Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Një nga problemet më të shpeshta me të cilat përballen qytetarët e Tetovës është kaosi i trafikut. Pavarësisht nga zbatimi i parkimit në zona, është e vështirë të gjesh vende të lira për parkim. Për shkak të kësaj situate, çdokush e parkon automobilin e tij ku do që të arrijë. Nga njëra anë, komuna nuk siguron hapësirë të mjaftueshme për parkim, ndërsa nga ana tjetër, nëse shoferët parkojnë gabimisht, ata ndëshkohen me shpejtësi.

Në dy bulevardet kryesore në Tetovë, “Iliria” dhe “Rruga e Ilindenit”, trafiku zhvillohet në gjysmën e korsisë për shkak të furgonëve të parkuar, taksive dhe automjeteve të tjera, gjë që e rëndon edhe më shumë trafikun në këto rrugë të qytetit. Përveç mungesës së parkingjeve, një problem i madh është papërgjegjësia e disa shoferëve, të cilët, për shembull, i parkojnë automjetet e tyre me vite të tëra në zonën e këmbësorëve në shesh.

Policia e trafikut nuk ndërmerr veprime për automjetet e parkuara gabimisht në trotuare ose për automjetet e parkuara paralelisht në dy korsi. Prandaj, rolin e tyre e mori një grup aktivistësh nga Tetova, të cilët vendosën “tiketa ndëshkimi” në automjetet e parkuara gabimisht në mënyrë që të rrisin vetëdijen e shoferëve dhe të dërgojnë apel për t’i kushtuar vëmendje sigurisë së qytetarëve dhe këmbësorëve, hapësirat e të cilëve për qarkullim uzurpohen nga automjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme.

Përveç paralajmërimeve, aktivistët vendosën edhe lëvdata për ato automjete që janë parkuar siç duhet, në mënyrë që t’i mbështesin dhe nxjerrin në pah shoferët e ndërgjegjshëm.

Nëse jeni në Tetovë, kini kujdes se ku e parkoni automjetin, grupi i aktivistëve po ju ndjek dhe ju “ndëshkon”.

Aksioni është realizuar pa asnjë kontakt të drejtpërdrejtë midis anëtarëve të grupit, gjegjësisht është realizuar në faza dhe në mënyrë sekuenciale nga ana e autorëve të ndryshëm.

Aksioni “Kini kujdes se ku parkoni në Tetovë!” është i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

23 Nëntor 2020