Facebook Twitter Youtube Flickr Instagram

Autore: Valentina Vurmo

Одлуката на Судот за човекови права ќе има не само правни туку и големи политички последици. Доколку актите на поранешниот претседател Иванов бидат прогласени за важечки општеството може да влезе во антикатарза.

Vendimi i Gjykatës për të Drejtat e Njeriut do të ketë pasoja jo vetëm juridike por edhe pasoja të mëdha politike. Nëse aktet e ish-Presidentit Ivanov shpallen të vlefshme, shoqëria mund të hyjë në një anti-katarzë.

Pasi filluan të shqiptohen aktgjykime për ish-funksionarët e VMRO-DPMNE-së dhe disa përfunduan në burg, Strasburgu u shndërrua në një dritare shpëtimi për të akuzuarit dhe të dënuarit. Por, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut shihet jo vetëm nga ata që ndiqen nga ish-Prokuroria Speciale Publike, por edhe nga shteti.

Ajo duhet të përgjigjet nëse rastet e PSP-së do të mbijetojnë dhe gjykimet do të vazhdojnë pa pengesa, apo gjithçka do të bjerë në ujë, domethënë shumica e rasteve do të ndalen dhe do të anulohen, ndërsa të akuzuarit dhe të dënuarit do të shpallen viktima, të cilëve shteti madje gjithashtu do të duhet t’u paguajë dëmshpërbëlim.

Ose, me pak fjalë, Gjykata e Strasburgut do të duhet të vendosë nëse “abolimi kozmodisk” i ish-Presidentit Gjorge Ivanov është ende i vlefshëm, edhe pse dukej qesharake.

Në nëntor të vitit 2017, avokati Vllatko Ilievski e paraqiti kërkesën e parë në Gjykatën në Strasburg, e ndjekur nga tetë të tjera, të cilat i referohen gjithsej 10 palëve të dëmtuara. E para është në emër të ish-kryetarit të Manastirit, Vladimir Taleski, e dhjetë ditë më vonë mbërriti edhe ajo e Edmond Temellkos, ish-kryetarit të komunës shqiptare të Pustecit. Të njëjtin muaj, në të njëjtën datë, u paraqitën edhe dy kërkesa të tjera, nga Nikolla Gruevski dhe një e përbashkët nga Toni Jakimovski dhe Gordana Jankulloska.

Vitin tjetër, në shkurt 2018, arriti edhe aplikimi i përbashkët i Jankulloskës dhe Mile Janakieskit, e pas tre muajsh u përgatit edhe aplikimi i Kiro Todorovskit. Në verën e vitit 2018, në Strasburg arriti edhe aplikimi nga ish-kreu i DSK-së, Sasho Mijallkov, e viti përfundoi me aplikimet e Janakieskit dhe Kirill Bozhinovskit.

Për të gjithë ata e përbashkët është kërkesa për ndalimin e ndjekjes penale me arsyetimin se falja e marrë nga ish-presidenti nuk mund të tërhiqet.

Ministria e Drejtësisë nuk donte të arrinte marrëveshje me aplikuesit, kështu që tani do të duhet të paraqesë prova se i gjithë skandali ligjor është i paligjshëm dhe antikushtetues, edhe pse është akt i një presidenti.

Ata nuk e zbulojnë strategjinë, pasi përgjigjet për Strasburgun janë ende duke u shkruar, por nga deklaratat e Ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq mund të zbulohen bazat mbi të cilat do të bazohet – do të përpiqen ta bindin gjykatën se abolimi është i pavlefshëm që nga fillimi.

“Faljet e Ivanovit u dhanë në kundërshtim me legjislacionin e vendit dhe ishin një zgjedhje e pasigurisë juridike dhe një arsye e drejtpërdrejtë për pakënaqësi të madhe në mesin e qytetarëve. Anulimi i tyre, nga ana tjetër, ishte një lloj rivendosjeje e ekuilibrit të prishur ligjor. Qeveria është e detyruar ta mbrojë dhe ta përfaqësojë këtë qëndrim para Gjykatës në Strasburg, dhe përmes argumenteve të saj t’i japë gjykatës mundësinë për t’i vlerësuar ato, duke dërguar një mesazh tjetër të fortë se kjo qeveri nuk është e gatshme të shpallë kulmin e pandëshkueshmërisë”, thotë Mariçiq. 

