Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Gjithsej 638 bursa janë ndarë për nxënësit romë të regjistruar në klasën e parë dhe të dytë në vitin shkollor 2020/2021 në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “TË RREGULLT NË ORË: Aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor” Projekti implementohet nga ana e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni së bashku me partnerët e saj Shoqatën “Qendra për Mbështetje në Arsim – Dendo vas” dhe Fondacionin për Iniciativa Arsimore dhe Kulturore “Hap pas hapi”.

Të drejtë për bursë kishin nxënësit romë që janë të regjistruar në klasën e parë në vitin shkollor 2020/2021, familjet e të cilëve janë përfitues të ndihmës sociale, e cila është e lidhur me të ardhurat e familjes. Duke i ndjekur këto kritere, bursat iu dhanë gjithsej 320 nxënësve të regjistruar në klasën e parë. Bursistët vijnë nga 58 shkolla fillore nga 31 komuna.

Në të njëjtën kohë, në këtë vit shkollor janë ndarë  315 bursa për nxënësit romë të regjistruar në klasën e dytë, dhe tre bursa për nxënëset e regjistruara në klasën e tretë.  Bursistët vijnë nga 56 shkolla fillore në 28 komuna dhe 54% janë vajza ndërsa 46% janë djem. 280 bursistëve iu rinovua bursa që iu dha vitin e kaluar për klasën e parë. Tre prej tyre u transferuan në klasën e dytë, kështu që këtë vit shkollor ata e ndjekin mësimin në klasën e tretë dhe bursa e tyre është rinovuar.

Me anë të bursave do të zvogëlohen shpenzimet financiare të familjeve rome që lidhen me shkollimin e fëmijëve të tyre. Bursa mbulon një periudhë prej një viti shkollor dhe është në vleër prej 400 eurosh në vit (në kundërvlerë në denarë). Ajo është e dedikuar për t’i mbuluar shpenzimet e shkollimit të fëmijëve, ushqimit, veshjes, mjeteve dhe materialeve shkollore, pajisjeve sportive dhe pajisjeve të tjera për aktivitete jashtëshkollore të fëmijëve. Nxënësit e rregullt do të mund ta mbajnë bursën për vitin aktual shkollor, ndërsa ata që do të kalojnë me sukses në klasën e ardhshme, potencialisht do të jenë në gjendje ta rinovojnë atë dhe vitin e ardhshëm shkollor.

 

*****

Rreth projektit “TË RREGULT NË ORË: Aksion për përfshirjen e romëve në arsimin fillor”

 

Projekti ka për qëllim të sigurojë qasje të barabartë në arsim për fëmijët romë dhe t’i motivojë fëmijët të jenë të rregullt në orë, por gjithashtu edhe t’u ndihmojnë shkollave të sigurojnë një mjedis inkluziv për mësim, ku respektohet diversiteti dhe ku të gjithë fëmijët ndihen të mirëpritur dhe të stimuluar në mënyrë të barabartë për të pasur sukses. Projekti është i financuar nga Bashkimi Evropian dhe do të implementohet deri në tetor të vitit 2022. Më shumë informacion mund të gjeni në ueb-faqen e FSHHM-së dhe në faqen e projektit në Facebook.

—————————————————

23 Shkurt 2021