Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Shoqata “Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike” angazhohet në mënyrë aktive që t’i aftësojë qytetarët, si individualisht ashtu edhe kolektivisht, ta kuptojnë më mirë funksionimin e sistemit juridik dhe efikasitetin e tij dhe ndikimin që ai e ka në jetën e tyre brenda sundimit të ligjit.

Nevoja ditore dhe pjesëmarrja e qytetarëve në procedurat administrative nënkupton që sistemi i sundimit të ligjit varet nga zbatimi i drejtë i ligjeve në praktikë. Gjykata Administrative paraqitet si garant dhe mbrojtës i të drejtave dhe lirive të qytetarëve kundër veprimeve të paligjshme të organeve shtetërore, dhe ajo duhet të sigurojë mbrojtje gjyqësore efikase, efektive dhe ekonomike. Megjithatë, qytetarët e RMV-së kanë vështirësi në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre nga veprimet e paligjshme të administratës shtetërore, kryesisht për shkak të mungesës së mundësive për t’u dëgjuar gjatë procedurës në rast të kontestit administrativ.

Hapja e gjykatave e shprehur përmes shqyrtimeve publike, si dhe shpallja publike e vendimeve, janë segment thelbësor i së drejtës për gjykim të drejtë dhe i sundimit të ligjit. Nga praktika e tanishme e gjykatave administrative mund të konstatohet se shqyrtimi publik me palët në një kontest administrativ është mbajtur vetëm si përjashtim. Nga ana tjetër, standardet evropiane, duke përfshirë edhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), Gjykatësë së Drejtësisë të Bashkimit Evropian (GjDBE) dhe acquis Communautaire, theksojnë se natyra publike e procedurave gjyqësore është një nga parimet themelore të së drejtës për gjykim të drejtë.

Në angazhimet e saj për ta reformuar gjyqësinë, Ministria e Drejtësisë parashikon miratimin e një ligji të ri për kontestet administrative (LKA), i cili përcakton se Gjykata Administrative do të marrë vendim vetëm në bazë të shqyrtimit publik, të drejtpërdrejtë dhe me gojë. Me këtë risi ligjore, mbrojtja administrative për qytetarët do të ngrihet në një nivel më të lartë, në përputhje me parimet ligjore. Në mënyrë që të ketë zbatim konsekuent të ligjit, duke pasur parasysh se gjyqtarët administrativë nuk kanë vepruar në shqyrtime publike publike para palëve, ata kanë nevojë për avancimin e aftësive të tyre për mbajtjen e shqyrtimeve publike në mënyrë që qytetarët të fitojnë një mekanizëm adekuat korrigjues kur pushteti ekzekutiv vepron në kundërshtim me ligjin.

“Drejtësia administrative sipas rregullave evropiane” është projekt që implementohet nga Qendra për Hulumtime dhe Analiza Juridike, dhe që synon ta përmirësojë sistemin e qeverisjes së mirë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duke siguruar një drejtësi efektive administrative të bazuar në standardet evropiane. Projekti do ta rrisë respektimin e parimit të qeverisjes së mirë duke i forcuar kapacitetet e gjyqtarëve administrativë për të mbajtur shqyrtime publike në konteste administrative, sepse ata vetë nuk kanë njohuri për mbajtjen e shqyrtimeve publike në kontestet administrative.

Përmes aktiviteteve të realizuara, siç është doracaku për gjyqtarët për mbajtjen e shqyrtimeve publike në kontest administrativ, mbajtja e trajnimeve në kuadër të AGjPP-së duke i përdorur përvojat e Republikës së Kroacisë si dhe posterët informativë, projekti do të përpiqet ta rrisë efektivitetin dhe transparencën e Gjykatës Administrative të RMV-së, por edhe një korrigjues efikas, efektiv dhe ekonomik të qeverisjes së mirë në RMV.

“Drejtësi administrative sipas standardeve evropiane” është njëri nga 15 projektet e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga FSHM-ja për zbatimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për ta kuptuar më mirë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Për më shumë informata për punën e Qendrës, si dhe për aktivitetet e projektit, ndiqni ata në ueb-faqen e tyre dhe në faqen në tyre Facebook.

—————————————————

11 Gusht 2020