SI GJYKATA KUSHTETUESE E PËRGATITI TERRENIN PËR ABOLIM

E gjitha filloi më 12 prill 2016, kur Presidenti i atëhershëm Ivanov doli në publik me informacionin se i kishte aboluar gjithsej 56 persona, duke përfshirë Nikolla Gruevskin, Mile Janakieskin, Sasho Mijallkovin, Gordana Jankulloskën …, duke iun referuar neniz 11 të Ligjit për Falje.

Ende pa i lexuar deri në fund të gjithë të falurit, publiku profesionist u ngrit në këmbë, duke kujtuar se ky nen është fshirë nga rendi ligjor dhe se nuk mund të ringjallet!

Neni 11 ishte “i gjallë” deri në vitin 2009, kur u miratuan ndryshimet ligjore me të cilat ai u fshi. Ndryshimet në Ligj u bënë me kërkesë të qeverisë së atëhershme të udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja, e cila pretendonte se neni 11 i lejonte Presidentit të ndërhynte në pushtetin gjyqësor, sepse në atë mënyrë Branko Cërvenkovski e shpëtoi Zoran Zaevin nga ndjekja penale, dhe gjatë aferës “Veshi i Madh” në vitin 2001, Boris Trajkovski e aboloi Dosta Dimovskën. Ideja ishte që presidentët të mos e përdorin këtë nen në të ardhmen për të shpëtuar mbështetësit e partisë së tyre ose bashkëpunëtorët e tjerë.

Neni 11 ishte “i vdekur” për shtatë vjet, madje u harrua, por papritur Gjykata Kushtetuese doli në skenë për ta përgatitur terrenin për Ivanovin dhe nga askund i hoqi ndryshimet në Ligjin që u bënë në vitin 2009. Vetëm një muaj më vonë, Ivanovi dhe partnerët e tij politikë interpretuan se me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese e ringjalli nenin 11 dhe zgjidhja e vjetër ligjore u kthye në fuqi.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariq, dhe shumë të tjerë, konsideruan se abolimi nuk ka fuqi juridike, domethënë është inekzistent.

Ai thotë se faljet kanë vdekur para se të lindin, gjegjësisht ato nuk ekzistojnë që nga momenti i nënshkrimit të tyre.

“Faljet janë të pavlefshme dhe si të tilla nuk prodhojnë pasoja juridike për askënd sepse bazohen në një normë juridike joekzistente. Ato janë virtuale, kështu që nuk detyrojnë askënd, as tani as në të ardhmen.”, shpjegon Shkariq.

Profesori shton se një normë e pavlefshme është e barabartë me një normë joekzistente, e cila konsiderohet se nuk është miratuar.

“Nuk ka mjet juridik kundër një norme të pavlefshme, as në Maqedoni dhe askund në botë që nga e drejta romake. “Nëse një normë lind me “gungë”, atëherë gunga mbetet një fakt përgjithmonë.”, thekson profesori, i cili shton se një nen i shfuqizuar një herë mund të kthehet në fuqi vetëm nga pushteti legjislativ (Kuvendi), sepse Gjykata Kushtetuese nuk ka fuqi të vendosë norma.

Ai kujton se Gjykata Kushtetuese në vitin 2012 solli aktvendim për refuzimin e nismës së paraqitur nga Lëvizja për Drejtësi Sociale “Lenka” për kthimin në fuqi të dispozitave të fshira të Ligjit për Punësimin, me arsyetimin se “Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për të kryer një funksion legjislativ dhe për të vendosur dispozita duke i kthyer në fuqi ato të cilët më nuk janë pjesë e rendit juridik”.

“Gjykata Kushtetuese e ka harruar qëllimisht këtë vendim, në mënyrë që të pastrojë rrugën e Ivanovit dhe t’i mundësojë të mbështetet në nenin 11 të Ligjit për Falje, duke krijuar iluzionin se neni në fjalë po rikthehet në jetë,” kujton profesori në bisedën për këtë hulumtim.

Por, Shkariq shton se në këtë iluzion, ekipit të Ivanovit iu bashkua edhe Kuvendi duke shtuar një nen të ri, të shartuar me nenin 11 tashmë të kontestuar.

Pas një muaji presioni të madh nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, Presidenti Ivanov u shfaq përsëri në publik për të njoftuar se e tërhiqte abolimin. Për shumë njerëz sot, duket se ky veprim është planifikuar në mënyrë të mençur.

