Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

U mbajt debat mbi sfidat në zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi

 

Në organizim të Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi u mbajt debat publik, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, i cili iu kushtua sfidave në zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Në debat morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, mediave dhe Avokati i Popullit.

“Në një situatë kur Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ende nuk është formuar, sipas ligjit të ri, nuk kemi mekanizma institucionalë para të cilave mund t’i raportojmë këto raste.”

Organizatat qytetare theksuan se katër muaj pas miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, implementimi i tij ende nuk ka filluar. Përbërja e re e Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi ende nuk është zgjedhur nga Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, sipas vërejtjeve të Rrjetit, është jotransparent dhe joinkluziv. Publiku nuk është në dijeni se deri ku ka arritur procesi i përzgjedhjes, as kush ka aplikuar, as nëse kualifikimet e aplikuesve janë të përshtatshme me kërkesat e konkursit, as nëse parimi i përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë gjinor do të respektohet në zgjedhjen e Komisionit.

“Në periudhën e kaluar ishim dëshmitarë të gjuhës së shpeshtë seksiste nga figurat publike dhe mediat, si dhe të gjuhës së urrejtjes. Në një situatë kur Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ende nuk është formuar, sipas ligjit të ri, nuk kemi mekanizma institucionalë para të cilave mund t’i raportojmë këto raste.”

Sipas të dhënave me të cilat disponon Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në vitin 2018 pati një rritje të shpejtë të ankesave të paraqitura në Komisionin për Mbrojtjen nga Diskriminimi – janë parashtruar 132 ankesa, për dallim nga viti 2017 kur u parashtruan 59 ankesa. Por, me vonesën e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit, mund të krijohet një situatë e boshllëkut ligjor pasi ekziston mundësia që të kalojë afati për t’i shqyrtuar ankesat që tashmë janë parashtruar nga qytetarët për diskriminim në baza të ndryshme. Në këtë mënyrë, dhe për shkak të kësaj vonese, qytetarët nuk mund të marrin mbrojtje efektive kundër diskriminimit, veçanërisht nëse ai ndodh në sektorin privat.

RMD insiston që Parlamenti të formojë me urgjencë Komisionin e pavarur për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si një element kryesor në zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Me këtë rast, duhet të zgjidhen kandidatë profesionistë dhe të pavarur, të cilët në asnjë mënyrë nuk janë të lidhur me partitë politike. Për më tepër, përkatësia etnike nuk duhet të jetë kriteri i vetëm, dhe duhet të merret parasysh barazia gjinore dhe të përfshihen përfaqësuesit e komuniteteve të margjinalizuara.

Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi theksoi se përkundër vullnetit politik, megjithatë çështja nuk është trajtuar aq seriozisht. Në një vend demokratik, çështja e mosdiskriminimit duhet të jetë prioritet, veçanërisht në prag të pritjeve për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

 

—————————————————

30 Shtator 2019