Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Pothuajse katër muaj pas rishikimit të inicitiavës për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gjykata Kushtetuese në seancën e saj të 14-të të mbajtur në 14.5.2020, vendosi për rastin, me ç’rast solli vendim që ta shfuqizojë Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Vendimi me mendimin e veçantë të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit Sali Murati, u publikua në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese më 27.5.2020. Pas analizimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mendimit të veçantë, dëshirojmë të shprehim edhe një herë qëndrimin e Grupit Blueprint të organizatave të shoqërisë civile për reformën në gjyqësi në lidhje me këtë çështje juridike, qëndrim ky që është në përputhje me mendimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në momentin e paraqitjes së iniciativës, nuk ka asnjë subjektivitet ligjor, dhe kështu nuk ka të drejtë për të paraqitur iniciativa në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas mendimit të Grupiz Blueprint të organizatave të shoqërisë civile për reformën në gjyqësi, Gjykata Kushtetuese ka bërë lëshim sepse nuk i kontrolloi supozimet e procesit që nevojiten për zhvillimin e procedurës dhe për këtë arsye ka lejuar që Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi të paraqitet si parashtrues i iniciativës. Në parim, nuk diskutohet që Komisioni mund të parashtrojë iniciativë. Mirëpo, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një organ kolektiv, Gjykata Kushtetuese ishte e detyruar të përcaktojë nëse Komisioni kishte legjitimitet për të paraqitur iniciativë, gjegjësisht nëse Komisioni kishte marrë vendim për të parashtruar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese. Lëshimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese është se nuk ka vërtetuar se nuk ekziston supozimi i procesit për subjektivitet juridik të paraqitësit të iniciativës, gjegjësisht nëse në kohën e tërë procedurës, parashtruesi kishte subjektivitet juridik, gjegjësisht nëse ai ka ekzistuar në komunikacionin ligjor, që është supozim themelor i procesit për të zhvilluar procedurë para cilës do qoftë gjykatë apo organ shtetëror. Në fakt, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (Gazeta Zyrtare e RMV, nr. 101, e datës 22.5.2019) në nenin 48 të Dispozitave Kalimtare dhe Përfundimtare përcakton se “(1)Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, pushon mandati i anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, dhe ata do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por jo më gjatë se tre muaj.” Prandaj, duke pasur parasysh që me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (Gazeta Zyrtare e RMV, nr. 101, të datës 22.5.2019) parashikohet komision i ri me mandat të ndryshëm, dhe nuk ka dispozita se Komisioni i krijuar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” Nr. 50/2010) vazhdon të funksionojë dhe në përputhje me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (Gazeta Zyrtare e RMV, nr. 101, të datës 22.5.2019), konsiderohet se me Ligjin e vitit 2019 formohet komision i ri me mandat dhe kompetenca të ndryshme nga ai i mëparshmi. Kjo do të thotë që Komisioni që ishte paraqitës i iniciativës pushoi së punuari, gjegjësisht të ekzistojë pas skadimit të 3 muajve nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (Gazeta Zyrtare e RMV, nr. 101 të datës 22.5.2019), gjegjësisht më 21.08.2019, dhe kështu supozimi i procesit për ekzistencën e subjektivitetit juridik të paraqitësit të iniciativës nuk është përmbushur, me ç’rast janë përmbushur kushtet për ndalimin e procedurës para Gjykatës Kushtetuese, të parashikuara në nenin 47, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese do të ndalojë procedurën: – nëse gjatë procedurës përfundojnë supozimet e procesit për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

Kuvendi ka zbatuar shumicën e saktë në miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Gjykata Kushtetuese i interpreton në mënyrë të padrejtë dispozitat kushtetuese

Përveç kësaj, mbetet mendimi ynë se në pajtim me nenin 75, Kushtetuta nuk parashikon ndonjë mekanizëm për ndalim gjegjësisht pengesë për Presidentin që ta nënshkruajë dekretin. Neni 75 i Kushtetutës nuk rregullon çështjen e shumicës së nevojshme për të miratuar një ligj, por çështjen e shpalljes së ligjeve. Pajtohemi me atë që është theksuar në mendimin e veçantë, ku thuhet se duhet të kihet parasysh se në dispozitë përdoret termi “miratoi” në vend të termit “solli”, të cilin Kushtetuta e përdor për shumicën e kërkuar për të miratuar ligje, që është një ndryshim thelbësor.