Plotësimi i Ligjit, me nenin 11-a, u miratua më 19 maj 2016 në një procedurë të shkurtuar, me kërkesë të deputetëve Ilija Dimovski dhe Talat Xhaferi, me arsyetimin se Ivanovi mund ta anulojë abolimin brenda 30 ditëve.

Nëse ishte kjo një humbje apo një fitore e fshehur e Ivanovit do të dihet pas vendimit të Gjykatës në Strasburg, por është e qartë se me këtë vendim abolimi hyri në një ngatërresë ligjore.

ILIEVSKI: QEVERIA BLEN KOHË

Parashtruesi i aplikimeve, avokati Ilievski, i cili është burri i njërës prej të prekurave, ish-ministres Jankulloska, thotë se priste që Gjykata të merrte vendim së shpejti, por afati u zgjat me kërkesë të qeverisë.

“Qeveria është përpjekur në çdo mënyrë të mundshme për ta shtyrë procesin. Fillimisht, ata kishin tre muaj kohë për të arritur një marrëveshje me ne, por ata nuk treguan gatishmëri për ta bërë këtë. Pikërisht në ditën e fundit të afatit, ata e njoftuan Gjykatën se nuk donin marrëveshje. Pse atëherë pritën deri ditën e fundit? Me siguri që të blejnë kohë shtesë” – thotë Ilievski.

Sipas tij, Qeveria kërkoi zgjatjen e afatit për tre muaj përveç tre muajve që iu dhanë më parë.

Qeveria gjoja iu referua situatës me Kovid-19, duke e informuar Gjykatën se duhej t’i ndryshonin angazhimet e tyre të punës gjë që kishte ndikuar në disponueshmërinë e anëtarëve të ekipit dhe mënyrën normale të punës. Pastaj, se pandemia ndikoi ndjeshëm në punën e gjykatave vendase dhe, së fundi, pasi që aplikimet i referohen një grupi faktesh shumë komplekse dhe unike që kërkojnë analiza të thella.

“Kjo nuk është e vërtetë,” pohon Ilievski.

Duke e zgjatur afatin, qeveria ka afat deri në mes të qershorit për t’iu përgjigjur pretendimeve në ankesë, kurse aktvendimi do të pritej më herët deri në fund të vitit.

Ilievski beson se Qeveria dëshiron që të mbahen zgjedhjet lokale, dhe pas tyre, siç pretendon ai, “të përballen me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut se abolicioni është i vlefshëm”.

Një nga argumentet kryesore të tij është se si PSP-ja ashtu edhe Gjykata Penale kanë marrë tashmë vendime dhe aktvendime që janë në favor të tyre.

“Ka një vendim të PSP-së për të ndërprerë ndjekjen penale derisa të anulohet falja. Ata nuk ndërmorën asnjë veprim gjatë asaj periudhe. Gjithashtu, Gjykata Penale në vitin 2016 e ndërpreu procedurën penale për rastin “Puçi”, pikërisht për shkak të abolicionit”, është i bindur avokati.

Gjykata Kushtetuese u përfshi edhe një herë në këtë rast. Në vitin 2018, ajo e hodhi poshtë iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 11, por jo me shpjegimin se neni nuk ekziston, por se ata kishin vendosur tashmë për të njëjtën gjë në vitin 1999, kur gjithashtu nuk filluan procedurë. Avokati Ilievski thotë se Gjykata Kushtetuese në këtë mënyrë i hapi rrugën abolicionistëve.

Disa muaj më parë, Gjykata Kushtetuese u rishfaq përsëri. Duke e vlerësuar kushtetutshmërinë e nenit 11-a, gjegjësisht tërheqjen e abolicionit, gjykatat vendosën për variantin “më të padhimbshëm” për ta, gjegjësisht duke e ndaluar procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë. Arsyetimi është se aplikimi i nenit ishte shterur, për shkak të afatit prej 30 ditësh, dhe për shkak të kësaj nuk mund të prodhojë më efekt juridik.

Ky vendim u mor me shumicë votash, kurse Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati, votoi “Për” të. Ai e mbështet votën e tij edhe me një mendim të veçantë në të cilin jep një përmbledhje të hollësishme të abolicionit të Ivanovit, e cila sipas tij ishte e pavlefshme që në fillim. Murati gjithashtu i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016, për të cilin thotë se nuk duhet të interpretohet si “kthim” i nenit 11 në qarkullimin ligjor.

