Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” më 10.12.2020 mbajti ngjarje promovuese para Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Me këtë ngjarje, Koalicioni u përpoq të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes për standardet e gjykimit të drejtë.
Para Gjykatës Themelore Penale në Shkup, si një nga gjykatat më të mëdha në Republikën e Maqedonisë së Veriut me frekuencën më të lartë të qytetarëve, u vendos një stendë dhe u shpërndanë materiale promovuese si dhe një doracak për qytetarët. Materialet promovuese që i morën qytetarët në këtë ngjarje janë mesazhe të shtypura në lidhje me të drejtat e qytetarëve që i referohen parimit të gjykimit të drejtë dhe korrekt, të drejtës për gjykim publik, si dhe informacione të tjera që lidhen me të drejtat e qytetarëve në procedurat gjyqësore. Doracaku “Për herë të parë në gjykatë” – procedura penale, u dedikohet qytetarëve që nuk kanë informacion dhe udhëzime se si duhet të sillen në gjykatë, nëse thirren. Ky doracak ofron udhëzime dhe rekomandime për qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme në fushën e ligjit, e që kanë nevojë për qasje në drejtësi për të mbrojtur të drejtat e tyre në procedurë gjyqësore.
Ngjarja u zhvillua në kuadër të projektit “Monitorimi sistematik i procedurave gjyqësore penale”, i financuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Qëllimi i këtij projekti është të mbështesë reformën gjyqësore që synon përmbushjen e plotë të kritereve të përcaktuara në Kapitullin 23 duke vlerësuar efikasitetin e drejtësisë penale në gjykatat themelore dhe monitorimin e zbatimit praktik të garancive procedurale të përcaktuara në Ligjin e Procedurës Penale dhe standardet e pranuara ndërkombëtarisht për gjykim të drejtë dhe korrekt. Projekti synon gjithashtu të rrisë transparencën e gjykatave në nivelin institucional duke forcuar të drejtën për gjykim publik në gjykatat themelore, si një nga komponentet e standardeve për gjykim të drejtë dhe korrekt, si dhe ngritjen e vetëdijes për standardet e gjykimit të drejtë duke iniciuar debate publike dhe aktivitetet për përfaqësim për t’i kapërcyer gjendjet e konstatuara.
—————————————————
10 Dhjetor 2020