Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

XHORXH SOROS, 10 dhjetor

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, punoi nën një presion të madh për të parandaluar veton në buxhetin e Bashkimit Evropian për periudhën 2021-2027 dhe fondin e rimëkëmbjes nga KOVID-19. Por, kompromisi që ajo arriti me Hungarinë dhe Poloninë është më i keqi nga të gjitha botët e mundshme.

NJU JORK – Bashkimi Evropian po përballet me një kërcënim ekzistencial, megjithatë udhëheqja e BE-së po përgjigjet me një kompromis që duket se pasqyron besimin se kërcënimi thjesht mund të zhduket vetëm nëse dëshirohet kjo. Regjimi kleptokratik i Kryeministrit Viktor Orban në Hungari dhe, në një masë më të vogël, qeveria joliberale e partisë Ligji dhe drejtësia në Poloni, i sfidojnë me guxim vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Trajtimi i sfidës së tyre si një pozicion i ligjshëm politik që meriton njohje dhe zgjidhje kompromisi vetëm mund t’i përkeqësojë – edhe atë në një masë të madhe – rreziqet me të cilat përballet BE tani.

Unë e pranoj dhe kuptoj presionin nën të cilin ka punuar Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo ka qenë Kancelare e Gjermanisë për 15 vjet dhe po i afrohet daljes në pension në shtator të vitit 2021. Në një situatë kur Presidenti francez Emmanuel Macron është përkohësisht i preokupuar me sekularizmin dhe kërcënime të tjera serioze të sigurisë në Francë, Merkel është bërë një lloj vendimmarrësi i vetëm i BE-së.

Unë e kuptoj pse Kancelarja gjermane nuk dëshiron që një vend tjetër, Hungaria, të njoftojë synimet e saj për t’u larguar nga BE-ja përderisa është kryesorja e BE-së. Gjoja, Orbani ka qenë duke u përgatitur për ta bërë këtë në ditët e fundit, pasi ai nuk ka mundësi të lejojë të dalë në shesh shtrirja e korrupsionit të regjimit të tij, të cilin kushtëzimi i BE-së me “sundimin e ligjit” për pagimin e fondeve të BE-së do të nxirrte pa dyshim në dritë.

Orbani vodhi dhe përvetësoi shuma të mëdha parash gjatë dekadës së tij në pushtet, duke përfshirë fondet e BE-së që duhej të shpenzoheshin për krijimin e përfitimeve për popullin hungarez. Ai nuk ka mundësi të lejojë imponimin e një kufiri praktik mbi korrupsionin e tij personal dhe politik, sepse këto të ardhura të paligjshme janë vaji që lubrifikon ingranazhet që regjimi i tij të vazhdojë normalisht dhe të mbajë nën kontroll bashkëpunëtorët e tij.

Kërcënimi për të torpeduar financat e BE-së duke vënë veton në buxhetin e saj ishte një bast i madh nga Orbani. Por edhe një blof që duhej të ekspozohej. Fatkeqësisht, Merkel duket se iu nënshtrua zhvatjes hungareze dhe polake.

Ndërsa e shkruaj këtë, duket qartë se Merkeli ka arritur një kompromis me Orbanin dhe de facto udhëheqësin e Polonisë, Zëvendës Kryeministrin Jaroslaw Kaczynski. Megjithatë, marrëveshja që Gjermania ka bërë me dy vendet anëtare të BE-së të pabindura është më e keqja nga të gjitha botët e mundshme. Teksti i kompromisit të propozuar tashmë ka dalë dhe i cili duhet të përfshihet në deklaratën përfundimtare nga takimi i kësaj jave i Këshillit Evropian ka tre mangësi kryesore.

Së pari, deklarata e ndryshon thelbin dhe qëllimin e tekstit të rregullores për të cilën ranë dakord institucionet e BE më 5 nëntor, duke e dobësuar ndjeshëm kushtëzimin me sundimin e ligjit. As Komisioni Evropian dhe as Parlamenti Evropian, e aq më pak qeveritë kombëtare që e bënë integritetin e rregullores shqetësimin e tyre kryesor brenda Këshillit Evropian, nuk duhet ta lejojnë veten të shtyhen mënjanë edhe atë në këtë mënyrë.

Së dyti, disa dispozita në marrëveshje e shtyjnë zbatimin e kushtëzimit të sundimit të ligjit për një periudhë deri në dy vjet. Do të ishte një sukses i vërtetë për Orbanin, pasi do të shtynte çdo veprim të mundshëm për periudhën pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Hungari të planifikuara për vitin 2022.

Një shtyrje e tillë do t’i jepte partisë së Orbanit, Fidesz, kohë të mjaftueshme për të ndryshuar ligjet dhe dispozitat kushtetuese dhe të lejojë Orbanit të vazhdojë të ripërcaktojë atë që përbën “fondet publike” në Hungari në mënyra që do t’i mundësonin ta riorinetojë prenë e fituar në mënyrë të paligjshme nga organet publike në “fondacionet” private të kontrolluara nga shërbëtorët e tij. Viktima kryesore të marrëveshjes që Merkel pretendohet të ketë arritur me Orban do të jetë populli i Hungarisë.

Së fundmi, deklarata e propozuar e samitit është një rast në të cilin Këshilli Evropian vepron jashtë kompetencave të tij për të kufizuar aftësinë e Komisionit Evropian për të interpretuar dhe ndërmarrë veprime sipas legjislacionit të BE-së të dakorduar. Ky është një precedent i rrezikshëm pasi e zvogëlon pavarësinë ligjore të Komisionit dhe mund të jetë në kundërshtim me Traktatin për Bashkimin Evropian, të paktën në frymë.

Marrëveshja, e cila konsiderohet të ekzistojë, është e keqe dhe i sfidon dëshirat e shprehura të Parlamentit Evropian. Megjithatë, për shkak të nevojës urgjente për të shfrytëzuar 750 miliardë euro (909 miliardë dollarë) të fondit të rimëkëmbjes nga KOVID-19, e madhe është mundësia që Parlamenti Evropian ta miratojë marrëveshjen.

E tëra çfarë mund të bëj është të shpreh tronditjen morale, të cilën me siguri e ndiejnë njerëzit që besojnë në BE si një mbrojtës i vlerave evropiane dhe universale. Dëshiroj gjithashtu të paralajmëroj se ky kompromis mund të lëkundë seriozisht besimin e fituar me vështirësi që institucionet e Bashkimit Evropian e kanë fituar me krijimin e fondit të rimëkëmbjes.

***

Xhorxh Sorosi është kryesues i “Soros Fund Management” dhe i Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur. Ai është pionier në industrinë e fondeve të investimeve dhe autor i librave të shumtë, të tilla si: Alkimia e financave, Paradigma e re e tregjeve financiare:kriza e kredive e vitit 2008 dhe çfarë do të thotë kjo, dhe Tragjedia e Bashkimit Evropian: dezintegrim ose rimëkëmbje?ose Libri i tij i fundit është Në mbrojtje të shoqërisë së hapur (Public Affairs, 2019).

Burimi: Project Syndicate

Fotografia: Emmanuele Contini/ urPhoto përmes Getty Images

—————————————————

16 Dhjetor 2020