Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Filloi fushata “E ardhmja në BE” në kuadër të konceptit “Pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e pranimit në BE” të Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

Fushata promovuese mediatike para së gjithash synon të rrisë vetëdije për rëndësinë e reformave në fushat e luftës kundër korrupsionit, gjyqësisë dhe parandalimit, mbrojtjes nga diskriminimi dhe të drejtave themelore, gjegjësisht Kapitullin 23, si prioritete në procesin e anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, fushata do ta informojë publikun në lidhje me përfitimet për shoqërinë e Maqedonisë nga reformat në këto fusha dhe do të mundësojë një kuptim më të mirë të proceseve të reformave në funksion të afrimit dhe kultivimit të vlerave evropiane.

Fushata është përgatitur në bazë të të dhënave të fituara nga hulumtimet dhe analizat e 15 grantistëve, të cilët morën mbështetje nga FSHHM-ja në nëntor të vitit 2019 për të zbatuar aktivitete që u ndihmojnë qytetarëve ta kuptojnë më mirë konceptin e Bashkimit Evropian. Përfshirja e shoqërisë civile në procesin e negociatave në fazat e hershme të negociatave është veçanërisht e rëndësishme sepse organizatat e shoqërisë civile kanë ekspertizën dhe përvojën që mund të jenë thelbësore për zbatimin e reformave të mirëfillta shoqërore në lidhje me këto fusha. Duke pasur parasysh gjithë këtë, Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni i ndau grantet dhe e realizoi këtë fushatë promovuese mediatike, duke siguruar mbështetje në procesin e evropianizimit të shoqërisë sonë.

Kur shoqëria civile është e përfshirë në mënyrë aktive në procese të rëndësishme siç është anëtarësimi në BE, është e pamohueshme se në plan të parë gjithmonë do të jenë interesat dhe përfitimet e qytetarëve, reformat themelore dhe kultivimi i vlerave evropiane që janë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm. Kjo është arsyeja pse përfshirja e organizatave të shoqërisë civile në proceset dhe bashkëpunimi i tyre me qeverinë në segmente ku përvoja dhe njohuritë e tyre mund të përdoren më së miri është veçanërisht e rëndësishme.

Si pjesë e fushatës janë përgatitur 5 spote televizive dhe spote për radio, video promovuese për prezantimin e 15 grantistëve dhe të projekteve të tyre, si dhe zgjidhje kreative për rrjetet sociale dhe banerë për ueb-faqe. Shihni spotet e përgatitura televizive dhe disa nga materialet që janë pjesë e fushatës më poshtë

—————————————————

15 Tetor 2020