Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Më 25 shkurt 2021, u mbajt konferenca përmbyllëse e projektit “Për Drejtësi – Monitorimi i zbatimit të Strategjisë për Reformën e Sektorit Gjyqësor 2020-2021”, i zbatuar nga Grupi Blueprint për Reforma në Gjyqësi, i mbështetur financiarisht nga Fondacion Shoqëri e Hapur – Maqedoni. Ngjarja u mbajt online, në përputhje me rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit publik për shkak të pandemisë së virusit KOVID – 19.

Ngjarja iu kushtua sfidave që u paraqitën nga pandemia dhe gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut për organet shtetërore dhe publike, me theks të veçantë në ndikimin e kushteve të jashtëzakonshme të punës mbi gjyqësinë, organet gjyqësore dhe zbatimin e Strategjisë së Reformës në Gjyqësi. Në ngjarje morrën pjesë gjyqtarë, bashkëpunëtorë profesionalë të gjykatave, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, komunitetit akademik, sektorit të OJQ-ve, ekspertë të fushës dhe mediat.

Konferencën e hapi Dançe Danillovska Bajdevska, Drejtore e Programeve në Fondacionin Shoqëri e Hapur – Maqedoni, e cila konfirmoi se një nga prioritetet e Fondacionit mbetet mbështetja e organizatave të shoqërisë civile dhe organeve qeveritare në zbatimin e qëndrueshëm të prioriteteve që dalin nga reforma e sektorit të gjyqësisë, veçanërisht në këto kohë që hapin sfida të shumta.

Danillovska Bajdevska vuri në dukje se qasja e pabarabartë ndaj miratimit të ligjeve që dalin nga Strategjia për Reformën e Sektorit Gjyqësor le hapësirë për dyshime në cilësinë e zgjidhjeve ligjore. Me këtë mënyrë të punës, e veçanërisht me veprimet, gjegjësisht mosmarrjen e veprimeve që ishin arsyeja për moskapjen e ish-funksionarëve të akuzuar, rrezikon ngecjen në vend të avancimit të sundimit të ligjit, ndërsa shteti largohet nga rikthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e gjyqësisë dhe avancimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Pjesëmarrësve iu drejtua edhe Ministri i Drejtësisë i RMV-së, i cili bëri një përmbledhje të shkurtër të aktiviteteve të realizuara dhe atyre aktuale të Strategjisë. Ministri Mariçiq shpjegoi se reforma e sektorit gjyqësor vazhdon të ndodhë me qëllimin kryesor të rikthimit të besimit të qytetarëve në gjyqësi.

  1. Nikolla Jovanovski, Menaxher i Programeve në Qendrën për Hulumtime dhe Analiza Juridike si bartëse e projektit aktual në Grupin Bluprinet falënderoi për besimin dhe bashkëpunimin me partnerët e tjerë dhe mbështetësit, dhe natyrisht gjykatat dhe organet gjyqësore gjatë këtij viti të trazuar, përplot me sfida.

Aspektet juridike të gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndikimi i saj në gjyqësorin maqedonas

