketave të destinuara për zonën e krizës në Dibër, gjegjësisht për gjinekologjinë, si dhe për personat me aftësi të kufizuara, ndërsa në realizimi e sipër është edhe një anketë telefonike për gratë në periudhën riprodhuese, për t’i zbuluar nevojat për shërbime higjienike.

Përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, shërbimet për gratë shtatzëna në Qendrat Rinore “Dua të di” që gjendet në Shuto Orizare dhe në Vodno funksionojnë pa probleme, por megjithatë sipas protokolleve të reja të modifikuara. Konsultimet telefonike dhe në internet mbeten aktive dhe të disponueshme për qytetarët.

 

Ndahen 1.500 maska dhe doreza për nevojat e komunitetit

Zyra e Qendrës Kombëtare të Romëve – Kumanovë përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, nuk është e mbyllur dhe ato janë të disponueshme çdo ditë për komunitetin në Kumanovë dhe zonën përreth (Kriva Pallankë, Kratovë, Probishtip, Shtip, Koçanë, Radovish, Strumicë, Prilep, Veles, Kërçovë). QKR-ja është gjithashtu pjesë e Njësisë së Krizës në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe është e përfshirë në përballjen me krizën e shkaktuar nga Covid-19 në rajonin në të cilin është aktive.

QKR-ja gjithashtu ka përgatitur edhe një doracak në gjuhën rome dhe maqedonase, që do të transmetohet në televizion dhe do t’u mundësojë nxënësve ta ndjekin mësimin gjatë periudhës derisa shkollat janë të mbyllura.

Njëkohësisht, me ndihmën e QKR-së janë ndarë 1.500 maska dhe doreza për nevojat e komunitetit.

 

Materialet dhe rekomandimet e OBSH-së dhe MSH-së u përkthyen dhe u sinkronizuan në gjuhën rome

Përkundër gjendjes së jashtëzakonshme, zyra e “IRIZ”-it nuk është e mbyllur. Për çdo ditë ka punonjës kujdestarë që janë të disponueshëm për komunitetin dhe të cilët japin informacion për masat mbrojtëse kundër virusit, por gjithashtu edhe bisedojnë me ata që kanë nevojë për informacion shtesë.

Për qasje më të lehtë, materialet dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë janë përkthyer dhe sinkronizuar në gjuhën rome me ndihmën e “IRIZ”-it. Në të njëjtën kohë, në koordinim paraprak me komunën e Shuto Orizares dhe me organizata të tjera që punojnë në terren, “IRIZ”-i mundëson shpërndarjen në kohë të paketave për familjet më të prekura nga kriza shëndetësore.

Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, “IRIZ”-i është pjesë e Shtabit të Krizës, të formuar nga komuna e Shuto Orizares për t’i koordinuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile që punojnë në terren me komunitetin, e me qëllim që ndihma e siguruar të arrijë deri te ata që kanë më shumë nevojë për të.

 

Aksione për ta informuar dhe edukuar komunitetin në lidhje me COVID-19

Stacioni “P.E.T.” filloi me zbatimin e aksioneve për informimin dhe edukimin e komunitetit në lidhje me COVID-19. Në të njëjtën kohë, brenda aktiviteteve të tyre, ata shpërndanë 150 paketa të dedikuara për familjet më të rrezikuara.

Përmes platformës online “Thirr ndihmë urgjente parajuridike”, e cila është në dispozicion në ueb-faqen e “P.E.T.”-it,  ndihma juridike për grupin e synuar (shfrytëzuesit dhe kërkuesit) ofrohet në mënyrë të pandërprerë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

 

Broshurë me informacione për mbrojtjen nga COVID-19 për familjet në Tetovë dhe Gostivar  

“Dielli” (Sonce) Tetovë siguron mbështetje, ndihmë dhe kontakte me komunitetin nga komunat e Tetovës dhe Gostivarit, rregullisht dhe pa pengesa në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme.

Në bashkëpunim me dr. Arif Pinin është duke u finalizuar, e pastaj edhe do të publikohet dhe shpërndahet një broshurë me informacione për mbrojtjen nga COVID-19. Kopjet e broshurës do të shpërndahen së bashku me paketat që do të shpërndahen në komunitet, në Tetovë dhe Gostivar.

Në 12 komuna ku “Dielli” – Tetovë ka krijuar strukturat e veta, janë formuar Shtabet e Krizës, në të cilat ka edhe nga 1 (një) anëtar të komunitetit, si dhe vullnetarë për shpërndarjen e paketave higjienike dhe ushqimore.

Gjatë muajit mars të vitit 2020, u realizuan 3 punëtori motivuese online, përmes të cilave u përfshinë 50 familje që jetojnë në vendbanime të ndryshme (të rrezikuara) në Tetovë dhe Gostivar. Punëtoritë ishin të koordinuara nga parajuristët, ndërsa dr. Arif Pini ishte trajnues, ku pati mundësinë t’i informojë klientët për ndihmë parajuridike se çfarë do të thotë në të vërtetë virusi COVID-19, cilat janë dhe si t’i njohin simptomat e këtij virusi, dhe më e rëndësishmja, cilat masa duhet t’i marrin qytetarët për t’u mbrojtur në një situatë të tillë.

 

Paketa për familjet e rrezikuara në Dellçevë, Vinicë dhe Berovë

KHAM – Dellçevë e monitoron rregullisht situatën në terren me komunitetin në Dellçevë, Vinicë dhe Berovë dhe në bashkëpunim me komunat zhvillojnë një aksion të përbashkët – shpërndanë 30 paketa me ndihma për familjet e rrezikuara.

 

Paketa higjenike për gratë nga Shuto Orizari

Në bashkëpunim dhe koordinim me përfaqësuesit e komunës së Shuto Orizares, Iniciativa e grave nga Shuto Orizare kujdeset në mënyrë aktive për shëndetin e grave edhe në kohë të krizës shëndetësore.

Gratë shtatzëna do të jenë në gjendje të marrin informacione se si të mbrohen përmes komunikimit në internet, e po ashtu është krijuar edhe një grup në Facebook për të diskutuar të gjitha nevojat aktuale në përputhje me situatën me COVID-19. Së shpejti pritet të hapet një linjë telefonike për të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë juridike dhe parajuridike.

Iniciativa ka një bazë të dhënash të shfrytëzuesve të shërbimeve, në bazë të të cilës është planifikuar të bëhet shpërndarja e paketave higjienike, sipas nevojave të identifikuara të grave me të cilat ata kanë kontakte të rregullta.

 

Kontakt i vazhdueshëm me të moshuarit që vuajnë nga sëmundjet kronike

Romano Çaçipe e monitoron në mënyrë aktive situatën në terren dhe siguron informacione për komunitetin rom. Me anë të telefonit, ata janë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin e moshuar që vuan nga sëmundjet kronike, diabetikë, me presion të lartë të gjakut dhe të gjithë ata që janë në rrezik.

Në përputhje me problemet dhe nevojat aktuale të komunitetit, Romano Çaçipe ofron zgjidhje dhe informacione aktuale për të gjithë qytetarët që kanë nevojë.

—————————————————

6 Prill 2020