Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në korrik të vitit 2020, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, përmes Institutit TIM zhvilloi një hulumtim të perceptimit, qëndrimeve dhe përvojave të qytetarëve në komunat e Zhelinës, Karposhit, Dojranit, Prilepit dhe Ohrit, në lidhje me korrupsionin dhe konfliktin e interesit.

Në hulumtim u përdor një mostër përfaqësuese e stratifikuar në shumë nivele, prej gjithsej 1239 të anketuarish, të moshës 18 vjeçare. Hulumtimi u krye me telefon, në gjuhë maqedonase dhe shqipe.

Analiza e të dhënave na tregoi se të anketuarit nga pesë komunat, në masë të madhe e njohin korrupsionin kur e shohin atë. Megjithatë, ka situata të cilat, megjithëse nuk konsiderohen si korrupsion sipas legjislacionit aktual, të anketuarit i njohin si korrupsion.

Në nivelin kombëtar, të anketuarit nga pesë komunat si më të korruptuar i përmendën inspektorët dhe drejtorët e institucioneve publike, ndërsa gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile i konsideruan si më pak të korruptuar. Ndërsa në nivelin lokal, qytetarët konsiderojnë se korrupsioni është më i përhapur në mesin e inspektorëve lokalë dhe nëpunësve të policisë në komunë, ndërsa korrupsioni është më pak i perceptuar në mesin e gazetarëve dhe punonjësve të arsimit në komunë.

Korrupsioni në komuna, sipas banorëve të pesë komunave, mesatarisht është më i përhapur gjatë punësimeve në komunë. Fusha më e rrezikshme për banorët e komunës së Karposhit janë furnizimet publike, ndërsa banorët e komunës së Ohrit theksojnë se nivel më të madh të korrupsionit ka në lëshimin e lejeve, miratimeve dhe aktvendimeve.

Mbi gjysma e të anketuarve (53%) janë të gatshëm t’i bëjnë ndonjë shërbim nëpunësit administrativ për të zgjidhur një problem të caktuar në administratën publike, 56% shprehin gatishmëri për t’i dhënë atij ndonjë dhuratë, ndërsa rreth 35% janë të gatshëm të paguajnë para të gatshme.

Një në pesë personave në kuadër të pesë komunave u ka ndodhur që t’u kërkojnë para, dhuratë ose ndonjë shërbim nga ndonjë nëpunës publik i komunës. Rreth 5% e të anketuarve nga pesë komunat deklaruan se kanë paguar ryshfet, kanë bërë ndonjë shërbim ose kanë dhënë ndonjë dhuratë, pavarësisht se a u është kërkuar kjo direkt apo indirekt.

Më shumë se 90% e të anketuarve në pesë komunat deklaruan se korrupsioni nuk është i justifikuar. Rreth 8% konsiderojnë se aktivitetet korruptive në situata të caktuara justifikohen në interes të përfundimit të një pune.

9 nga 10 qytetarë të pesë komunave kryesisht pajtohen me deklaratën ““çdokush që ka pushtet në vendin tonë dëshiron të pasurohet shpejt.” , rreth 82% e të anketuarve besojnë se “ligjet vlejnë për të varfërit, por jo edhe për politikanët”, ndërsa 8 në 10 banorë kanë mendimin se “ryshfeti dhe korrupsioni janë karakteristikë e kulturës dhe mentalitetit tonë”. Rreth tre të katërtat e banorëve të pesë komunave pajtohen se “kërkimi i lidhjeve dhe i shërbimeve është mënyrë mbijetese të ciliën e praktikojnë të gjithë”.

Rreth një e katërta e banorëve të pesë komunave besojnë se “korrupsioni i përhapur në masë të gjerë nuk mund të zvogëlohet”. Katër në 10 banorë mendojnë se “korrupsioni do të jetë gjithmonë i pranishëm në vendin tonë, por ai mund të zvogëlohet deri diku”. 23% e banorëve besojnë se “korrupsioni në vendin tonë mund të zvogëlohet ndjeshëm.” 8% e qytetarëve shprehin optimizëm të jashtëzakonshëm dhe besojnë se ““korrupsioni në vendin tonë mund të eliminohet.”

Mbi 81% e qytetarëve të intervistuar të pesë komunave janë të pakënaqur me luftën kundër korrupsionit në vendin tonë, ndërsa në nivelin lokal dy të tretat janë të pakënaqur me luftën kundër korrupsionit në komunë.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni KËTU.

—————————————————

10 Mars 2021