“Kjo është për arsyen e thjeshtë që fshirja e këtij neni hyri në fuqi në vitin 2009 dhe në të njëjtën kohë prodhoi një efekt juridik që zgjat deri më sot, i cili nuk mund të ndikohet nga vendimi anulues i Gjykatës, i cili nga ana e tij ka efekt juridik nga momenti i hyrjes në fuqi, dhe në të ardhmen. Prandaj, përfundimi i vetëm i mundshëm imponohet logjikisht: nuk kishte bazë ligjore për marrjen e vendimeve për abolicion nga presidenti në prill të vitit 2016 dhe si të tilla ato nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik,” thotë me këmbëngulje Murati.

Ai shton se edhe pse Kuvendi ka shtuar një nen të ri 11-a, kjo nuk do të thotë se, me mundësinë e anulimit, vendimet e mëparshme të abolicionit kanë fituar legjitimitet ligjor.

“Thënia ligjore ishte e njohur që në Romën e lashtë: “Ajo që nuk është e mirë në fillim, nuk mund të forcohet me kalimin e kohës.” Kështu ndodh edhe me këtë Ligj, i cili nuk mund t’i bëjë të vlefshme dhe t’i legjitimojë aktet që janë miratuar pa bazë ligjore”, thotë Murati.

CILA DO TË JETË PËRGJIGJA E QEVERISË?

Ka shumë të ngjarë që Ministria e Drejtësisë në përgjigjen e saj ndaj Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut t’i referohet mendimit të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese. Në atë drejtim ishte edhe mendimi i Qeverisë, e cila arriti në përfundimin se neni 11 nuk është pjesë e sistemit ligjor.

“Me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Faljen të vitit 2009 u hoq neni 11 i Ligjit të vitit 1993. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e shfuqizoi Ligjin e vitit 2009, por me shfuqizimin nuk kthehet në fuqi dispozita e nenit 11″, thuhet në mendimin e Qeverisë.

Qeveria pranon se me shfuqizimin e dispozitës është krijuar një boshllëk ligjor, por Kushtetuta jonë nuk rregullon mënyrën e plotësimit të tij. Kjo çështje është zgjidhur në kushtetutat e disa vendeve, por jo edhe në Kushtetutën tonë.

Qeveria kërkoi interpretim autentik nga Kuvendi, kurse prej andej u përgjigjën se kërkesa për dhënien e një interpretimi autentik të këtij neni nuk është e justifikuar.

“Neni 11 nuk është pjesë e sistemit juridik, që do të thotë se nuk mund të zbatohet, kështu që nuk mund të bëhet interpretim autentik i një neni të ligjit që nuk ekziston,” u përgjigj Kuvendi.

Për momentin, ministri Bojan Mariçiq nuk e zbulon strategjinë e vendit. Burime të mirëinformuara na shpjegojnë se Qeveria nuk duhet ta bindë gjykatën për personalitetin dhe punën e ish-Presidentit Ivanov, por të dëshmojë se abolicioni që nga fillimi ishte i pavlefshëm.

Këto burime thonë se vendimi i gjykatës do të varet drejtpërdrejt nga përgjigjet e pyetjeve që ata i kanë dërguar autoriteteve maqedonase.

– A ishin vendimet për falje të Presidentit të vendit nga data 12 prill 2016 të parevokueshme?

– A janë vendimet për revokim të bazuara në nenin 11-a dhe a ishin ato në përputhje me parimet e sundimit të ligjit dhe sigurisë juridike?

– A ishte falja e një karakteri të individualizuar, qëllimi i të cilit ishin persona të veçantë?

– A lejohet ndjekja penale e aplikuesve në lidhje me krimin e pretenduar për të cilin ata u falën dhe për të cilët u revokua falja?

– A ka shkelje të nenit 6 të Konventës në lidhje me procedimet penale që janë në vazhdim e sipër kundër aplikantëve në lidhje me krimin e pretenduar për të cilin ata janë falur dhe për të cilët falja është revokuar?

Ekspertët ligjorë që i konsultuam paralajmërojnë se shteti duhet ta marrë seriozisht situatën dhe të bëjë një vlerësim se ku mund të shënojë pikë, dhe ku mund të humbasë.

