Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në organizim të Fondacionit Metamorfozis, sot filloi Konferenca e 15-të ndërkombëtare “E-Shoqëri.mk – Institucionet e hapura dhe llogaridhënia”.

Konferenca, e cila vazhdon edhe nesër, mbahet në hotelin “Holiday Inn” është ngjarje përfundimtare e projektit katër vjeçar ACTION SEE (Përgjegjësi, Teknologji dhe Rrjet i institucioneve të hapura në Evropën Juglindore), në të cilin shtatë organizata nga Ballkani perëndimor dhe Mbretëria e Bashkuar i bashkuan përpjekjet e tyre për të promovuar dhe siguruar përgjegjshmëri dhe transparencë të autoriteteve në rajonin e Evropës Juglindore.

Qëllimi kryesor i projektit është rritja e përfshirjes së shoqërisë civile dhe organizatave mediatike në proceset e vendimmarrjes dhe krijimit të opinionit publik dhe hartimit të politikave, si dhe ngritja e kapaciteteve të shoqërive civile për të zgjidhur probleme të ndjeshme.

Në hapjen e konferencës mori pjesë edhe ministri pa portofol, përgjegjës për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski, i cili theksoi se përmes hapjes dhe llogaridhënies së institucioneve, qeveria  përpiqet a kthejë besimin e qytetarëve, për zvogëlimin e korrupsionit dhe parregullsive në punën dhe kursimin e parave të tyre. Ai theksoi se Strategjia e Qeverisë për Transparencë 2020 – 2021, e cila nesër do të prezantohet më në detaje, është përgatitur me sektorin joqeveritar dhe ka një përfshirje të gjerë, d.m.th nuk ka asnjë institucion që i përgjigjet Qeverisë, e të mos jetë përfshirë me të. “Implementimi i strategjisë do të monitorohet nga një grup pune i përbërë nga njerëz nga sektori joqeveritar, mediat dhe komuniteti i biznesit” – tha Popovski.

Fani Karanfillova Panovska nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni tha se Strategjia e Qeverisë për Transparencë synon t’i konsolidojë përpjekjet e institucioneve për t’i përmirësuar instrumentet, mjetet, për të siguruar transparencë më të madhe dhe qasje në informatat me karakter publik.

Sipas Karanfillova Panovskës, Grupi i Punës që do të monitorojë zbatimin e Strategjisë do t’i inkurajojë organizatat e shoqërisë civile dhe mediat që në mënyrë të pavarur ta monitorojnë zbatimin e saj, të japin propozime për përmirësime, pasi dokumenti është materie e gjallë, që ka nevojë për përmirësime.

Në lidhje me transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve qeveritare, Karanfillova Panovska bëri thirrje për një transparencë më të madhe në shpërndarjen e mjeteve shtetërore për organizatat e shoqërisë civile, pasi që, siç tha ajo, ka mungesë transparence dhe llogaridhënieje në procesin e vendimmarrjes së ministrive në lidhej me atë se cilave organizata qytetare do të ndahen ato mjete, si harxhohen paratë etj.

Si pikë e dytë e rëndësishme, Karanfillova Panovska theksoi se institucionet kanë mbetur prapa në ofrimin e informatave në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Ato nuk u përgjigjen kërkesave, kështu që në gjysmën e dytë të 2018, një e pesta e kërkesave kanë mbetur pa përgjigje.

“Kjo për faktin se Komisioni për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, i cili duhet t’u përgjigjet ankesave ende nuk është i ekipuar plotësisht dhe nuk funksionon për një vit të tërë, dhe për këtë arsye ka vonesa në procesin e shqyrtimit të ankesave. Nuk është formuar as Agjencia për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, e cilat duhet ta kontrollojë hapjen e institucioneve për qasje në informatat me karakter publik dhe apeloj që Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime të funksionojë sa më shpejtë dhe të themelohet Agjencia” – tha Karanfillovska Panovska.

Shefi i Sektorit për bashkëpunim pranë Delegacionit të  Bashkimit Evropian, Nikola Bertolini, tha se qytetarët nuk e marrin atë që e kërkojnë dhe ajo që është normale në BE, këtu nuk është e tillë. “Ne jemi në një situatë në të cilën Kuvendi nuk e emëron udhëheqësinë e Agjencisë. Pse nuk e bën këtë? E di që drejtor ose udhëheqës i Komisionit për Mbrojtjen e së Drejtës për Qasje të Lirë në Informata me Karakter Publik nuk është emëruar. Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski më tha se duhet të emërohet udhëheqësi që të paguhen rrogat. Pse kjo nuk funksionon?” – pyeti Bertolini.

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se përveç asaj që hapja dhe llogaridhënia e institucioneve është shumë e rëndësishme, megjithatë, shumë më të rëndësishme janë aksionet konkrete, ndryshimi i ligjeve, ndryshimi i procedurave në institucione, që qytetarët t’i ndiejnë përfitimet nga kjo hapje e institucioneve dhe të marrin shërbime cilësore dhe të kenë një jetë më të mirë.

Ai shtoi se nuk është e mjaftueshme vetëm të konstatohen gjendjet, por duhet të ndërmerren aksione konkrete, dhe për këtë arsye, theksoi ai, është e rëndësishme të bëhen analiza cilësore në nivel lokal, e atje autoritetet janë më të mbyllurat.

Prandaj, siç theksoi Jashari, për t’u përmirësuar shërbimet në nivelin lokal, është e rëndësishme skema e granteve me të cilën u janë dhënë grante 35 organizatave joqeveritare në nivel lokal, pasi ato i dinë më mirë problemet në nivel lokal dhe kështu me ndihmën e mediave të punojnë në zgjidhjen e problemeve konkrete dhe të përmirësohen parimet e qeverisjes së mirë.

Në panelin e dytë të konferencës me titull “4 vjet lobim për institucione të hapura dhe llogaridhënie”, Milena Gvozdenoviq nga Qendra për Tranzicion Demokratik, e cila është pjesë e projektit rajonal ACTION SEE, tha se rezultatet tregojnë se në nivelin rajonal, parlamentet përmbushin 65% të kritereve të hapjes, pastaj pushtetit ekzekutiv 49% dhe vetëqeverisja lokale 36%, gjykatat 42%.

Rekomandimi nga ky panel është se të gjitha vendet e rajonit duhet të sigurojnë qasje në informata dhe se nuk duhet të kenë monopol mbi to.

 

Konferenca përputhet me festimin e 15 vjetorit të Fondacionit Metamorfozis.

 

Burimi: META.MK

 

—————————————————

28 Nëntor 2019