Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Ne i kërkojmë Kuvendit që ta miratojë ligjin me konsensus dhe të ndryshojë procedurën për zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi

 

Sot, Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi e organizon Konferencën Kombëtare për mosdiskriminim “TË GJITHË, TANI! Përgjegjësia e institucioneve për bashkimin kundër diskriminimit” në mënyrë që të apelojë për përmirësimin e situatës me mosdiskriminim përmes miratimit të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe për zgjedhjen transparente dhe të drejtë të anëtarëve të Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga ana e Kuvendit. Përveç Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në konferencën diskutohet edhe për qasjen në përdorimin e ujit në kontekstin e pandemisë Kovid-19, si një çështje e diskriminimit racor ndaj romëve. Në konferencë u prezantua edhe Raporti nga monitorimi i punës së Avokatit të Popullit me fokus në parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi (2010-2019), i cili i përshkruan mangësitë kryesore në punën e institucionit dhe ofron rekomandime për përmirësimin e kornizës ligjore dhe praktikave të institucionit.

“Në konferencën e sotme, shënojmë dhjetë vitet e punës së përkushtuar dhe vetëmohuese të 11 organizatave të shoqërisë civile të bashkuara në Rrjetin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Për të zgjidhur problemet e identifikuara me diskriminimin ndaj qytetarëve, është i nevojshëm veprimi i koordinuar dhe i përbashkët i organizatave të shoqërisë civile dhe kjo është arsyeja pse Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni mori pjesë në iniciativën për krijimin e Rrjetit dhe e mbështet aktivisht punën e tij që nga themelimi në vitin 2010.” deklaroi FANI KARANFILLOVA-PANOVSKA, drejtore ekzekutive e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Ajo u bëri thirrje partive politike parlamentare, nënshkruese të Deklaratës për miratimin prioritar të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi – ta miratojnë këtë Ligj me konsensus, me çka do të tregojnë se mbështetjen e Deklaratës nuk e kanë dhënë vetëm në letër gjatë procesit zgjedhor. Njëkohësisht, ajo theksoi se është e nevojshme që menjëherë pas kësaj të merren me procedurën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në mënyrë që qytetarët të marrin më në fund mbrojtje më të mirë, më profesionale dhe më efikase të të drejtave dhe lirive të tyre themelore.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, JAGODA SHAHPASKA, deklaroi se mbrojtja nga diskriminimi është në vend të lartë në agjendën e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, kështu që pikërist Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është zgjidhja e parë ligjore që e propozojnë në Kuvend. Ajo u kërkoi deputetëve ta miratojnë ligjin sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të avancohen të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve. Ministrja Shahpaska gjithashtu bëri thirrje për një përzgjedhje transparente të ekspertëve në Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

NATASHA BOSHKOVA nga Koalicioni Margjinat, Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deklaroi se Qeveria e refuzoi kërkesën e Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për ndryshime në nenin 18 me qëllim të caktimit të rojeve për pavarësinë e komisionit, transparencën dhe inkluzivitetin e procedurës, duke ndjekur shembullin e procedurës për zgjedhjen e anëtarëve të KSHPK-së. Ajo kërkoi nga Kuvendi që të propozojë një ndryshim në nenin 18, ndërsa anëtarët e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi të zgjidhen me meritë, e jo në bazë të interesave partiake.

MAJA MORAÇANIN, deputete nga Partia e Gjelbër “DOM”, tha “Më gëzon fakti që Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është ndër ligjet e para të shqyrtuara nga kjo përbërje parlamentare, siç u kemi premtuar qytetarëve. Ky është një ligj kyç për avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe parandalimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi i të gjithë qytetarëve në shoqërinë e Maqedonisë, e veçanërisht për grupet e margjinalizuara të qytetarëve, të cilët shpesh janë edhe viktima të dhunës nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes. Në këtë kontekst, është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këtë ligj, orientimi seksual dhe identiteti gjinor janë shprehur qartë si baza për diskriminim, që do të kontribuojë për një mbrojtje më të madhe nga diskriminimi i një prej komuniteteve më të margjinalizuara, LGBTI.”

Maja Moraçanin deklaroi se do ta paraqesë si amendament kërkesën e Rrjetit për Mbrojtje nga Diskriminimi për ndryshimin e nenit 18, në mënyrë që të ketë një procedurë më transparente për zgjedhjen e anëtarëve të KPMD-së, që do të kontribuojë për besimin më të madh të qytetarëve në këtë institucion.

Në konferencë mori pjesë edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, RASHELA MIZRAHI, e cila theksoi se partia do ta mbështesë ligjin, si nënshkruese e Deklaratës për miratimin prioritar të ligjit, dhe do të marrin në konsideratë edhe ndryshimin e nenit 18.

—————————————————

6 Tetor 2020