Kushtetuta nuk parashikon shumicë të veçantë për miratimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi

Shumica e kërkuar për miratimin e ligjeve përcaktohet me Kushtetutën e RMV-së, gjegjësisht me normën e mbetur të Amandamentit X të Kushtetutës dhe me nenet individuale të Kushtetutës që përcaktojnë një shumicë të veçantë, qoftë ajo me shumicë e thjeshtë ose relative, me shumicë absolute ose e kualifikuar ose e dyfishtë, ose e ashtuquajtur shumicë e Badenterit. Kështu, Kushtetuta parashikon shumicë të veçantë për ligje të caktuara, por në lidhje me ligjin konkret, Kushtetuta nuk parashikon një shumicë të veçantë, që edhe nëse Kuvendi e ka miratuar Ligjin me shumicën e kërkuar, në këtë rast, me shumicë votash të deputetëve të pranishëm, dhe Presidenti ka dashur ta nënshkruajë dekretin, konsiderojmë se kjo është në përputhje me Kushtetutën.

Kur ligji rivotohet me shumicë të thjeshtë pas rishikimit, Presidenti mund ta nënshkruajë dekretin

Paragrafi 3 i nenit 75 të Kushtetutës nuk parashikon, në këtë kuptim, se ndonjë ligj që miratohet me shumicë të thjeshtë duhet të miratohet me shumicë absolute kur miratohet për herë të dytë pasi që Presidenti i Republikës ka refuzuar më parë të nënshkruajë dekretin, por vetëm e potencon detyrimin dhe obligimin që Presidenti ta nënshkruajë Dekretin për shpalljen e ligjit, i cili është miratuar me shumicë të thjeshtë pas rishikimit. Në këtë drejtim, konsiderojmë se shumica absolute në këtë nen është paraparë vetëm në drejtim të detyrës së Presidentit dhe si një mekanizëm detyrues për nënshkrimin e dekretit të një ligji të caktuar, i cili është miratuar nga shumicën e përcaktuar, të cilën Presidenti nuk dëshiron ta nënshkruajë. Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj vlerësoi se për shkak se ky ligj ishte hedhur në votim përsëri pasi Presidenti i Republikës më parë kishte refuzuar të nënshkruante dekretin për shpalljen e ligjit, ligji fiton legjitimitet më të madh dhe ai duhet të miratohet me shumicë absolute të votave. [1] Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se për shkak të faktit se ky ligj është hedhur në votim përsëri pasi vetos së mëparshme nga Presidenti i Republikës, Gjykata vlerësoi se në atë rast ligji fiton legjitimitet më të madhe dhe se ai duhet të miratohet me shumicë absolute të votave, siç parashikon neni 75 paragrafi 3 i Kushtetutës, normë e cila, sipas Gjykatës, është një normë juridike imperative.

Çështja e legjitimitetit të ligjeve duke përcaktuar shumicë të ndryshme për miratimin e tyre është një çështje e përcaktuar me Kushtetutë, dhe jo diskrecion i Gjykatës Kushtetuese.

Në lidhje me çështjen e legjitimitetit që trajtohet nga Gjykata Kushtetuese në Vendim e saj, legjitimiteti i ligjeve është një çështje që rregullohet me Kushtetutë duke përcaktuar shumicat e ndryshme të nevojshme për miratimin e ligjeve, siç theksuam edhe më lart në tekst, gjë që nuk le hapësirë që ajo të përcaktohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Mbetemi në qëndrimin se nuk mund t’i mohohet e drejta kushtetuese Kuvendit që të miratojë ligje me shumicë nga numri i përgjithshëm i deputetëve të pranishëm dhe të paktën nga një e treta e numrit të përgjithshëm të deputetëve, përveç nëse me Kushtetutë nuk është e parashikuar shumicë e veçantë. Nuk mundemi t’ia mohojmë të drejtën diskrete as presidentit që të vendosë për nënshkrimin e dekretit. Varet nga Kuvendi se a do të sigurojë shumicë absolute gjatë kthimit të ligjit në mënyrë që presidenti të jetë i detyruar ta nënshkruajë atë.