“Abolicioni i dhënë njëherë nuk mund të tërhiqet. Nuk mund të pritet Gjykata e Strasburgut të flasë për mënyrën se si presidenti e dha abolimin. Nëse ai nuk e ka respektuar ligjin dhe kushtetutën, është dashur të përgjigjet penalisht, por ata që përfituan nga abolimi nuk mund t’i bartin pasojat. Kjo është në nivelin kur aktvendimi i plotfuqishëm i lirimit nuk mund të anulohet. Gjykata Supreme mund të konstatojë se gjyqtarët kanë vepruar në mënyrë të paligjshme, por kjo do të thotë se ka vend për përgjegjësi penale të gjyqtarëve, por të pandehurit e liruar mbeten të lirë. Kjo është siguri juridik”, thotë bashkëbiseduesi ynë për këtë hulumtim, i cili preferoi të mbetet anonim. Ai shton se duhet të theksohen të metat në vetë abolicionin. Kjo do të thotë, abolicioni nuk është një akt i përgjithshëm, por një akt individual.

Nga pikëpamja e së drejtës penale, sipas Kushtetutës, akti i dhënies së mëshirës mund të jetë me amnisti ose falje. Amnistia është një akt i përgjithshëm, i cili miratohet ekskluzivisht nga Kuvendi në formën e një ligji dhe atëherë mund të bëhet fjalë për një grup më të madh, gjegjësisht për një amnisti kolektive. Është e drejtë ekskluzive e Kuvendit, kurse Presidenti mund të japë falje, që është një akt i parashikuar për rastet individuale si korrigjim i drejtësisë në raste specifike dhe të justifikuara.

Ose siç do të thoshte Gjykata Kushtetuese: “Falja lidhet me individualizimin e autorëve të krimeve, e jo me numërimin e përgjithshëm të veprave penale që eliminohen nga falja, sepse përgjithësia është një element i amnistisë e jo i faljes.”

Sipas profesorit të universitetit, Gordan Kalajxhiev, shteti duhet të përpiqet të bindë gjykatën se këto nuk janë raste të vogla dhe të izoluara të abuzimit, por se ishte një abuzim serioz dhe i organizuar i keqpërdorimit të pushtetit me shkelje masive të të drejtave të njeriut, të konstatuara në një seri raportesh nga institucionet dhe organizatat vendase dhe të huaja, ndërkombëtare, qeveritare dhe joqeveritare.

“Duket se deri më tani një rast i tillë si i yni (rasti i të ashtuquajturit “shtet i kapur”, gjegjësisht elita politike si një shoqatë kriminale e organizuar) nuk është testuar në gjykatat ndërkombëtare, gjë që sigurisht do ta bëjë të vështirë mbrojtjen e qeverisë sonë dhe agjentit të saj” – thotë Kalajxhiev.

Profesori mendon se fakti që kjo çështje shtyhej vazhdimisht nën qilim në vend nuk është në favor të shtetit.

“Do të ishte më mirë që gjykatat tona që vendosën për këtë çështje (për shembull, me rastin e kundërshtimeve kundër akuzave) të paraqisnin ndonjë argument juridik të argumentuar në këtë kuptim, në vend që ta zgjidhin problemin duke e vënë atë nën qilim. “Do të ishte më e lehtë nëse tërheqja e faljeve do të pasohej me ndonjë kualifikim ligjor (ose të paktën politik) të faljes si jokushtetuese dhe e paligjshme, gjegjësisht si një abuzim i qëllimshëm i kompetencave zyrtare të Presidentit të vendit,” tha Kalajxhiev.

Ai shton se një rrethanë rënduese është se kurrë nuk është kërkuar përgjegjësi penale ndaj Ivanovit.

NGJASHMËRITË DHE NDRYSHIMET ME RASTIN “LEKSA KUNDËR SLLOVAKISË”

Nga kërkesat e paraqitura mund të shihet se avokati i ish-funksionarëve të akuzuar i referohet aktgjykimit të marrë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen “Leksa kundër Sllovakisë”.