Në panelin e parë, pjesëmarrësve iu drejtua Gjyqtarja Margarita Caca Nikollovska, Kryetare e IDNJ-së dhe ish-Gjyqtare e GJEDNJ-së, Gjyqtari Suprem, Xhemali Saiti, Kryetar i Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së, Goce Kocevski, Menaxher i Projekteve në SHJRM, Iva Conevska, Menaxhere e Projekteve në IPE dhe Vildan Dërpljanin, Menaxhere e projektit në KHM. Folësit folën për standardet e vendosura ndërkombëtare dhe parimet e veprimit të autoriteteve shtetërore në kushte të jashtëzakonshme, me theks të veçantë në zhvillime të caktuara që ende nuk kanë një përgjigje konkrete në kontekstin e Maqedonisë së Veriout, të tilla si: (jo)konfirmimi i vendimeve për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e Kuvendit, derogimi nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe përmbajtja dhe kohëzgjatja e dekreteve me fuqi ligjore, të cilat në vazhdmësi i miratonte qeveria teknike gjatë periudhës së gjendjes së jashtëzakonshme. Panelistët diskutuan gjithashtu edhe për atë se çfarë në të vërtetë ndodhte në gjykata gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duke theksuar se pikërisht transparenca në transmetimin e informacionit ishte hallka më e rëndësishme në veprimet e gjykatave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Panelistët gjithashtu iu referuan edhe dekretit për uljen e rrogave të gjyqtarëve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, i cili u kritikua nga Rrjeti Gjyqësor Evropian dhe mund të kuptohej si ndërhyrje e drejtpërdrejtë e pushtetit ekzekutiv në pavarësinë e gjyqësorit, si pushtet i tretë dhe i barabartë në vend. Në këtë pjesë u prezantuan edhe përfundimet fillestare të Grupit Blueprint për veprimet e organeve shtetërore në vitin e kaluar. Panelistët diskutuan edhe për situatën e cenueshme në të cilën u gjend vendi – pa mandat të pushtetit legjislativ, me ç’rast e gjithë barra e kontrollit të gjendjes së jashtëzakonshme “ra” mbi Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e vogël, por megjithatë e caktuar e dekreteve me fuqi ligjore nuk kishin të bënin fare me gjendjen e jashtëzakonshme, kështu që qeveria doli nga kompetenca e saj dhe filloi të veprojë si organ ligjvënës. Në fund, u prezantuan aktivitetet e gjykatave, të cilat, të ballafaquara me një situatë që nuk është parashikuar në ligjet për gjykatat dhe Rregulloren e punës së gjykatave, gjetën mënyra për të vazhduar punën e tyre edhe gjatë gjendjes së jashtëzakonshme. Gjykatat u përballën edhe me sfidën për të siguruar gjykim të drejtë dhe korrekt në dinamikën e re të procedurave gjyqësore, kështu që gjatë kësaj periudhe u mbajt edhe gjyqi i parë online në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, standardizimi i procedurave për punën e gjykatave në kushte të jashtëzakonshme dhe sigurimi i kushteve themelore teknike për punën e tyre, mbeten detyra kryesore për të mundësuar veprimtarinë gjyqësore në kushte të jashtëzakonshme edhe në të ardhmen.

Si ndikoi pandemia e virusit KOVID-19 në zbatimin e Strategjisë së Reformës së Sektorit Gjyqësor 2017 – 2022

Paneli i dytë ishte kushtuar zbatimit të Strategjisë për Reformën e Sektorit Gjyqësor në vitin 2020. Në këtë pjesë folën prof. dr. Ana Pavllovska Daneva, z. Zharko Haxhi-Zafirov nga QHAJ, z. Nikolla Prokopenko, Këshilltar Shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë dhe Natali Petrovska, Drejtor i Koalicionit Të Gjithë për Gjykim të Drejtë. Paneli i prezantoi gjetjet fillestare për zbatimin e Strategjisë në praktikë dhe vuri në dukje se veprimtaria normative e Strategjisë nuk është aspekt problematik. Megjithatë, është shqetësues fakti se një pjesë e bazave të Strategjisë aktuale ende nuk kanë filluar të zbatohen, siç është sigurimi i ndërtesave të reja për gjykatat administrative, që është vonuar që nga viti 2019, ndarja fizike e gjykatave nga publiku prokuroritë në komunat ku ndodhen në të njëjtën ndërtesë, për të eliminuar lidhjen e mundshme midis gjykatës dhe palëve në procedurë, më tej riorganizimi i rrjetit gjyqësor që nuk ka filluar fare dhe disperzimi i Akademisë për Gjykatësit dhe Prokurorët Publikë në qytete të tjera të vendit. Panelistët gjithashtu iu referuan edhe një çështjeje që ka qenë e pranishme në publik për disa kohë, gjegjësisht faktit që gati 10 vite nuk përmbushet detyrimi ligjor për të alokuar minimumin 0.8% të PBB-së për pushtetin gjyqësor, në përputhje me Ligjin për Buxhetin Gjyqësor. Në këtë pjesë u prezantuan aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë në vitin e fundit, të cilat, në mes tjerash rezultuan me draftin fillestar të Kodit të ri Penal, krijimin e një grupi pune për Rregulloren e punës së gjykatave, Ligjin për Shërbimin Gjyqësor, por edhe me krijimin e një grupi të punës për të miratuar Ligjin mbi gjendjen luftarake dhe gjendjen e jashtëzakonshme. Konkluzioni i përgjithshëm mbetet se vonesat në zbatim janë të pashmangshme dhe deri diku të justifikuara, por përveç ndryshimeve normative, duhet të zbatohen edhe ndryshimet thelbësore të kërkuara nga strategjia për të arritur një progresin real në fushën e gjyqësisë.

—————————————————

25 Shkurt 2021