Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Praktikat dhe stereotipet diskriminuese vazhdojnë të prekin grupet më të margjinalizuara në shoqëri dhe e pengojnë pjesëmarrjen e tyre në tregun e punës. Se mangësitë strukturore ende vërehen në tregun e punës dhe e pengojnë rritjen dhe zhvillimin e mundshëm, konstaton edhe Komisioni Evropian (KE) në Raportin e Progresit për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Hendeku gjinor në tregun e punës në vitin 2020 është rritur për 22.7 për qind, për faktin se pjesa më e madhe e grave (krahasuar me burrat) janë përjashtuar nga tregu i punës këtë vit. Shkalla e punësimit te burrat (nga 20 deri 64 vjeç) në vitin 2020 ishte 68,9 përqind, ndërsa te gratë 49 përqind, duke rezultuar me një hendek të lartë gjinor në aspekt të punësimit prej 19,9 për qind.

Duke u nisur nga parimet dhe të drejtat themelore në punë, e në bazë të konventave të vendosura, të cilave u është atribuar karakteri i konventave “bazë” në fushën e punës, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP) e vendos inspektimin e punës në qendër të promovimit dhe sigurimit të kushteve dinjitoze të punës dhe mjedisit të sigurt të punës, respektimit të parimeve bazë të punës dhe mbrojtjes. Rregullat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës e trajtojnë diskriminimin si shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe në asnjë moment nuk e vënë në pikëpyetje rolin e inspektorateve të punës si mekanizma primarë mbrojtës kundër diskriminimit.

Inspektorati ynë i punës është vendosur në qendër të legjislacionit të punës, si mekanizmi parësor për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Legjislacioni kundër diskriminimit, i cili në radhë të parë e përfshin Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi (LPMD), Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Ngacmimi në Vendin e Punës, Ligjin për Mundësi të Barabarta për Gratë dhe Burrat dhe Ligjin për Punësimin i Personave me Aftësi të Kufizuara, e përcaktojnë qartë kompetencën e Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHP) për të vepruar në rastet e diskriminimit në punë. Aktualisht, ISHP nuk e njeh LPMD-në si ligj që duhet të zbatohet sa herë që punëtorët raportojnë trajtim të pabarabartë në punë. Inspektorati Shtetëror i Punës, si mekanizëm për sigurimin e kushteve dinjitoze të punës dhe një mjedisi të sigurt pune, për respektimin e parimeve bazë të punës dhe mbrojtjen në praktikë, nuk e përmbush rolin e tij për mbrojtjen e punëtorëve viktima të trajtimit të pabarabartë në punë.

Dokumenti më i fundit i politikave publike i Rrjetit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, “Inspektorati Shtetëror i Punës si mbrojtës i punëtorëve nga diskriminimi” synon të identifikojë pengesat e mundshme të hasura nga Inspektorati Shtetëror i Punës në zbatimin e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe të ofrojë një zgjidhje të përshtatshme për tejkalimin e tyre. Në të njëjtën kohë, përmes këtij dokumenti identifikohen mangësitë e mekanizmit kyç të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në krijimin e një sistemi gjithëpërfshirës, efektiv dhe efikas të mbrojtjes nga diskriminimi, të cilat ndodhin si pasojë e moszbatimit të LPMD-së.

 

 

Dokumenti gjithashtu ofron analizë dhe argumente për situatën aktuale dhe potenciale, të vendosura në tre skenarë të mundshëm me pasojat dhe rëndësinë për mbrojtjen e punëtorëve nga diskriminimi, varësisht nëse do të ruhet status quo-ja apo do të ndryshojnë rrethanat.

Dokumentin e plotë të politikave publike mund ta gjeni në këtë LINK, ndërsa përmbledhjen ekzekutive mund ta shkarkoni nga ky LINK.

Dokumenti është përgatitur në kuadër të projektit “Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Aksioni i përbashkët për avancimin e barazisë dhe drejtësisë sociale të komuniteteve të margjinalizuara”, është i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur- Maqedoni.

—————————————————

21 Janar 2022