Ivan Leksa ishte kreu famëkeq i policisë sekrete nën Kryeministrin autoritar të Sllovakisë, Vladimir Meçiar, në vitet e para të pavarësisë së vendit. Përderisa ai ishte drejtor, ndodhën krime të mëdha që lidheshin me shërbimin sekret, të tilla si rrëmbimi i djalit të presidentit të shtetit dhe arratisja e tij e fshehtë në Austri dhe vrasja e një oficeri të lartë të sigurisë. Pak para zgjedhjeve të vitit 1998, Meciar fali Leksa. Shumica e re parlamentare tërhoqi abolimin e tij në 1998, Leksa u arrestua, kaloi tre muaj në burg dhe pas lirimit të tij iku në Afrikën e Jugut, ku u arrestua dhe u ekstradua në 2002 në Sllovaki me ndihmën e Interpolit. Gjykatat sllovake fillimisht e ndoqën penalisht dhe më pas e ndaluan sepse konkluduan se nuk kishte arsye për tërheqjen e faljes.

Edhe pse ndjekja penale u ndal, Leksa ngriti një padi në Gjykatën e Strasburgut, sepse ai ishte ndjekur penalisht për ca kohë pas faljes së tij dhe se Gjykata kishte vendosur në favor të tij.

Gjykata e Strasburgut në këtë rast shqyrton në detaje çështjen e tërheqjes së amnistisë nga perspektiva e të drejtave të njeriut, duke arritur në përfundimin se në këtë rast është shkelje e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rrethanë kritike ishte fakti se falja ishte e ligjshme ndërsa tërheqja nuk ishte parashikuar fare nga Kushtetuta e Sllovakisë.

Ky vendim, si të gjitha të tjerat të miratuara nga Gjykata e Strasburgut, krijon një detyrim për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, në një situatë identike, të ndjekin praktikën e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut.

Por në Sllovaki, vendimi nuk i dha fund çështjes së Ivan Leksa. Parlamenti Sllovak hoqi amnistinë e Meciarit dhe u hap dera për të vazhduar procesin e djalit të rrëmbyer të presidentit kundër Ivan Leksa.

Edhe pse duket se ka ngjashmëri, ky rast është i ndryshëm nga ai maqedonas. Aktgjykimi i Gjykatës së Strasburgut për Leksën është pasojë e paligjshmërisë së tërheqjes së faljes, ndërsa në Maqedoni problemi qëndron në ligjshmërinë e vetë faljes. Gjithashtu, Leksa ishte vetëm një, ndërsa 56 persona janë falur në vendin tonë, që në fakt është një amnisti, dhe sipas Kushtetutës, Presidenti nuk është i autorizuar ta bëjë këtë, sepse kjo është e drejta e Kuvendit. Falja, për të cilën ka të drejtë presidenti, është një korrigjim i drejtësisë në rastet individuale.

Nuk duhet harruar se Gjykata e Lartë në Greqi miratoi heqjen e Ivanovit. Duke iu referuar asaj në 2018, Gjykata Supreme vendosi që autoritetet greke nuk duhet të ekstradojnë të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikola Boskoski, dy operativët e lartë në UBK.

Në atë kohë, gjyqtarët grekë kishin vetëm një pjesë të historisë para tyre, sepse autoritetet maqedonase as nuk u përpoqën të provonin pavlefshmërinë.

Avokati Aleksandar Tortevski po përpiqet t’i japë një kontekst politik të gjithë çështjes dhe thotë se nëse heqja e ligjit kalon në Strasburg, nuk do t’i japë një goditje serioze partisë aktuale në pushtet.

“Kur qeveria nuk ra sepse nuk kishte vaksina, nuk do të bjerë nëse gjykata e Strasburgut legalizon abolimin. Ata do të justifikojnë se gjykatat vendase kanë filluar të japin drejtësi, dhe faji për shpëtimin e ish-zyrtarëve do të bartet tek Ivanovi, kështu që të gjithë do të jenë të lumtur dhe të kënaqur,” thotë Tortevski.

Një pjesë e rasteve në çdo rast do të mbijetojë

Gruevski i arratisur mori shtatë vendime të nënshkruara nga Ivanovi, të cilat do ti mbarojnë punë pjesërisht nëse Strasburgu vendos në favor të tij.

Por kjo nuk do të thotë që Gruevski në një rast të tillë do të kthehej menjëherë në vend, sepse ai do të duhet të kalojë pas hekurave dhe të vuajë një dënim efektiv prej dy vjetësh për blerjen e një Mercedes luksoz prej 590,000 euro, pra për rastin “ Tank “. Ky rast nuk mbulohet me abolim.

