Të rinjtë në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë një kategori e qytetarëve që shteti rrallë i shikon të ndarë nga kategoritë e tjera të qytetarëve. Edhe kur bëhet fjalë për krijimin e politikave të dedikuara për të rinjtë, shteti ka më shpesh një qasje të unifikuar në vend që t’i vë në perspektivë nevojat e të rinjve me prejardhje të ndryshme, siç janë të rinjtë nga mjediset rurale dhe qytetet e vogla, të rinjtë me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë nga familjet me të ardhura të ulëta.
Duke pasur parasysh këtë, është e lehtë të supozohet se të rinjtë, sipas nevojave të të cilëve nuk miratohen politika dhe zgjidhje, kanë më pak zgjedhje kur bëhet fjalë për mundësitë arsimore, mundësitë për zhvillim dhe avancim personal, mundësi për vetë-realizim, si dhe për pjesëmarrje në ngjarje kulturore. Mungesa e politikave të krijuara si duhet për të rinjtë në fushën e arsimit, punësimit apo mbrojtjes sociale, funksionaliteti i ulët i institucioneve, kontribuojnë në rritjen e shkallës së emigrimit të të rinjve nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Emigrimi, pakënaqësia, si dhe mungesa e komunikimit për përfshirjen aktive të të rinjve në proceset demokratike, janë pjesë e faktorëve që ndikojnë në ngecjen e kapitalit social të të rinjve në vendin tonë gjatë dhjetë viteve të fundit. Mungesa e politikave, strategjive dhe dokumenteve moderne që do të avancojnë pozitën e të rinjve, nëpërmjet përfshirjes së tyre efektive në vendimmarrje në procesin arsimor, në nivel lokal dhe kombëtar, është diçka që vazhdon ndër vite si sfidë për autoritetet arsimore, lokale dhe kombëtare. Për të kontribuar në promovimin e politikave rinore dhe informimit të të rinjve, Forumi Arsimor Rinor realizoi një nga hulumtimet e rralla, nëse jo edhe të vetmin, që i analizon nevojat dhe mundësitë e të rinjve në Republikën e Maqedonisë së Veriut sipas numrit të banorëve në vendbanimet e tyre, si dhe sipas rajoneve planifikuese në vend, duke ofruar të dhëna specifike që autoritetet kompetente duhet t’i kenë parasysh gjatë krijimit të politikave. Hulumtimi “Mundësitë dhe nevojat e (pa)barabarta rinore – Hulumtim mbi sfidat dhe nevojat e të rinjve sipas madhësisë së vendbanimit” është zhvilluar me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni në kuadër të konceptit Arsimi i bashkësive më të vogla etnike.
Hulumtimi është prezantuar para publikut në një ngjarje që të mbajtur më 22 dhjetor, ku autorja e hulumtimit, profesoresha Natasha Stanojkovska Trajkovska foli më në detaje për gjetjet e hulumtimit, ndërsa rekomandimet që dalin nga hulumtimi i prezantoi Petar Barllakovski nga FAR-i.
Hulumtimi është një dokument i rëndësishëm që paraqet perceptimet e të rinjve për sfidat dhe problemet në vend në lidhje me standardin e jetesës, arsimin, kulturën, argëtimin dhe sportin, pjesëmarrjen e të rinjve, si dhe për çështje të tjera që janë me interes për të rinjtë. Ajo që e dallon këtë hulumtim nga studimet e tjera të kryera në lidhje me të rinjtë dhe standardin e tyre të jetesës është se hulumtimi, ndër të tjera, synon t’i zbulojë dallimet kryesore në perceptimet e të rinjve për fusha të veçanta në varësi të madhësisë së vendbanimit të tyre. Me këtë, lexuesit, publiku, por më e rëndësishmja institucionet kompetente – qendrore dhe lokale – do të kenë një pasqyrë të detajuar të problemeve dhe të sfidave kryesore me të cilat përballen të rinjtë në të 8 rajonet planifikuese në vend, dallimet mes të rinjve në varësi të madhësisë së vendbanimit të tyre, gjegjësisht dallimet mes të rinjve që jetojnë në zonat urbane dhe atyre që jetojnë në zonat rurale.
Pas prezantimit të hulumtimit, në aktivitet u zhvillua një diskutim nga përfaqësuesit e ftuar të institucioneve, si më poshtë: Monika Zajkova, deputete e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Evgenija Janakieska, zyrtare për të rinjtë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Gjorgji Tasev, këshilltar për të rinjtë dhe politikat rinore në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Hulumtimi i plotë është në dispozicion në këtë LINK, ndërsa një version i shkurtër me gjetjet dhe rekomandimet kryesore është në dispozicion në këtë LINK.
—————————————————
23 Dhjetor 2021