Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Doli nga shtypi edicioni i dytë i “Çështja maqedonase nga viti 1944 deri më sot – komunizmi dhe nacionalizmi në Ballkan” i autorit Çavdar Marinov, në gjuhën maqedonase, libër që paraqet një këndvështrim kritik të temës historike që qëndron në themel të konflikteve bullgaro-maqedonase për sa i përket historisë, gjuhës dhe identitetit të Maqedonisë. “Çështja maqedonase nga viti 1944 deri më sot – komunizmi dhe nacionalizmi në Ballkan” edhe 10 vjet pas botimit të parë në frëngjisht, mbetet një nga prezantimet më të plota të politikës mbi “çështjen maqedonase” të Partisë Komuniste Bullgare dhe shtetit bullgar pas vitit 1944, si dhe i mosmarrëveshjeve bullgaro-maqedonase për historinë dhe gjuhën.

Çavdar Marinov është doktor i historisë dhe i civilizimeve në Ecole des Hautes Etudes en Sciences Sociales, asistent-hulumtues në Institutin e Filozofisë dhe të Sociologjisë në Akademinë Bullgare të Shkencave. Libri i tij i kushtohet politikës bullgare ndaj çështjes maqedonase nga periudha komuniste, si dhe konflikteve që lidhen me përkatësinë kombëtare të një serie të gjatë figurash dhe ngjarjesh historike.

Mosmarrëveshjet për figurat historike, ngjarjet dhe fantazmat historike midis Maqedonisë (pas)Jugosllave dhe Bullgarisë datojnë që prej një kohe të gjatë, janë të shumta dhe janë shpërthyese, e madje edhe sot ato duken jo më pak të pazgjidhshme se tridhjetë vjet më parë. Arsyet për këtë janë komplekse dhe ky libër përpiqet të ofrojë një shpjegim, megjithëse të papërsosur, duke theksuar karakterin nacionalist të regjimit komunist Bullgar dhe trashëgiminë e tij ideologjike.

Polemikat bullgaro-maqedonase që janë objekt i këtij libri e bëjnë atë mjaft interesant, veçanërisht për specialistët për Ballkanin dhe çështjen maqedonase. Mirëpo, me konceptin e tij informues, të përqendruar në politikën nacionaliste të shtetit bullgar në lidhje me çështjen maqedonase, libri është interesant për të gjithë lexuesit e interesuar në këtë problem në politikën e jashtme dhe të brendshme bullgare, si dhe në shkencën bullgare nga viti 1944 e këtej.

Librin “Çështja maqedonase nga viti 1944 e deri më sot – komunizmi dhe nacionalizmi në Ballkan” mund ta gjeni këtu

—————————————————

9 Nëntor 2020