Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

“Qendra e Komunitetit të komunës së Strugës” është një organizatë që angazhohet në mënyrë aktive dhe promovon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve për ta avancuar demokracinë lokale në komunën e Strugës dhe në rajonin jugperëndimor. Mendimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në proceset demokratike në nivelin lokal, por edhe në procesin e anëtarësimit në BE të shikuar përmes prizmit të përfshirjes lokale, Qendra e Komunitetit të komunës së Strugës i konsideron veçanërisht të rëndësishme.

Perceptimi publik mund të luajë një rol kyç në procesin më të rëndësishëm të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Mirëpo, qytetarët kanë njohuri dhe informacion mjaft të kufizuar në lidhje me atë se çka saktësisht do të thotë procesi i anëtarësimit në BE dhe cilat detyra duhet t’i kryejë një vend për t’u anëtarësuar në BE. Mungesa e një debati autentik, gjithëpërfshirës ka çuar në një informacion sipërfaqësor dhe jo të plotë për qytetarët, si dhe në mungesë të të dhënave të qasshme dhe objektive për BE-në. Në këtë mënyrë, qytetarët, jeta e të cilëve do të jetë më së shumti e ndikuar nga anëtarësimi në BE, janë anashkaluar.

Kapitulli 23 – Gjyqësia dhe të drejtat themelore, nga ana tjetër, është kapitulli më i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE, por prapëseprapë ai është prezantuar në mënyrë të pamjaftueshme ose minimale para publikut. Në të njëjtën kohë, nuk ka analiza të mjaftueshme që e pasqyrojnë perceptimin publik dhe informimin e qytetarëve në komunat e Strugës, Ohrit, Dibrës dhe Kërçovës. Hulumtimi dhe aktivitetet e kryera deri më tani i referohen proceseve të mëparshme të kryera nga vendi në rrugën për në BE.

Projekti “Analiza e perceptimit publik të procesit të anëtarësimit në BE me fokus në Kapitullin 23” i zbatuar nga Qendra e Komunitetit të komunës së Strugës synon të përcaktojë perceptimin e qytetarëve në të katër komunat në rrugën e anëtarësimit në BE dhe të sigurojë informacione mbi proceset e reformave dhe përfitimet nga anëtarësimi në BE.

Përmes aktiviteteve të këtij projekti, do të matet informimi i qytetarëve, por gjithashtu do të sigurohet një dialog i hapur, i gjerë me qytetarët lidhur me integrimin e Republikës e Maqedonisë së Veriut në BE. Informacioni i marrë nga hulumtimi i kryer do të vendoset në një publikim që do t’u mundësojë qytetarëve të ndërtojnë qëndrimin e tyre për perspektivën evropiane të vendit.

“Analiza nga hulumtimi i perceptimit publik të procesit të anëtarësimit në BE me fokus në Kapitullin 23” është njëri nga 15 projektet e organizatave të shoqërisë civile të mbështetura nga FSHM-ja për zbatimin e aktiviteteve që do të kontribuojnë për ta kuptuar më mirë procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Për më shumë informata për punën e Qendrës së Komunitetit të komunës së Strugës, si dhe për aktivitetet e projektit, ndiqni ata në ueb-faqen e tyre.

—————————————————

12 Gusht 2020