Në një kohë të luftës aktive dhe të përditshme me COVID-19, super-heronjtë dhe super-heroinat tona në fakt janë përreth nesh – punonjësit shëndetësorë, punonjësit e marketeve, punonjësit e tekstilit, policia, ushtria, zjarrfikësit. Të gjithë ata që janë në vendin e tyre të punës për çdo ditë, që ne të mund të qëndrojmë në shtëpi dhe kështu ta mbrojmë edhe veten tonë edhe familjet tona.
Puna e tyre e vështirë në këtë kohë të pakohë, meriton mbështetje maksimale nga të gjithë qytetarët, në çdo mënyrë të mundshme që do t’u ndihmojë dhe do t’ua lehtësojë punën e tyre. Prandaj, aktivistët e artit nga Shtipi, si aktivistë lokalë, e bënë këtë aksion me të cilin tregojnë se duhet të respektohen rekomandimet dhe masat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Aksioni ka të bëjë me masat e tilla si distanca që duhet ta mbajmë, e drejta e shfrytëzimit të pushimit vjetor dhe masat që duhet t’i ndërmarrin punëdhënësit dhe transportuesit për ta parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në këtë aksion, sikurse edhe në aksionet e mëparshme të aktivistëve të artit nga Shtipi, ata i përdorën heronjtë e famshëm të Marvellit, Hullk-un, Thor-in dhe “Captain America”. Qëllimi i tyre është, mbi të gjitha, që në mënyrë vizuale, të padyshimtë dhe të qartë t’i krahasojnë qytetarët me super-heronjtë e Holivudit, dhe kështu t’i inkurajojnë ata t’i respektojnë masat. Me këtë krahasim, ata duan t’i përkujtojnë qytetarët e Shtipit se vetëm duke i respektuar masat, të gjithë ne mund të jemi super-heronj, ta japim kontributin tonë, dhe kështu të shprehim mirënjohje për punonjësit tanë shëndetësorë, policët, zjarrfikësit, ushtarët, punonjësit e marketeve dhe punëtorët/et e tekstilit për punën e tyre të përkushtuar.
Aktiviteti artistik u ndihmua nga shoqata “Gllasen Tekstilec”, e cila punon në avancimin e të drejtave të punëtorëve/eve të tekstilit, e cila mundësoi që në këtë aksion të përfshihet edhe super-heroina e tyre “Super Tekstilja”, për t’i nxjerrë në pah të drejtat e punonjësve në repartet e mëdha. Punëtorët/et e tekstilit nga Shtipi janë ata që aktualisht po bëjnë maska që shërbejnë për parandalimin e sëmundjes për të gjithë qytetarët, dhe me aksionin aktivistët e artit të Shtipit kujtuan se në këtë periudhë, janë ata që kanë më së shumti nevojë për mbrojtje shtesë dhe masa parandaluese.
Aksioni është i mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni
#Mbrohu #RrinëShtëpi #MbrojiPunëtoret #EdhePunëtoretJanëSuperHeroina #RespektojiMasat #BëhuTransportuesiPërgjegjshëm
—————————————————
16 Prill 2020