Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi në kuadër të projektit “Aksioni i përbashkët për avancimin e barazisë dhe drejtësisë sociale të komuniteteve të margjinalizuara”, i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, përgatiti Raport nga hulumtimi për ndikimin mbi mirëqenien dhe shëndetin e komuniteteve të margjinalizuara, të titulluar si “Jeta e përditshme dhe emocionale e padrejtësisë: diskriminimi, shëndeti dhe marrëdhëniet”, nga autorët Ana Bllazhevska dhe Sllavço Dimitrov.

Nevoja për këtë hulumtim lindi nga përvoja shumëvjeçare dhe njohuritë mbi pozitën e pafavorshme dhe morinë e faktorëve të pafavorshëm që i prekin pakicat e margjinalizuara sociale, etnike dhe seksuale. Ideja është që të trajtohen aspektet dhe ndikimet e ndryshme në pozitën e pakicave dhe margjinalizimin e tyre përmes përvojave subjektive dhe përvojave të diskriminimit dhe padrejtësisë, si dhe statusin e tyre të përgjithshëm shëndetësor dhe social.

Qëllimi i hulumtimit është të kuptojë se si diskriminimi dhe padrejtësia ndikojnë në jetën e përditshme, i formësojnë përvojat dhe botëkuptimet dhe e kornizojnë pozicionin shoqëror, marrëdhëniet dhe botët e komuniteteve të diskriminuara.

Diskriminimi në hulumtim nuk trajtohet ekskluzivisht si mungesë formale e trajtimit të barabartë dhe konsekuent, por si mungesë e barazisë thelbësore, sistemore dhe strukturore, e cila përveç rishpërndarjes së të mirave, e përfshin pozicionin personal/subjektiv, shëndetin psiko-fizik dhe mirëqenien, si dhe dinamikën sociale.

Fokusi nuk është vënë ekskluzivisht në veprimet e njëhershme ose të përsëritura, të cilat ligjërisht mund të identifikohen lehtësisht si akte diskriminimi, ne duam të eksplorojmë efektet eksperimentale, afektive dhe sociale të padrejtësisë dhe pabarazisë sociale, të dukshme përmes pengesave institucionale të gjera dhe të akumuluara historikisht për zhvillimin e vlerave, vizionin për një jetë të mirë, zhvillimin dhe praktikimin e kapaciteteve, shprehjen e përvojave dhe nevojave personale, si shtypja, nga njëra anë, dhe dominimin, përkatësisht si barriera institucionale për vetëvendosjen dhe përcaktimin e veprimeve personale dhe kushtev të veprimit, nga ana tjetër (Young 1990: 33-37).

Kompleksiteti i fenomenit dhe multiperspektiviteti i qasjes mundësojnë një analizë më të plotë, por edhe më të shtresuar, e cila më pas mund të përdoret në zhvillimin e politikave të ndryshme (sociale, shëndetësore, arsimore) dhe për një qasje shumësektoriale në trajtimin e diskriminimit dhe të efekteve të tij konkrete dhe materiale. Në hulumtim janë përfshirë tre komunitete të synuara: lezbiket, biseksualët dhe homoseksualët, punëtorët e tekstilit dhe romët/et, me qëllim që të shqyrtohet ndikimi i orientimit seksual, gjinisë, klasës dhe racës.

Raportin mund ta merrni në këtë link

Më poshtë janë dhënë gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet kryesore të paraqitura përmes infografikëve.

—————————————————

1 Mars 2022