Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Tetova duket sikur nuk ka zgjidhje për mbeturinat. Mbeturinat mund të shihen kudo në qytet dhe ka vende si pika të zeza të krijuara nga shprehitë dhe veprimet e papërgjegjshme të qytetarëve. Një nga këto pika të zeza është edhe hapësira e parashikuar për një kontejner të madh përballë varrezave ortodokse ku njerëz nga pjesë të tjera të qytetit, por edhe nga fshatrat, lënë mbeturina, madje edhe mobilje, aparate shtëpiake dhe rrënoja. Pika të zeza janë edhe Mëhalla e Sahatit, Kolltuku, Çarshia e Epërme, Lagja studentore, Mëhalla “Ajduçko”, stadiumi i vjetër i qytetit, salla e papërfunduar sportive në qendrën sportive dhe shtrati i lumit Pena.

Shoqata “Multikultura” – Tetovë ka vendosur një hartë me kontejnerë nëntokësorë që i tregon lokacionet ku duhet të vendosen këta kontejnerë në Tetovë, për të promovuar përdorimin e kontejnerëve nëntokësorë në të ardhmen, por edhe për t’iu vënë në dukje autoriteteve lokale nevojën për një zgjidhje afatgjatë për ndryshimin e praktikave dhe shprehive për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Tetovës.

Në kuadër të aksionit, qytetarët e Tetovës morën edhe fletëpalosje me hartën, ku u bëjnë thirrje të gjithëve që të kontribuojnë për një lagje më të pastër, qytet më të pastër dhe të ardhme më të pastër. Aksionit iu bashkua edhe brendi i njohur i kafesë “M House”, vendi më i frekuentuar për qytetarët e Tetovës.

Aksioni “Harta e Tetovës me kontejnerë nëntokësorë” u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëri e Hapur – Maqedoni.

—————————————————

20 Korrik 2021