Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Shoqata për të Drejta dhe Mundësi të Barabarta “GRATË NË EKONOMI – Shtip” është një organizatë që punon në mënyrë aktive në mbështetjen e projekteve për gratë, si dhe për t’i mbështetur gratë dhe promovimin e tyre në nivelin lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ata janë të përkushtuar ta rrisin konkurrencën e grave në ekonomi dhe të mbështesin disa sisteme të ndryshme të ndërmarrësisë së grave që do të kontribuojnë në zhvillimin e vetëdijes së grave për pozicionin e tyre në shoqëri dhe krijimin e kushteve të barabarta në tregun e punës.

Projekti “Ji e guximshme, fol zëshëm!” i cili mbështetet financiarisht nga FSHHM-ja përqendrohet në forcimin e vetëdijes së qytetarëve të rajonit lindor, për ekzistencën e mobingut në sektorin privat dhe publik dhe qëndrimin e sistemit ndaj tij. Më konkretisht, “GRATË NË EKONOMI – Shtip” përmes këtij projekti do të përpiqen të sigurojnë avancimin e pozitës së grave në shoqëri, duke i njoftuar gratë me faktin se mobingu është diskriminim. Rritja e vetëdijes në sektorin publik për marrjen e masave konkrete për mbrojtjen në situata të mobingut dhe forcimin e përgjithshëm të vetëdijes së qytetarëve për ekzistencën e mobingut janë gjithashtu komponente të rëndësishme të këtij projekti.

Qytetarët në rajonin lindor kanë dëgjuar për mobingun dhe kanë dëgjuar për viktimat e mobingut, por shumë pak prej tyre e dinë vërtet se çfarë do të thotë ai dhe si duhet të sillen në një situatë të tillë. Mobingu si një fenomen i përhapur gjerësisht ka pasoja të rënda që reflektohen në mjedisin shoqëror, mjedisin e punës dhe individët. Është e nevojshme që problemi të shqyrtohet nga aspekte të ndryshme: aspekti psikologjik, mjekësor, sociologjik dhe juridik, për të paralajmëruar për rëndësinë e tij dhe për të kontribuar për njohjen e tij në kohë. Fatkeqësisht, njerëzit shpesh herë nuk janë të vetëdijshëm se u bëhet mobing dhe u duhet shumë kohë për ta kuptuar se përballen me një sjellje plotësisht iracionale dhe të padrejtë në vendin e punës. Prandaj, për të qenë në gjendje të merremi me sukses me këtë fenomen, i cili po merr vrull gjithnjë e më të madh në vendin tonë, duhet të mësojmë se cilat janë karakteristikat e tij themelore.

Projekti “Ji e guximshme, fol zëshëm!” parashikon përpunimin e temës së mobingut, kryesisht përmes hulumtimit me të cilin do të përcaktohet numri i viktimave të mobingut në rajonin lindor nga mesi i vitit 2016, deri më sot. Në të njëjtën kohë, përmes komunikimit me pushtetin gjyqësor, do të përcaktohet se sa prej viktimave të mobingut kanë pasur aktgjykim pozitiv. Janë planifikuar edhe intervista me viktimat e mobingut, si dhe video informuese, dhe me të gjitha këto aktivitete projekti do të përpiqet ta njoftojë publikun me situatën që lidhet me mobingun në vendin e punës, e cila është me të vërtetë alarmante. Mobingu në vendin e punës mund t’i ndodhë çdokujt dhe çdokush ka nevojë për mbështetje në një situatë të tillë, ndërsa institucionet duhet të jenë më të ndjeshme ndaj punonjësve dhe të drejtave të tyre.

Aktivitetet e projektit do të ofrojnë një perspektivë gjinore për problemin e mobingut, që është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të barazisë gjinore, veçanërisht në drejtim të sigurimit të mundësive të barabarta dhe mosdiskriminimit ndaj grave në vendin e punës. Ndër të tjera, projekti do të përpiqet ta përcaktojë pozicionin aktual të grave në vendin e punës dhe përmes hulumtimit do të sigurojë të dhëna fillestare për ngacmimin psikologjik (mobingun) dhe ngacmimin seksual të grave në vendin e punës, me theks në gratë në rajonin lindor.

Qëllimi përfundimtar është që qytetarët, veçanërisht gratë, të vetëdijësohen dhe t’i njohin format në të cilat mund të paraqitet mobingu, të njihen me mënyrat në të cilat mund të mbrohen, por edhe ta dinë se cilat veprime mund t’i ndërmarrin nëse përballen me mobing.

“Ji e guximshme, fol zëshëm!” është njëri nga 15 projektet e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga FSHM-ja për zbatimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për ta kuptuar më mirë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

 

Për më shumë informata për punën e Shoqata për të Drejta dhe Mundësi të Barabarta “GRATË NË EKONOMI – Shtip”, si dhe për aktivitetet e projektit, ndiqni ata në faqen e tyre në Facebook.

—————————————————

5 Maj 2020