Për rastin “Titanik”, ose për parregullsitë zgjedhore të VMRO-DPMNE, Gruevski ndiqet penalisht për tre krime, por edhe nëse kalon abolimi, ai me siguri do të vazhdonte të gjykohej për të paktën një krim që nuk përfshihet nga vendimet. Gjithashtu, ish-udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së nuk do të kursehej nga gjyqi për “Talir” dhe “Talir 2”, për të cilin nuk pati abolim.

Megjithatë, Gruevski do të shpëtonte nga rasti “Dhuna në Qendër”, për të cilën u dënua me një vit e gjysmë burg.

Një vendim pozitiv në Strasburg nuk do ta shpëtonte Jankuloskën në rastin “Tank”, për të cilin ajo po vuan dënimin me 4 vjet burg, sepse kur Ivanov po jepte abolimin, ky rast ende nuk ekzistonte. 13 zgjidhjet ofrojnë shpëtim për një duzinë krimesh. Pas inspektimit, ajo do të pushojë së gjykuari në çështjen “Titaniku”, në të cilën akuzohet për katër vepra penale, dhe do të shpëtohet nga dënimi 4-vjeçar në çështjen “Target-Fortesa”, sepse u abolua për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Mbajtësi i rekordeve për abolimet e dhëna është Janakieski, gjegjësisht Ivanov nënshkroi deri në 16 vendime, por shumica e rasteve janë ngritur kundër tij në Gjykatën Penale. Me një vendim pozitiv nga Strasburgu për abolimin, mundimet e tij gjyqësore nuk do të përfundojnë. Ai do të vazhdonte të gjykohej për “Trajektoren”, dhe do të shpëtohej pjesërisht nga rastet “Titanic” dhe “TNT”.

Nga zgjidhjet e shumta nuk mund të konkludohet se në këtë rast Presidenti përdori faljen si instrument për korrigjimin e drejtësisë, por se ato ishin një instrument i pushtetit politik dhe ndërhyrjes në sistemin gjyqësor.

Kjo është arsyeja pse profesori Shkariq përfundon se arsyet e pavlefshmërisë absolute duhet kërkuar edhe në fushën e moralit.

“Vendimet dhe aktvendimet për abolim u morën, jo për hir të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, por për mbrojtjen e krimit të zyrtarëve të lartë në sferën publike. Në një kontekst të tillë, abolimi është moralisht i paqëndrueshëm. “Dhe morali ka qenë gjithmonë baza e ligjit dhe do të jetë në të ardhmen, përndryshe ai nuk mund të mbijetojë si një vlerë qytetërimi,” tha profesori Shkariq.

Abolimet nuk ishin hera e parë që ish-Presidenti Gjorge Ivanov të japë dhe tërheq faljen. Ai u bë një “haxhi pishman” vetëm disa muaj pasi u vendos në vilën presidenciale në Vodno. Në verën e vitit 2009, u has emri i Lambe Arnaudov, ish drejtor i ESM, gjatë qeverisjes së parë të VMRO-DPMNE, ishte në mesin e 60 të burgosurve të falur. 

Arnaudov po vuante një dënim me 4 vjet burg dhe sipas vendimit të botuar në “Gazetën Zyrtare”, dënimi i tij u ul me 10 muaj. Vetëm një ditë më vonë, kreu i shtetit tërhoqi vendimin e faljes, duke shpjeguar se ishte bërë një gabim. Ivanov atëherë arsyetohej se lista për konsultime u botua në “Gazetën Zyrtare”, e jo lista përfundimtare e të falurve plotësisht ose pjesërisht.

“Gabimi është konstatuar, ne e pranojmë atë dhe do të korrigjohet duke e publikuar vendimin e ri në “Gazetën Zyrtare”.” Kishte një mungesë të caktuar të komunikimit, sepse gjatë periudhës së verës një pjesë e Kabinetit është në Ohër, dhe një pjesë në Shkup. “Unë kërkoj falje nga qytetarët maqedonas që bëmë një gabim të tillë teknik,” deklaroi Ivanovi në atë kohë.

Arnaudov atëherë tha se nuk ishte i zemëruar me presidentin dhe se nuk do të paraqiste ankesë, dhe siç pritej, asnjë institucion nuk e konsideroi veten si organ kompetent për ta shqyrtuar përgjegjësinë e presidentit.

***

Storja është përgatitur në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të gazetarëve hulumtues në fushat e Kapitullit 23, me fokus në gjyqësi”.

—————————————————

31 Maj 2021