Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Sot, më 27.01.2021, në kuadër të projektit “Dialog me organizatat qytetare – Platforma për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE” u mbajt konsultimi sektorial online në temën ““Efektet e punës së Grupit sektorial të punës për drejtësi dhe sfidat e ardhshme për përmirësimin e bashkëpunimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve.”  

Konsultimi i sotëm sektorial u hap nga Dançe DANILLOVSKA-BAJDEVSKA, Drejtor e programeve në Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni, e cila vuri në dukje rëndësinë e Grupeve sektoriale të punës (GSP) që shërbejnë si mekanizëm për dialog sa i përket politikave publike, programimit të ndihmës evropiane dhe koordinimit të donatorëve. Lidhur me GSP-në për drejtësi, ajo theksoi se ata janë një nga pionierët në krijimin e politikave sektoriale, por se ende ka probleme në lidhje me funksionalitetin e GSP-së. Si shembull, ajo theksoi se plani vjetor për punës i GSP-së për drejtësi nuk është përgatitur ende, si dhe se dokumentet themelore dhe vendimet për GSP-në nuk janë publikuar ende në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Në fund, ajo theksoi se angazhimi kryesor në periudhën e ardhshme duhet të jetë rishikimi i Modelit të zgjedhjes së përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile në të gjitha GSP-të duke i ndryshuar Rregulloret e punës.

Ministri i Drejtësisë, Bojan MARIÇIQ, iu referua rezultateve të punës së grupit sektorial të punës për drejtësi dhe theksoi se institucionet janë të hapura për bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile. Ai theksoi se përfaqësuesit e sektorit të shoqërisë civile që punojnë në këtë grup sektorial kanë ekspertizë dhe njohuri të madhe për temat e sektorit dhe potencoi se reformat që bëhen në fushën e drejtësisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme për gjithë vendin.

Nikolla BERTOLINI, Udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim në Delegacionin e BE-së, u ndërlidh duke theksuar se ky grup sektorial i punës është në një pozicion të privilegjuar mu për atë se shumë organizata punojnë në temat që i ndjek ky grup – gjyqësia, anti-korrupsioni dhe anti-diskriminimi. Ai bëri thirrje për një koordinim më të mirë të grupeve sektoriale të punës, por gjithashtu vuri në dukje problemin se shumica e diskutimeve zhvillohen në lidhje me ndihmën e IPA-s, në vend që, siç tha ai, të çojnë në krijimin e politikave sektoriale.

Misha POPOVIQnga Instituti për Demokraci dhe Platforma për Luftë Kundër Korrupsionit bëri thirrje për një koordinim më të mirë të ndihmës ndërkombëtare dhe aksion kolektiv kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se është problem ajo që organizatat e shoqërisë civile, nga njëra anë, duhet të ulen në të njëjtën tryezë me institucionet për ndihmë dhe konsultime, por nga ana tjetër, edhe t’i kritikojnë dhe të bëjnë presion mbi të njëjtat institucione për t’i zbatuar reformat.

Maja STOJANOSKA, nga Instituti për të Drejtat e Njeriut dhe pjesë e grupit Blueprint për reforma në gjyqësi, ndau përvojën e saj nga puna në grupet sektoriale të punës dhe bëri thirrje për përfshirje më të madhe të organizatave të shoqërisë civile, si dhe për monitorim më të koordinuar të reformave.

Në ngjarje morën pjesë mbi pesëdhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore, përfaqësues të grupeve sektoriale dhe të mediave.

Kjo konferencë është pjesë e projektit “Dialog me organizatat qytetare – Platformë për pjesëmarrje strukturore në integrimin në BE”, të cilin e koordinon dhe e implementon Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, me partnerët Reaktor – Hulumtimi në Aksion, EUROTHINK – Qendra për strategji evropiane dhe Qendra për komunikime qytetare.

Videon nga ngjarja mund ta shikoni në këtë link.

Raportin e plotë mbi Grupin sektorial të punës për drejtësi mund ta shkarkoni në këtë link.

—————————————————

27 Janar 2021