Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Në ngjarjen e parë rajonale, në internet, në temën “Ndikimi i krizës së Kovid-19 mbi grupet e cenueshme në bujqësi”, që u mbajt më 17 mars të vitit 2021, rreth 40 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani Perëndimor diskutuan se si mund të mbështeten komunitetet e cenueshme, veçanërisht gratë-fermere nga zonat rurale, në procesin e rimëkëmbjes nga kriza e Kovid-19, por gjithashtu se si në planin afatgjatë të ndërtohet rezistencë ndaj këtij lloji të tronditjeve në këto komunitete. Pjesëmarrësit arritën në përfundimin se sfidë kryesore është të mundësojnë prosperitet ekonomik, ku barrierat strukturore do të jenë zvogëluar, ndërsa normat dhe stereotipet tradicionale gjinore do të jenë tejkaluar.

Marina Tosheska nga LAG-u “Agrolider”, si përfaqësuese nga Maqedonia e Veriut, theksoi se gjatë krizës u shtua edhe më tepër barra tashmë joproporcionale mbi gratë, të cilat kujdesen për shtëpinë, bëjnë punë të pasigurtë atje ku nuk gëzojnë mbrojtje themelore në punë, dhe në një masë më të madhe janë viktima të dhunës në familje.

Sipas një hulumtimi që përfshin 400 gra nga rajoni i Pellagonisë, gratë rurale shpesh janë të punësuara jozyrtarisht, pa mbrojtje sociale, kanë humbur një numër të madh të vendeve të punës gjatë krizës, ndërsa në të njëjtën kohë pritet të kujdesen për familjen ku mund të ketë ndonjë anëtar të sëmurë ose fëmijë, procesi arsimor i të cilëve zhvillohet në shtëpi. Për më tepër, në këtë kategori të cenueshme, është regjistruar një prani e konsiderueshme e ndjenjës së izolimit, humbjes së kontakteve shoqërore dhe rrjetit të mbështetjes që ato ia ofrojnë njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë, edhe shkëmbimi i informacionit është kufizuar në mënyrë të konsiderueshme.

LAG-u “Agrolider”, në kuadër të mbështetjes nga ky projekt, ka zhvilluar një platformë digjitale www.domasno.mk, e cila është dedikuar kryesisht për gratë fermere, dhe që e zëvendëson vendin tradicional të shitjes me me një vend digjital, duke mundësuar kështu vazhdimësi në shitjen e produkteve bujqësore dhe të produkteve të tjera, e me këtë edhe të ardhura të qëndrueshme për këtë bashkësi të cenueshme.

Fetah Elezi nga Shoqata e Resurseve Gjenetike te Bimëve nga Shqipëria, prezantoi modelin e një kooperative bujqësore, që ata e testuan në fshatin Baltëz (prezantimi i plotë mund të gjendet në këtë link)

Olivera Vukoviq nga SeCONS nga Serbia, prezantoi një hulumtim ku janë shqyrtuar trendet e ndryshme të mobilitetit dhe punësimit, veçanërisht në bujqësi, në mesin e grave rurale, si dhe efekti i Kovid-19 në këto trende (prezantimi i plotë mund të gjendet në këtë link)

Në këtë ngjarej foli edhe Linda Balera, Menaxhere e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun, nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSP) nga Kosova, e cila foli për përvojat e atjeshme.

Të gjithë pjesëmarrësit ndanë informacione mbi programet dhe masat që (nuk) i kanë miratuar qeveritë në rajon, në mbështetje të komuniteteve në nevojë, veçanërisht të grave gjatë kohës së Kovid-19, duke theksuar me këtë rast nevojën për integrimin gjinor në mënyrë që të shmangen politikat që nuk janë të ndjeshme ndaj ndryshimeve gjinore dhe vetëm se e rrisin pabarazinë.

Kjo ngjarje është pjesë e një serie ngjarjesh të organizuara nga platforma rajonale e organizatave të shoqërisë civile, e themeluar në kuadër të projektit “Mbështetje për të zbutur pasojat socio-ekonomike të ndikimit të Kovid-19 për grupet më të ndjeshme të qytetarëve”, të cilin e zbatojnë bashkërisht nga Fondacioni Shoqërie e Hapur – Maqedoni,  Fondacioni i Shoqërisë së Hapur në Shqipëri (OSFA)Fondi i Shoqërisë së Hapur Bosnje & Herzegovinë (OSF BH)Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (OSF Kosova), dhe Fondacioni i Shoqërisë së Hapur Serbi (OSFS).

—————————————————

23 Mars 2021