Ky precedent i Gjykatës Kushtetuese krijon një mekanizëm për obstruksione në miratimin e ligjeve nga ana e Presidentit të vendit

Duhet gjithashtu të theksojmë se në bazë të gjithë asaj që u tha më sipër, Grupi Blueprint për reforma në gjyqësi nuk pajtohet me deklaratat e Presidentit të vendit se është bërë lëshim në procedurë, për arsye të cilat shtjelluar në detaje në këtë dokument. Me këtë vendim u bënë ndryshime në shumicat e ndryshme të përcaktuara me kushtetutë dhe ai mund të paraqesë një mekanizëm të rrezikshëm për obstruksione nga ana e Presidentit të Republikës dhe mundësi për ta ndryshuar shumicën e nevojshme të parashikuar me kushtetutë për miratimin e ligjeve.

Në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme, nuk kemi Ligj për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi që i mbron qytetarët

Duke pasur parasysh faktin që, siç thotë Kushtetuta si akti më i lartë juridik në vend, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe ekzekutive, mbetet vetëm të zbuten pasojat e këtij vendimi.

Vendimi për shfuqizimin e këtij ligji nga Gjykata Kushtetuese u mor në kushte specifike të gjendjes së shpallur të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, qeverisë teknike dhe Kuvendit të shpërbërë. Si rezultat i kësaj situate për miratimin e një ligji të ri për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit, pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të shpallura, do të vendosë përbërja e re e Kuvendit, e cila le kohë dhe hapësirë për ta shfuqizuar ligjin e vjetër dhe për të miratuar ligj të ri. Fakti që ky ligj u shfuqizua do të thotë se ligji ishte në mënyrë të ligjshme pjesë e qarkullimit ligjor të vendit, dhe se dispozitat e tij kalimtare kanë hyrë në fuqi, të cilat përcaktojnë se me datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk vlen më Ligji i mëparshëm për Parandalimin dhe Mbrojtjen e diskriminim.

Në këtë moment, nevojitet zbatim i drejtpërdrejtë i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut

Në një situatë të tillë, është i nevojshëm zbatimi i drejtpërdrejt i  Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe i dokumenteve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara që janë pjesë e rendit juridik të vendit tonë.

Për më tepër, duke pasur parasysh se ndalimi i diskriminimit është një kategori kushtetuese për mbrojtjen e së cilës është kompetente Gjykata Kushtetuese, kjo situatë e thekson rëndësinë që Gjykata Kushtetuese në periudhën e ardhshme të veprojë dhe t’i mbrojë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarit që kanë të bëjnë me ndalimin e diskriminimit të qytetarëve në bazë të gjinisë, racës, fesë, kombësisë, përkatësisë sociale dhe politike.

Përbërja e re parlamentare ua ka borxh qytetarëve, që menjëherë pas konstituimit të tij, ta miratojë Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Dëshirojmë ta theksojmë edhe një herë rëndësinë thelbësore që menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të shpallura dhe zgjedhjes së përbërjes së re parlamentare, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi të jetë ndër pikat e para në rendin e ditës së Kuvendit. Është e nevojshme të miratohet Ligji, dhe menjëherë pas kësaj të zhvillohet procedura për zgjedhjen e komisionerëve të rinj në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në mënyrë që qytetarët të marrin më në fund mbrojtje më të mirë, më profesionale dhe më efikase të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.

[1] Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të RMV-së për lëndën 155/19, gjendet në http://ustavensud.mk/?p=19246

Analizën e plotë mund ta lexoni KËTU.

—————————————————

13 Qershor 2020